Energjia diellore- Enti Rregullator i Energjisë përcakton çmimin e blerjes nga shteti

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar çmimin 100 euro për megavat, me të cilat shteti është i detyruar të blejë energjinë e prodhuesve privatë, nga impiantet diellore me fuqi deri në 2 mega, bënë të ditur burime nga dikasteri i Energjisë.

Sipas vendimit të ERE-s, për energjinë e erës çmimi i blerjes është 76 euro për megavat dhe do të zbatohet për të gjitha parqet eolike me kapacitet deri në 3 megavatë.

Burime nga MEI shpjegojnë se, për shkak të klimës, në Shqipëri energjia diellore ka rendiment të lartë, ndaj kohet e fundit biznesi po rrit interesin për investime në prodhimin e energjisë nga parqet diellore dhe ato të erës.

Vetëm muajin e kaluar, në Ministrinë e Energjisë janë paraqitur 5 projekte për ndërtimin e impianteve fotovoltaike, të cilat prodhojnë energji nga dielli në zona të ndryshme të vendit. Të gjitha këto projekte do të shqyrtohen nga Ministria e Energjisë dhe, nëse rezulton se përmbushin kushtet ligjore, atëherë Ministria i miraton duke i hapur rrugë ndërtimit.

Për të gjitha parqet diellore nën 2 mega dhe ato të erës nën 3 mega, qeveria do të blejë energjinë me çmimet e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.

Vendimi i ERE-s për vitin 2017, çmimi për të gjithë kontraktuesit e ndërtimit të impianteve të jetë:

  1. a) për burimet e energjisë PV (Fotovoltaikët) në vlerën 100 Euro/MwH
  2. b) për burimet e energjisë nga era (Eolike) 76 Euro/MwH

Duke filluar nga viti 2018, për investimet në vijim, ERE, në bazë të grumbullimit të të dhënave, për sa u përket kostove reale të investimit, nëse rezultojnë të ndryshme nga parashikimet e VKM nr. 369 datë 26.4.2017, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli dhe era”, t’i propozojë MEI-t për përmirësimin dhe rishikimin e VKM.  Drejtoria Juridike dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit të njoftojë palët e interesuara për vendimin e Bordit të ERE-s.