Evropë, një lutje ekumenike për një kontinent të bashkuar e të lirë nga egoizmi

Në kuadrin e Festës së Evropës, përfaqësuesit e Kishave të ndryshme të krishtera takohen nëpërmjet internet – on line për një reflektim të përbashkët mbi ekologjinë integrale dhe për një moment lutjeje ekumenike. Qëllimi është të rinovohet angazhimi për ta bërë sa më të fortë e të vërtetë unitetin midis njerëzve dhe popujve tё Kontinentit të Vjetër.

R.SH. – Vatikan

Festa e Evropës, më 9 maj tё çdo viti, kremton paqen dhe unitetin e Kontinentit të Vjetër. Më 9 Maj, sepse atë ditë, 70 vjet më parë, lindi ideja e parë e një Bashkimi Evropian, falë një deklarate të famshme tё ministrit tё jashtëm francez tё asaj kohe, Robert Schuman, i cili synonte ta bënte tё vështirё e madje tё pamundshme një luftë të re ndërmjet vendeve të Evropës. Si një i krishterë i bindur, Schuman ishte një politikan largpamës, për disa njё utopist i pashërueshëm dhe një vizionar i skajshëm.

Paqja botërore mund të mbrohet vetëm nëpërmjet përpjekjeve krijuese, në proporcion me rreziqet që e kërcënojnë atë. (nga deklarata e R. Schuman)”

Papa Françesku: të lutemi për unitetin e Evropës

Nuk mund të mos njohёsh e tё pranosh se në bazën e projektit të një Evrope të Bashkuar janё pikёrisht vlerat shpirtërore e kulturore që ushqehen nga Ungjilli si solidariteti, vëllazërimi ndёrmjet popujve dhe respekti për dinjitetin e njeriut. Papa Françesku kohët e fundit e kujtoi këtë në Meshën e kremtuar në Shёn Martё, nё Vatikan, më 22 prill, kur kërkoi t’i lutemi  Zotit për kontinentin e vjetёr me këto fjalë:

“Në këtë kohë, në të cilën është i nevojshëm uniteti i plotë ndërmjet nesh, të lutemi për Evropën, që Evropa t’ia dalë mbanesh të ketë atë unitet, atë vëllazërim, që e patën ëndërruar etërit themelues të Bashkimit Evropian”.

9 maj, rast për të rizbuluar projektin origjinal e vlerat e Evropës

Me rastin e festimit të këtij viti, institucionet e BE-sё kanё organizuar konferenca e veprimtari tё ndryshme on-line për të shprehur mirënjohjen e tyre ndaj shumë shtetasve që, me një frymë solidariteti, po e ndihmojnë Evropën për tё kaluar emergjencën e koronavirusit, qё ka prekur mёnyrё tё veçantë shumё vende tё Kontinentit tё Vjetёr. Konferencat episkopale dhe Kishat e ndryshme të krishtera të Evropёs rinovojnë apelet e tyre për të rizbuluar rrёnjёt dhe arsyet bazë tё BE-sё e për të ringjallur unitetin e Kontinentit.

Evropa nuk mund të ndërtohet menjëherë, dhe as nuk do të ndërtohet së bashku nga tё gjithё; ajo do të ndërtohet mbi arritjet konkrete që krijojnë së pari dhe mbi të gjitha një solidaritet de facto. (Robert Schuman)”.

Në ditёn kur Evropa kremton festёn e unitetit tё Kontinentit, duhet të thithë vlerat e trashëgimisë së saj të krishterë, në se dëshiron ta shikojë me besim e shpresë ardhmërinë. Këto vlera janë fryt i një historie të gjatë e të vështirë, në të cilën – askush nuk mund ta mohojë – Krishtërimi luajti një rol të dorës së parë. Dinjiteti i njëjtë për të gjithë njerëzit; liria fetare, si themel i të gjitha lirive të tjera civile; paqja, si element vendimtar për të mirën e përbashkët e akoma, zhvillimi njerëzor si thirrje hyjnore – janë elementet qëndrore të Zbulesës së krishterë, që vijojnë ta modelojnë qytetërimin evropian.

Kisha dëshiron ta shoqërojë ndërtimin e Bashkimit Evropian; ja pse merr guximin të kujtojë cilat janë vlerat themelore e kushtetuese të shoqërisë evropiane, posaçёrisht nё kohёn e karkaterizuar nga Covi-19 në mënyrë që të promovohen për të mirën e të gjithëve.

Rrjeti “Së bashku për Evropën”

Veçanërisht tё angazhuar në kёrkimin  e uniteti origjinal tё Evropës janё ata qё kanё aderuar nё projektin “Së bashku për Evropën”, një realitet ky qё ka lindur pikërisht më 31 tetor të vitit 1999, kur, me rastin e nënshkrimit të ” Deklaratës sё përbashkët për doktrinën e justifikimit a tё shfajësimit”, katolikë e ungjillorë protestantë udhëheqës tё organizatave të ndryshme u takuan në Qendrën ekumenike të Lëvizjes  sё Fokolarinve  në Ottmaring, në Gjermani, duke shprehur pastaj dëshirёn për të filluar një rrugëtim së bashku. Që atëherë, u pasuan takime dhe momente lutjesh me pjesëmarrjen e të krishterëve tё Kishave të tjera të Krishtera.

Për ditën e sotme janё promovuar shumë ngjarje nëpërmjet streaming  – on-line duke filluar nga ajo qё organizohet në Itali në orën 18.00, tё cilёn mund të ndiqet përmes lidhjes në faqen e internetit www.together4europe.org.