EUROSTAT: Vetëm 5% e azilkërkuesve shqiptarë u pranuan, të fundit në Europë

Edhe pse jemi të listuar në vendet me numër të lartë azilkërkuesish, vetëm 5% e vendimeve që merren nga shtetet anëtare janë pozitive. Eurostat ka publikuar sot të dhënat për azilkërkuesit që iu është siguruar mbrojtja në vitin 2017.

Në 2017-n, mbi 22 mijë shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga shtetet e BE-së, duke u renditur të shtatët pas azilkërkuesve që iu largohen konflikteve dhe luftës. Por sipas të dhënave të Bashkimit Europian, vetëm 5% e vendimeve mbi këto aplikime kanë qenë pozitive.

Shanset që azilkërkuesve shqiptarë t’iu sigurohet mbrojtja në një nga vendet anëtare janë të ulëta, duke qenë se Shqipëria është një vend që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe nuk është i përfshirë nga konfliktet.

Shkalla e pranimit ndryshon midis shtetësive

Shkalla e njohjes, pra pjesa e vendimeve pozitive në numrin e përgjithshëm të vendimeve, ishte 46% për vendimet e shkallës së parë në BE.

Rezultatet e vendimeve mbi aplikimet për azil ndryshojnë midis vendeve të shtetësisë së aplikantëve për azil.

Në mesin e njëzet shteteve kryesore të aplikantëve për azil, në të cilat vendimet u morën në shkallën e parë në vitin 2017, normat e njohjes në BE shkonin nga rreth 5% për qytetarët e shqiptarë në 94% për Sirinë dhe 92% për Eritrean (shih grafikun më poshtë).

Sigurimi i mbrojtjes nga BE

28 vendet anëtare të Bashkimit Europian siguruan mbrojtje për 538 mijë azilkërkues në 2017-n, me një rënie prej 25% krahasuar me 2016-n. Gjithashtu vendet anëtare pranuan rreth 24 mijë refugjatë të shpërngulur nga vendet e tjera.

Grupi që përfitoi mbështetje më të madhe nga BE-ja në 2017-n mbeten sirianët (175.8 mijë persona apo 33% e numrit total të personave që iu sigurua mbrojtje, të dytët ishin afganët me rreth 100.7 mijë refugjatë apo 19% e totalit dhe irakianët me 64 mijë apo 12% e totalit.

Numri i vendimeve pozitive për t’u garantuar azilkërkuesve sirianë mbrojtje në një nga shtetet e BE-së ka rënë në krahasim me një vit më parë (% e sirianëve që iu ishte garantuar mbrojtje ishte 54). Rreth 70% e tyre e përfituan mbrojtjen në Gjermani. Të dhënat janë publikuar nga EUROSTAT.

19 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)