Është vetë misioni i shenjt i nënës, eteri që skalit në çdo brazdë të këtij portreti atë që nuk do të mund ta rijetësonte asnjë përfytyrim

Nga Albert Vataj

Ky portret i përket një gruaje 78-vjeçare e quajtur Leze, nga Dajçi i Bregut të Bunës. Veshja dhe paraqitja e saj i përkasin traditës së grave zadrimore. Ky portret intrigues gruaje të moshuar, këto brazda të thellë, sy të strukut në zgavra, buzë të tkurrura, janë tipik të atyre grave, tek të cilat mosha, vitet, kacafytjet e ditëpasditëshme për të mbijetuar në një realitet të pamëshirshëm detyrues, impenjimesh prej nëne dhe bashkëshorteje në familje patriarkale, i kanë kthyer ata në ikona të shëmbëllimit të gruas, në emblem të zadrimores dhe grarisë së Bregut të Bunës.
Është vetë misioni i shenjt i nënës, eteri që skalit në çdo brazdë të këtij portreti atë që nuk do të mund ta rijetësonte asnjë përfytyrim, asnjë akt krijues, asnjë shpengim trilli. Sepse në këtë portret, në këtë përplasje të kohës dhe shpirtit, qëndron altari i vetmohimit, qëndron ajo pemë e moçme që struk në çdo pore atë që e shkuara i’a flijon harrimit. Gjithçka percepton në një vështrim të ngulmët të këtij portreti është mistikë e anatomisë, ai mister që vetë natyra rreket ta kungojë përmes aktit të transformimit, kalimit në atë gjëndje plotënie dhe përafrimi të atyre tipareve me vetë qenien, krijimin.
Sejcila prej tyre është një shëmbëllim i përafruar në miniature, i atij portreti, të cilin kisha fatin ta fokusoja gjatë një gazmimi familjar në Shkodër, në një seri fotosh, një prej të cilave po e publikoj.