Elton Çaushi, njeriu që koleksionon historinë e komunizmit në Shqipëri

Të udhëtosh do të thotë të koleksionosh kujtime.

Elton Çaushi është siguruar që kujtimet e panumërta nëpër Shqipëri t’i ruajë në formë fizike.

Prej vitesh guidë për turistët e huaj në vendin tonë, ai vendosi që me koleksionin e tij të kujtimeve të krijonte një zyrë muze për të ofruar prej aty përvojën e parë autentike shqiptare.

Tashmë qindra objekte që rrëfejnë historitë tipike të jetës në thuajse në çdo qytet të vendit janë të ekspozuara brenda ndërtesës historike ku dikur jetonte një prej familjeve më të rëndësishme të Tiranës.

Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan, Elton Çaushi tregoi se objektet që ai ka koleksionuar i përkasin periudhës së komunizmit dhe shumica e tyre mbartin histori.

“Ne e kemi filluar historinë tonë këtu para 10 vitesh, kemi patur një ndërtesë që i përket 1927-ës, e  familjes Kashari. Është familje me shumë traditë dhe histori, kanë qenë familje botuesish përpara Luftës së Dytë Botërore. Objektet që unë kam mbledhur i takojnë periudhës së komunizmit. Kur unë i mblidhja më dukej sikur po bëja një gjë shumë të veçantë, por tashmë kjo është modë.

Shumica prej objekteve kanë histori. Jam përpjekur të shpëtoj objekte të ndryshme nga shkatërrimi. Njerëzit kanë interes të jashtëzakonshëm lidhur me periudhën e stalinizmit, dramatike dhe tragjike për ne, por që sot për fat të mirë ne kemi në dorë ta konvertojmë në një atraksion turistik”, tha Çaushi./tvklan

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/njeriu-qe-koleksionon-historine-e-komunizmit-ne-shqiperi-629694/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright