Është ndarë nga jeta në moshën 48-vjeçare këngëtari, dhe veprimtari i jetës kulturore-artistike të Malësisë së Madhe, Arben Delaj

Është ndarë nga jeta në moshën 48-vjeçare, Arben Delaj. Ai do ti mungojë sot e përgjithmonë, skenës së këngës, gazmendeve familjare dhe aktiviteteve kulturore-artistike, do ti mungojë familjes, më të shtrenjtëve të tij, do ti mungojë të gjithëve atyre që do ta ndjejnë në shpirt këtë dhimbje që krijoi ikja e parakohshme e njeriut të mirë, e prindit tw dashur, e familjarit të përkushtuar, e këngëtarit të talentuar, e birit të Malësisë së Madhe, Arben Delaj.

Malësia e Madhe sot humbi një qytetar të nderuar dhe të respektuar, një veprimtar të përkushtuar dhe të apasionuar, humbi përgjithmonë atë që kishte marrë përgjegjësinë e brumosjes dhe ngjizjes te gjenerata e re, të vlerave dhe traditave tona të shkëlqyera.

Sipas informacioneve që qarkullojnë në lajmin e e ndarjes nga jeta të Arben Delaj, mësohet se ai ka ndërruar jetë si rezultat i një infarkti, pasi kishte dalë nga shtëpia. Arben Delaj së fundmi mbante detyrën e Përgjegjësit të Artit në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Malësinë e Madhe. Ai është vlerësuar si një nga këngëtarët më të spikatur jo vetëm në Malësi të Madhe, por edhe në të gjitha trevat e tjera Shqiptare dhe në diaspore. Këngëtari Arben Delaj lë pas 3 fëmijët e tij, bashkëshorten, të afërmit, por edhe të gjithë admiruesit e këngës se tij.

Gazeta “Zani i Malsisë”, shfrytëzon rastin ti përcjell familjes dhe të afërmve të të ndjerit, Arben Delaj ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e parakohshme të të dashurit të tyre. Ngushëllimet stafi ynë i përcjell të gjithë atyre që i lidhte, jeta dhe skena, veprimtaria kulturore-artistike me birin e Bajzës, me birin e Malësisë së Madhe, me atë i cili iku për t’i lënë kujtime të bukura dhe padyshim dhimbje dhe ndarje.