Fan Noli, “Incidenti i Hadsonit” dhe krijimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në Boston disa shqiptarë ishin pjesë e Kishës Ortodokse Greke, e cila i kundërvihej bindshëm çështjes kombëtare shqiptare. Kur një pop ortodoks refuzoi t’ia kryente shërbesat përfundimtare të ndjerit Kristaq Dishnica, Noli me një grup shqiptarësh kombëtaristë krijuan Kishën Ortodokse Shqiptare të pavarur. Noli, prifti i parë i kishës së re, u hirotinos prift më 8 mars 1908 nga kryepeshkopi Platon Rozhdestvensky i Kishës Ruse në Shtetet e Bashkuara, në kushte të dyshimta.

Më pas, po atë vit u regjistrua në Universitetin e Harvardit, duke e përfunduar më 1912 Bachelor of Arts. Zuri vendin e Pecit si redaktor i “Kombit”, detyrë që e kreu deri në janar të 1909. Një muaj më vonë, nisi të botojë e drejtojë fletoren “Dielli”,[13] zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 udhëtoi drejt Evropës, ku ndenji katër muaj duke vizituar dhe mbajtur shërbesa fetare e takime patriotike ndër kolonitë shqiptare të Kishinjovit, Odesës, Bukureshtit e Sofies. Pas shkrirjes së shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” u bë organi i shtypit i shoqërisë panshqiptare Vatra, bashkëthemelues i të cilës qe edhe Noli me Konicën.

Në pragun e Luftës Ballkanike, Noli shprehej me luajalizëm kundrejt perandorisë që të mund të bënte qëndresë kundrejt armiqve.[14] Me shpalljen e pavarësisë e përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit, mori pjesë në Kongresin e Trieshtës, organizuar nga Konica në marsin e 1913. Më 10 mars 1914 u ndodh në Durrës, ku dhe e gjeti Lufta e Parë Botërore; më 24 maj 1915 u kthye në Amerikë.

Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli drejtoi organin The Adriatic Review (Revista e Adriatikut) gjashtë muajt e parë të saj, të cilën e botonte si shtojcë “Dielli” i Vatrës.

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë. Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte.