Elvis Presley, “Mbreti i Rock and Roll-it” që nuk u shkurorëzua kurrë

Nga Albert Vataj

Erdhën dhe ikën me mijëra yje të muzikës, “vërbuan” me shkëlqimin e tyre mijëra shpërthime të pasionit dhe magjisë së muzikës, por ai ishte mbeti një mbret, zotërimet e të cilit kaplojnë kohërat. Ai konsiderohet si një ndër figurat kulturore të shekullit të 20, dhe njihet si “Mbreti i Rock and Roll-it” apo thjesht “Mbreti”. Elvis Presley ishte një ndër muzikantët më të njohur dhe më me ndikim të shekullit 20. Komercialisht i suksesshëm në shumë zhanre, duke përfshirë atë pop, blues dhe gospel. Solo ishte artisti më i kërkuar në historinë e muzikës me shitjet e regjistruara dhe të vlerësuara prej rreth 600 milion kopjeve në gjithë botën. Ai fitoi 3 çmime Grammy, dhe po ashtu  dhe çmimin “Grammy Lifetime Achievement Award”. Në moshën 36-vjeçare, ka hyrë në sallat e shumta muzikore të famës. Ai lindi për të mbetur në memorien e muzikdashëve dhe jo vetëm, një legjendë. Një ikonë e muzikës, aktrimit dhe e modës. Një kumt i hireve dhe sharmit mashkullor, cilësi që vetëm e yshti për më lart yllin e tij. Elvis Presley kumtoi shëmbëllimin e një gjenerate. Krejtçfarë sendërton kreshtën e tij artistike është ngulm i një personaliteti, i forcës shpërthyese të energjive krijuese të një individi dhe njherash të një brezi, të cili ai i përkiste. Bota e viteve 60-70 do ta kurorëzonte atë mbret dhe idhull. Me të hedh hapin e parë një botëkuptim i ndryshtë për artin. Etja për të bukurën në një botë aspak të qetë, do të mbijetonte duke hedhur kësisoj ato themele mbi të cilat u hodhën muret dhe bedenave që lartojnë të tashmen e botës së muzikës. Elvis Presley lindi më 8 janar 1935 në Tupelo, Misisipi, SHBA. Vëllai i tij binjak, vdiq gjatë lindjes, duke e lënë Elvisin fëmijë të vetëm. Në vitin 1954, Elvis, 19 vjeç, filloi karrierën si këngëtar. Në fund të vitit 1955, ai ishte bërë i famshëm në mbarë botën. Elvis luajti në 33 filma të suksesshëm. Ai ka shitur mbi një miliardë disqe muzikore, ndoshta më shumë se çdo artist tjetër. Vitet e abuzimit me drogës dhe recetat e përkeqësuan seriozisht shëndetin e tij deri në mbrëmjen e 16 gushtit të vitit 1977 kur ai u shua në pronën e tij Graceland në moshën 42-vjeçare.