Famullia e Traboinit (Hot) në kujtesë të historisë

Si të gjitha trojet e tjera të Malësisë së Madhe e Shqipërisë edhe Mali, “Bajraku” apo Fshati madhështor historik i Traboinit ka kaluar baticat e zbaticat, që kishin sjell shekujt…Traboinin më Rapshën janë “binomi” legjendarë që bënë  atë histori  krenare – shqiptare, që Malit e flamurit   të Hotit i kishin dhënë kryevendin ndër mote në Malësi të Madhe e më gjerë… Historia   atdhetare e Hotit ka qenë e mbështetur fuqimisht  në binomin FE  dhe ATDHE, ku siç dihet Feja e Hotjanëve tash  rreth Dy‐Mijë vite i përket Kristianizmit. Natyrisht ky besim  jetëdhënës edhe në  trojet e Hotit ka pasur që në fillimet e tij objektet e kultit, objekte mbi të cilat ranë pa mëshirë  stuhi e shtrëngata, që lanë pas mjaftë mjegull e harresë…më të cilat “luftuan”jo pak  breza të tërë Hotjanësh e Shqiptaresh… Gjithsesi në po e fillojmë shtegtimin tonë më toponimin më vlera që e njohim më emrin “RRENOJAT E QAFKISHËS NË HOT”, për të cilin flasin  gojëdhënat deri në ditët e sotme, dhe kanë zgjuar interesin e Studiuesve  e Albanologeve  potencial Evropian e më gjerë, ku po citojmë njërin nga këta i cili ndër të tjera shkruan: “…Në krahinën e Fisit Hotit në veri të Shkodrës në lokalitetin Qafkisha gjendet një Germash. Ajo ndodhet në anën perëndimore të luginës së Spinjës, ku nga Qafkisha  ose Qafa e Kishës  lejon kalimin  mbi kodrën që ndan  luginën e Spinjës më fushën e Tuzit.  Rrënojat i kanë dhënë emrin e Qafës. Ato njihen nga rrëfimet si mbetje të një Kishe, për çfarë flet edhe ekzistenca e një Varreze përreth tyre.

Megjithatë  mbetjet e mureve, për aq sa duken sipër tokës nuk lënë ta dallosh karakterin e asaj ndërtese. Ajo formon një  drejtkëndësh më gjatësi 14 hapa dhe gjerësi  5  hapa,  anët  e  ngushta    të  të  cilit  janë  në formën e një Abside Kishe…” (Theodor Ippen, SHQI‐ PËRIA E VJETER, Studime gjeografike, etnografike e historike…fq.259.). Më ketë citim ne deshëm të tregojmë se në trojet e Hotit, duke përfshire edhe Traboinin si pjesë   e rëndësishme e tyre ka pasur shumë më herët Kisha Kristianë (Katolike), se sa KISHA të cilës menduam t i  kushtojmë shtegtimin tonë të bazuar në disa shkrimë apo dokumente që kemi mundur të sigurojmë… TRABOINI, është FAMULLI që nga viti 1648. edhe atë e kanë lëshuar Françeskanët dhe janë sjell e janë kthyer përsëri, ashtu siç  vinin e kalonin zullumet. Famullia është e vendosur në rrezen e malit Bukovik e tëra mbi gurë e shkëmbinj  të thatë, numëronte  9  fshatra  më  1276  banorë.(Lavro  Miha‐ ceviq, NËPËR SHQIPËRI, mbresa udhëtimi dhe etnografi, fq.78–79.) Kisha e Traboinit i është kushtuar të së LUMËS VIRGJER (Zojes së  Bekuar Marie., (Ermanno Armao. VENDE, KISHA, LUMËNJ, MALE   E TOPONIMË TE NDRYSHMË TE NJË HARTE   TE LASHTE TE SHQIPËRISE,fq.124). Harta është e hartografëve të shekullit XVII. Është interesant se Arqipeshkevi  famëmadh i gjysmës së dytë të shekullit XVII, Pjeter Bogdani  në relacionet e letrat e tij e përshkruan  Kishën e Hotit të pa ndarë (në atë të Brigjes e atë të Traboinit). Nga këto letra në përzgjodhëm DY : Së pari letrën  132 te datës 3 maj te vitit 1669,ku shkruhet se : “… Në Malet e Mbishkodrës, Hoti, Kastrati e Shkreli ku jetojnë shumë te krishtere, kanë mbetur  pa asnjë Prift dhe s’mund ti ndihmojnë as Françeskanët, sepse këto vende   janë tepër të shkretuara nga turqit…Imzot Bogdani vijon letrën duke ju lutur kongreates   për ti dhenë dy misionarë  ndër të cilët Dom Nik Vladanjin,sepse nevojat janë të mëdha dhe njerëzit  vdesin pa sakramentet e shenjta  të ditëve të Pashkëve…” Së dyti. letra 182 e datës 29.12. 1675, ku  Bogdani   ia  kujton Kongreates letrat e saja të gushtit të viteve 1669 dhe 1673 ku Ajo  merrte përsipër të ndihmoj edhe financiarisht krahinat e  Kastratit dhe HOTIT…” (Pjetër Bogdani, LETRA E DOKUMENTE, Përgatitur nga Odette Marcquet).  Edhe në relacionet e vizitave baritore të vitit 1745  të Ipeshkevit   të Shkodrës (Pal Pema  Kemësi) nuk “ndahet “ Kisha e Hotit në famulli, por  shkruhet: “Misioni i Hotit… numëron 200 shtëpi Katolike më 2700 frymë… Kisha e Hotit është në gjendje të keq dhe është gati për të rënë tavani. Për faj të eprorit të mëparshëm të Etërve është shumë keq për sa u takon pajisjeve. Për ketë ka nevojë për  ndihmë   nga ky kongregacion i Shenjt bamirës… ( Nevila  Nika, DIOQEZA E SHKODRËS, GJATË SHEKULLIT  XVIII.  Sipas dorëshkrimeve arkivore. dok. 8. fq.157.). Nga studiuesi i njohur

Fulvio Kordinjano në librin  “SHQIPËRIA”,përmes veprës dhe shkrimeve të misionarit  të madh italian At Domeniko  PAZI  (1847‐1914., vëllimi.I), ndër të tjera mësojmë se në vitin 1699 në Hot u ngrit një Kishë  nën emrin e Shën Mërisë së Engjëjve..(fq.104). Në duke u bazuar në citimet e më sipërme mendojmë se behët fjalë për Kishën e Traboinit, e cila  pasi ishte ndërtuar në vitin 1648. më siguri kishte pasur nevojë rindërtimi apo rizgjerimi të sajë. Ketë mëndim tonin na e forcon po ky autor (Fulvio Kordinjano )në librin e sipërcituar, por në faqen 194, ku shkruan:

“…Për të shkuar në Kishën e Brigjes ose të TRABOINËS (Traboinit) dhe të Grudës, duhet  të ndjekësh përtej Koplikut rrafshinën e bezdisur që shkon anës Liqenit të Shkodrës deri sa të çon në luginën e Hotit. Në Hanin e Hotit  rruga degëzohet ; në të majtë  drejt liqenit  rruga kthehet për në Vuksanlekaj dhe Tuz, në të djathtë  ngjitet drejt Brigjes mbi të cilen gjendet Qafa që të çon në Kishën e Traboinit…” Albanologu i shquar  Johan Xhorxh  Hahn, në fillimin e gjysmës së dytë të shekullit XIX, duke shkruar për paraardhësit e Malësisë së Madhe, kur i vjen “radha” Hotit., shkruan se: “…Pasardhësit e Pejç Geges (Geg Lazer Keqit) themeluan katundin Traboin, i cili ka 180 shtëpi më 1600 frymë…”J.G.Hahn. STUDIME SHQIP‐ TARE, viti 1854, fq.256. Edhe studiuesja angleze që ka jetuar disa vite në mes këtyre trojeve,  Edith  Durham  mbështet tezën  se shumica e Hotit ka Stërgjysh Geg Lazrin..(Brenga e Ballkanit…fq.432.). Ndërsa ish Konsulli i Francës Hekard (Hyacinthe Hecquard ) në Shkodër në librin “HISTORIA DHE PËRSHKRIMI I SHQIPËRISE SE EPËRMË OSE GEGERISE“, shkruan se themeluesi i Hotit  kishte emrin HOT dhe gruaja e tij TRABOJNA, ndaj Traboini  mban emrin e gruas së Hotit…(fq.163). Ndërsa po nga ky autor në faqen 164 të këtij libri mësojmë se Hoti gjithsej kishte rreth 450 familje katolike…dhe në Rapshë ishin edhe 10 familje Myslimanë  të cilat shkruan se kishte rreth 50 vite që  kishin përqafua Islamizmin. Duke ditur se libri është shkruar në vitin 1850, kjo mendojmë se i përket vitit 1800, dhe bënë fjalë për familjen e njohur të Bajraktarit te Hotit….

(Natyrisht citimet tona për prejardhjen e Hotit apo më saktë të Traboinit, nuk cenojnë  as gojëdhënën  e cila thotë se  emri  Traboin vjen nga fjala e vjetër sllave  TREBA =duhet, që ju tha Pjetrit, njërit prej djemve më çapkën  të të parit të Hotit  për të banuar në trojet autoktonë shqiptare të Trabonit të sotëm që lakmoheshin nga ardhacakët zollumxhi shkije…) Në regjistrin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485  vendi ku është Traboini i sotëm quhej OBLAMA, dhe kishte 8 kryefamiljarë, ose më saktë 8 shtëpia.

Emri i Traboin, për herë të parë del në regjistrat e vitit 1582, ku atëherë shkruhej TRABOLIN dhe shkruhej se kishte 41 shtëpi (krye‐ familjare) e 13 beqarë, ku të gjithë ishin të besimit Katolik. (Përparime  Huta, FSHATI NË SANXHAKUN E SHKODRES NË SHEK. XV – XVI…fq.156.). Traboini edhe pse në mes dallgësh e stuhish  që shkaktonin  pushtuesit shumë shekullor Otoman dhe shovenët fqinjë Serbo‐Malazez vazhdoi të qëndroi e jetojë më doket, zakonet e fenë e të pareve kristianë… Në vitin 1864 famullia e Traboinit kishte 1187 besimtare katolik..(Gjush Sheldij, KRYEIPESHKEVIA MËTROPOLITANË E SHKODRËS. Dioqezat   Sufraganë…fq.63.). Mjerisht më gjithë qëndresën titanike edhe të kësaj Treve Shqiptarie. nga Evropa plakë “në fundin e pleqërisë së saj” u bë e “mundur” që nga viti 1913, Traboini të lihet përdhunshëm  brenda kufirit politik të Malit Zi.  Se çfarë hoqi popullsia autoktonë shqiptare në këto troje pas bashkimit më Malazezet e tregon më së miri  numri i sotëm i popullsisë së Traboinit  që sipas statistikave  përbehet vetëm nga rreth 500 besimtare (katolik) më një numër shtëpiash që nuk e kalon shifrën 100.. (viti

2007). Ky “pakësim” i popullsisë së Traboinit  ka arsyet e veta (emigracioni ekonomik dhe politik), arsye që i ka “stimuluar” dhunshëm ish Jugosllavia dhe shteti i Malit Zi. i cili shpesh kërkon të “zbatojë” planin e  gjeneralit famëkeq turk Shefqet Turgut Pasha. që në vitin 1911 do të deklaronte  se synonte që malësoret ti shpartallonte dhe dëbonte nga trojet e tyre etnike në kufi më Malin  e Zi, dhe në vend  të tyre do të sillte për ti zëvendësuar emigrantë   boshnjakë…(Franc Baron Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan..fq.290).Edhe pse në këto kushte shpesh mbijetese, Kisha e Traboinit më   rikonstruksionët e konstruksionët (në atë vende që ishte për shekujsh, apo ka lëvizur) ka qenë   një   institucion që u praktikua  jo vetëm besimi tek Zoti, por edhe tek Atdheu, ku për ketë mjafton të kujtojmë se në ketë Kishe u pagëzuan e  Krezmuan dhjetëra e qindra patriot e nacionalist që u dolën zot këtyre trojeve ndër shekuj, ku njëri ndër këta ishte edhe heroi i popullit Ded Gjon Luli.. Kisha   e Traboinit sot është njësuar më festen fetare të  Hotit, Shën Gjonin, apo siç jemi mësuar ta themi popullorçe Shnjonin e Hotit, që e fillon festimin në natën e 28 gushtit dhe vijon gjatë gjithë ditës së 29 gushtit. Kremtimi i Shnjonit në Hot është madhështia vetë e festave fetare katolike. Ferliqët, pijet. gostitë e mbi të gjitha mikpritja e bujaria e hotjanëve janë “kurora” e kësaj feste, në ditën e të cilës përveç meshave në kishë, zhvillohen edhe logje gëzimi e festimi. Vlen të kujtohet se kisha më e vjetër (e dokumentuar) në trojet e Hotit që i kushtohej Shën Gjonit është Kisha e Brigjes, që sipas relatorit të shekullit XVII F.Bolica i përket vitit 1616…

Duke parë   Nekrologun e Provincës Shqiptare   të Zojës Nunciatë, (nën kujdesin e Fra Flavio Cavallini, mbi bazën e nekrologut të Fra Marjan Prelaj, më qortimet  e Fra Vinçenc  Malaj‐ Shkodër –MMI ),mësojmë se ndër mote kanë shërbyer  në kishën e Traboinit (edhe..) këta famullitarë: Fra Pacifico nga Brindizi ishte famullitar në vitet 1867‐1874, vdiq më 11 dhjetor 1888. (fq.358); Fra Basilio Chiaroni nga… Milano, famullitar në vitet 1890‐1907, i cili kujtohet edhe për restaurimin e kishe, qëles dhe hapjen e shkollës fillore  në vitin 1893. Vdiq më 27 dhjetor

  1. (fq.313); Fra Pater Liugj Bushati, famullitarë (1908‐1911), ishte pjesëmarrës aktiv gjatë kryengritjes antiosmane të Malësisë (1911)..Vdiq më 20 dhjetor 1940.(fq.367); Fra Severin Lushaj nga Nënshati..vdiq më 28 nëntor 1939.(fq.345); Fra Angelino Gaudio nga Salerno –Itali.Vdiq më 08 shkurt 1942.(fq.39); Fra Leonard Tagaj nga Ljajra, pushkatohet nga komunistet malazez më 04 shkurt1945, pranë qëles famullitare ‐ Traboin.(fq.35); Fra Engjell Vjerdha nga Ulqini, vdiq më 13 mars 1951.(fq.73); Fra Pashko Prela, famullitar në vitin 1920. Vdiq më 17 gusht 1966. (fq.242)….

Si për ironi të fatit mbas Luftës së dytë Botërore, kisha tjetër e Hotit, ajo e Brigjes që kishte “mbetur” në territorin e Shqipërisë Politike. u shkatërrua nga komunisto‐ateistet shqiptarë, ndërsa ajo e Traboinit që kishte mbetur nën shovenët sllav u ruajt, u rikonstruktua dhe u respektua si vend i shenjtë, duke vazhduar atë histori besimi e qytetërimi më të cilin kërkojmë vendin që  na takon në Evropën e re, në Evropën që ka në themel bashkimin, të cilin e shpresojmë prej rreth një shekulli edhe në shqiptarët….