Fan Noli, një poliglot dhe njeri me integritet intelektual, në krye të Shqipërisë

Dashurinë për popullin e atdheun ia ushqyen rrethi familjar e mjedisi shqiptar i Qytezës. Ende i ri, Fan Noli u hodh në luftën për çlirimin e atdheut nga zgjedha osmane. Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit të tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirimin kombëtar e konceptonte si luftë me armë e pendë. Fan Noli përdori kishën si tribunë për forcimin e shqiptarizmit. Përkrahës i përdorimit të dhunës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me armë kundër sundimit osman (1910-1912). Pas Shpalljes së Pavarësisë, u vu në shërbim të qeverisë kombëtare të Vlorës. Me vështrim të mprehtë politik e bindje demokratike, ai e kuptoi se ruajtja e pavarësisë e përparimi shoqëror nuk mund të arriheshin, veçse me luftë të vendosur kundër armiqve të brendshëm çifligarë e konservatorë dhe kundër armiqve të jashtëm, të lidhur midis tyre në dëm të lirisë, tërësisë territoriale e zhvillimit demokratik të vendit. Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme e të jashtme, i shtjelloi në shkrime e fjalime në vitet 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar borgjeze. Në krye të qeverisë, Fan Noli i shpalli këto parime demokratike, por ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk treguan vendosmërinë e duhur për t’i zbatuar deri në fund. Idetë e Nolit u zhvilluan, u poqën dhe arritën kulme të mendimit shqiptar. I mërguar, vazhdoi të ishte për disa vjet tribun i demokracisë shqiptare.
Kështu, Noli do të bëhej një figurë udhëheqëse për vendosjen e rendit demokratik. Noli në qershor të 1924-ës do të zgjidhet kryeministër i Shqipërisë dhe për 6 muaj do të përballonte problemet ekonomike dhe politike. Programi i tij do të rezultonte i parakohshëm për bujqit dhe feudalët që nuk njihnin demokracinë e Kuvendin Popullor. Noli i rritur jashtë Shqipërisë, nuk e njihte dhe nuk mund ta njihte realitetin e vendit të tij. Në shtator të 1924, kryeministri Fan Noli dhe me Luigj Gurakuqin do të përfaqësonin Shqipërinë në Asamblenë e pestë të Lidhjes të Kombeve. Fjalimi i mbajtur nga kryeministër Noli, pati jehonë të madhe jo vetëm në vendet anëtare të Lidhjes, por edhe në vendet e tjera. Fan S. Noli si askush tjetër ngriti zërin për afrimin e Shqipërisë me botën, ngriti zërin për padrejtësitë historike që i janë bërë kombit shqiptar. Ai ngriti zërin dhe luftoi për liritë demokratike dhe mendimin e lirë. Ishte për një demokraci të tipit perëndimor, me pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira. Për këtë u jepte përparësi marrëdhënieve me SHBA-të dhe mënyrës amerikane të jetesës. Veprimtaria diplomatike përben një faqe nga më të ndritura në jetën e Nolit.