Ekspozitë me kopje të kryeveprave të Mikelanxhelos. Pas Nju Jork-ut, Rilindasi i Artë do të shkojnë në Los Angelesin, Sacramenton, Seattle-in, Chicagon, Annapolisin dhe San Diegon

Një ekspozitë në Nju Jork u jep mundësinë vizitorëve të admirojnë kryeveprat e Mikelanxhelos nga po aq afër sa vetë mjeshtri fiorentin, kur punonte me to në fillim të shekullit të 16-të. Afërsisht 34 rikrijime të veprave të tij më të mira, që i përkasin Kapelës Sistine dhe Vatikanit, janë në dispozicion të publikut në në qendrën artistike Oculus, në kompleksin Westfiled në Manhatan, brenda Qendrës Botërore të Tregëtisë.

 “Gjykimi i fundit” është ndër afreskot më të njohura në Vatikan. Ai mbulon gjithë altarin e Kapelës Sistine dhe u deshën plot katër vjetë që të përfundonte. Vepra origjinale është mbresëlënëse, por një vizitor rrallë ka kohë dhe mundësi të admirojë çdonjërën nga 300 figurat fetare të afreskut. Por ekspozita në galerinë Oculus të Nju Jorkut ua mundëson adhuruesëve të artit këtë dhe shumë më tepër.

“Nuk ka shumë njerëz. Rojat e sigurisë s’të bërtasin dhe mund të kalosh sa kohë të duash për të parë veprën. Në vend që ta shikosh gjithë tavanin si një punim kompleks, mund të përqendrohesh me nge te të gjitha motivet dhe detajet e tij.”

Rikrijimet bazohen në fotografitë e Kapelës Sistine të austriakut Erich Lessing. Ato u stampuan në cohë në Gjermani dhe një kompani në Brooklyn organizoi ngritjen e ekspozitës. Producenti Scott Sanders drejton ekipin e kompanisë Westfield, që menaxhon qendrën e arteve Oculus. Ai thotë se ekspozita u lejon vizitorëve të përjetojnë thellësisht artin e Mikelanxhelos në një vend bashkëkohor.

“Kjo është një ekspozitë unike sepse po u japim njerëzve mundësinë të shikojnë Kapelën Sistine të Mikelanxhelos nga afër. Kur shkon në Vatikan apo në Kapelën Sistine në Romë, kjo kryevepër është në tavan dhe e kalon përciptazi; nuk të lejohet as të bësh foto.”

Në këtë ekspozitë ka edhe afreske të tjera të famshme, si Krijimi i Adamit, Përjashtimi nga Kopshti i Edenit dhe piktura të profetëve të ndryshëm. Vizitorët mund t’u afrohen veprave nga po aq afër sa vetë artisti kur i punoi.

“Falë kësaj ekspozite, njerëzit mund të vlerësojnë vërtet stilin madhështor të Mikelanxhelos, i cili me artin e tij lartësonte figura të ndryshme, përfshirë gratë. Në veprën e këtij artisti shikojmë gra dhe burra të fortë, protagonistë aktesh heroike.”

Ekspozita, e cila u çel të premten, do të qëndrojë hapur për mëse një muaj. Më pas, ajo do të zhvendoset në qytete të tjera amerikane, përfshirë Los Angelesin, Sacramenton, Seattle-in, Chicagon, Annapolisin dhe San Diegon. VOA