Edith Durham, më tepër se sa një shqiptare, një grua e jashtëzakonshme dhe me zemër të madhe

Në dimrin e vitit 1903-1904, për pesë muaj radhazi, me cilësinë e misionares bamirëse të Mbretërisë së Anglisë në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni, por edhe thjesht si vizitore e apasinuar për “Ballkanin e trazuar”, shkeli, vëzhgoi dhe analizoi problemet mjaft të komplikuara në trojet e ballkanasve. Njëherësh, me çka ajo mundi, ndihmoi për t’i vënë ato në rrugën e zgjidhjes duke i bërë prezente në kancelaritë më të fuqishme të Evropës Perëndimore.
Përmes territoreve austriake do të zinte fill udhëtimi i vështirë, por njëherësh edhe mbresëlënës i miss Durhamit. Nxitimthi kaloi përmes Hungarisë dhe, më 23 dhjetor 1903 do të prekte kufijtë e Serbisë. Por misioni i ngarkuar e kërkonte sa më shpejt të ishte e mundur në Malin e Zi “të pamposhtur” dhe në Maqedoni, ku edhe lypja e lëmoshës përbënte një fenomen masiv, të rëndomtë dhe keqardhës. Gjithsesi, “Thirrja e Shqipeve” e grishi, që për më shumë se tre muaj të endej në tokën e ilirëve, gjithëherët ndjerë më mirë se kudo në kombet e Ballkanit, të cilët ajo i kishte vizituar dhe i njihte mirë. Duke qenë prej natyre një vëzhguese e mprehtë, por edhe vetë fakti që shqiptarët u treguan plotësisht të çiltër dhe zemërgjerë, ajo mundi të evidentojë si rrallëkush tjetër, cilësitë e pasura dhe të vyera të karakterit shqiptar, zakonet dhe doket e tij, mënyrën e jetesës dhe të veshjes, shpirtin e tij prej artisti, mënyrën e të ushqyerit dhe dëshirën për të jetuar e punuar në mjedise sa më të pastra. Vetëm një Grua e Madhe, me shpirt të gjerë, me aftësi të veçantë për të komunikuar edhe me banorët e zonave më të izoluara, me aftësi të rralla vëzhguese dhe përshkruese, me mundësi potenciale të shumta për të vendosur lidhje, për të bërë krahasime dhe për të arritur në difinicione, të cilat i kanë rezistuar kohës, mund të bënte atë që bëri Edith Durhami për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Si askush tjetër evidenton dhe nënvizon vlerat politike, morale dhe psikologjike të vendit dhe të popullit shqiptar. Ajo me kurajo e guxim, por sidomos me argumente bindëse pohon se, “Vendi i shqipeve” i ka dhënë njerëzimit personalitete të spikatura në fushën intelektuale, të administrimit shtetar, të komandimit dhe mendimit ushtarak, të klerit, të artit, dhe të tjera si këto. Ajo pohon se, vërtet që Aleksandri i Madh, si Burrë Shteti, qe një maqedonas, por e ëma e tij, Olimpia, qe në fakt një princeshë e Epirit, çka edhe do të thotë që: “… Aleksandri padyshim qe shqiptar”. Edhe Pirrua, një nga mbretërit më në zë të Epirit, i përket tërësisht shqiptarëve dhe mbetet për ata “Mbret i Madh, i cili mundi grekët dhe gjithë të tjerët”. Dioklesjani dhe Kostandini i Madh, padyshim ndër më të famshmit, “… qenë prej gjaku ilirian”, ashtu si Krispi, kryeministri i Italisë, “… ishte me prejardhje shqiptare”. Po ashtu Mehmet Aliu mundi të bëhej sundimtar i Egjiptit, dhe me fuqinë e tij kërcënonte hera-herës “… se do të shkurtonte vazhdimisht fuqinë e sulltanit”. Këto janë disa nga figurat më të shqura në morinë e figurave të kësaj periudhe. Më vonë “Vendi i shqipeve” do të nxjerrë figura të tjera të shquara të përmasave ballkanike dhe europiane, dhe ndonjëri prej atyre, sikurse është Skënderbeu, do të zërë vend me meritë në historinë botërore. Kështu Mikel Ëngjëll Komneni, në fillim të shekullit XIII, u vendos në krye të popullit të Shqipërisë së Jugut, themeloi shtetin e madh, të cilin e quajti “Dhespotati i Epiri”, i cili përfshinte nën administrim Epirin, Thesalinë, krahinën e Ohrit dhe një pjesë të Shqipërisë së Veriut. Ndër princët e dëgjuar mbetet edhe Gjergj Balsha, i cili sundonte Malin e Zi dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, “Kryeqyteti i të cilit ishte Shkodra”. Lekë dhe Pal Dukagjini mbetën gjithmonë të pavarur në territorin midis Drinit dhe detit, ashtu sikurse jo më pak të dëgjuar mbeten Topiasit, Shpatajt, Muzakët dhe Dushmanajt, secili në territorin ku banonte komuniteti i fisit të tyre. Për Edith Durhamin, Skënderbeu përbën Burrin e Madh të Shqipërisë, dhe sukseset e tij janë “fenomenale”, sepse “… deri sa rrojti Ai, Shqipëria qe e papushtueshme”, gjë që nuk ndodhi me popujt e tjerë të trevave të Ballklanit dhe më gjerë. Skënderbeu do të pasohej nga prijës të mëdhenj në veri e në jugë. Kështu ndërsa në veri bënë emër të mirë Bushatllinjtë, në jugë Sklenderbeu do të pasohej nga “i patundëshmi” Ali Pasha, “Kryezoti i Shqipërisë së Jugut, Luani i Janinës, madhështor, ngadhnjimtar, i egër, gjakatar, sundimi i të cilit arriti deri në Ohër.” Në fushën e klerit, Durhami do të veçojë Abatin e Mirditës, i cili me meritë të veçantë mbetet një ndër personalitetet më të fortë të Lindjes së Afërt. Në këtë mënyrë Edith Durhami i bën një shërbim me mjaft vlerë çështjes shqiptare, kur ajo evidenton se, popullsia shqiptare si pasardhëse e drejtpërdrejtë e ilirëve, zotëron potencial të konsiderueshëm intelektual, i cili duhet evidentuar dhe vënë në efiçiencë. Edith Durhami, quke ngërthyer dije të thella kontemporane, por edhe duke zotëruar dije të gjera si etnografe dhe aftësi të rralla si folkloriste, shkrimtare dhe filozofe, njëherësh kompetente dhe e apasionuar me shpirt krijuesi dhe vullnet të admirueshëm, me aftësi të rralla përshkruese dhe konkluduese, evidenton cilësitë e rralla të formimit shpirtëror dhe psikologjik të popullit shqiptar. Në ndryshim me banorët e tjerë të trevës së Ballkanit, veçanërisht me malazestë dhe maqedonasit, shqiptarët ajo i veçon për cilësinë e besës, të qëndrimit me çdo kusht dhe në çdo rrethanë në fjalë, por edhe si njerëz, të cilët cilësinë e nderit e vlerësojnë dhe e çmojnë si diçka të shenjtë dhe të paprekëshme.
Disa herë Durhami jep shembuj bindës se, shqiptarët janë besnikë. Për atë shoqëruesit e saj në rrugëkalimet e vështira dhe me plot rreziqe, në të gjitha rastet ishin shqiptarë, të cilët ajo i epiteton, sa me ndjenjë aqë edhe me sinqeritet, “…ëngjëjt e mi”, sepse ata përkujdeseshin aqë shumë për atë, sa edhe rrinin pa gjumë dhe mbanin ndezur zjarrin, apo i piqnin kafe “Zonjës së Artë”, që ajo në asnjë mënyrë të mos cënohej nga sëmundjet e ndryshme. Cilësia spikatëse e besës tek shqiptarët, ka imponuar edhe sulltanët e Turqisë, që shumicën e Trupërojes Personale ta kenë shqiptarë, ashtu sikurse po shqiptarë ishin edhe rojet në Institucionet e Administratës Shtetërore të Turqisë. Shqiptarët, që shërbenin si përkëthyes apo shoqërues, ishin aqë të dashur dhe besnikë me Edith Durhamin, sa që ata bënin gjithëçka të mundëshme, që Ajo të ndihej e qetë, ashtu sikurse kur ndaheshin me atë, i jepnin asaj “njëqind urime”, dhe lusnin shpirtërisht me dorë në zemër, sipas zakonit të tyre, që Atë të mos e gjente asgjë e keqe. Përgjatë udhëtimit: Shkodër-Mirditë, “Princesha Plakë dhe bija e saj Davidica” të Mirditës, jo vetëm që e pritën me përzemërsinë më të madhe, por edhe i dhanë për shoqëruesë nga njerëzit më të besuar dhe me më shumë përvojë në shërbime të tilla, ashtu sikurse edhe e këshilluan, që të kërkonte ndihmën e Abatit të Mirditës, një njeri i mençur dhe krejt fisnik ky. Nga kontaktet e shumta me shqiptarët në të gjitha trevat e banuara prej tyre, me të drejtë dhe pa asnjë dyshim, Durhami konkludon se shqiptarët “… jetojnë në kondita gjaku ose bese. Kur japin besën kurrë nuk e thyejnë atë”, konkludon përfundimisht dhe e bindur plotësisht Edith Durhami. Tek shqiptarët Durhami evidenton dhe pohon me krenari e kënaqësi, sikur të ishte vetë shqiptare, komponentë të tillë të karakterit dhe të sjelljes si, respekti për të huajtë, si një cilësi e karakterit dominuese kjo; etja për liri dhe për të mbrojtur me çdo kusht dhe sakrificë trojet etnike, mbetet një dëshirë e pathyeshme e tyre dhe e papërsëritshme tek popujt fqinjë; mikpritja, mirësjellja, dhembshuria dhe besimi tek të huajtë, mbetet gjithmonë në shkallën sipërore; shpirti prej artisti, ndjenja e së bukurës, respektimi i normave morale, rezultojnë komponente të shtrenjta e të shenjta për të gjitha kohërat; dëshira për të jetuar në mënyrë të kulturuar dhe përdorimi i vlerave materiale me nikoqirllëk, e mjaft të tjera si këto, mbeten cilësi dalluese tek shqiptarët. Është edhe kjo arësyeja që ndoshta, Durhami, kur u largua nga viset shqiptare, u ndje e përmalluar, por edhe e dëshëruar, që të kthehej përsëri në gjirin e këtyre njerëzve shpirtgjerë, zemërmirë, besnikë dhe artistë. Edith Durhami (1863-1944 SR) për kontributin që ka dhënë në interes të popullsisë së trevës ballkanike, si misionare apo si studjuese, apo edhe si vizitore e apasionuar, nga korpusi i intelektualëve edhe më tutje se ballkanasit, është epitetuar “Mbretëresha e Maleve”. Natyrisht që ky përbën një vlerësim të rrallë, por edhe krejt i merituar. Megjithatë, personalisht rezervoj mendimin se, populli shqiptar i ka bërë asaj një vlerësim më të ndjerë e më të çmuarse se sa ky. Kështu në zonën e Prespës atë e thërrisnin krejt me dashamirësi “Motra e Artë “, duke i çmuar dhe krahasuar cilësitë e saj të karakterit si dhe ndihmesën e shenjtë që jepte me cilësitë fizike të këtij metali të rrallë dhe të çmueshëm. Në krahinën e Ohrit banorët do ta quanin përmes frazeologjizmës “Motra e Tyre e Artë”, ndërsa në Përmet do ta epitetonin me ofiqin e lartë të huajtur nga turqishtja “Zonjë efendie”. Në Korçë, në Vlorë dhe në Elbasan do ta thërrisin “Bija e shpirtit”, duke e veshur kështu me elementë mistikë të formimit psikologjik të popullit shqiptar… Këto cilësime dhe epitetime, por edhe mjaft të tjera si këto, Edith Durhami i meritonte plotësisht, sepse është Gruaja e Rrallë, e cila, para një shekulli, mori në sy rreziqet që mund të shkaktonte udhëtimi në një territor ku mungonte tërësisht shteti, dhe për rrjedhojë edhe rendi dhe qetësia publike, dhe ku sëmundjet ngjitëse epidemike, si dhe varfëria ishin fenomen i kudogjendur. Shtëpia Botuese “Argeta LMG”, duke marrë përsipër botimin e veprës së plotë të Edith Durhamit, nderon këtë Grua të Madhe, por njëherësh i rrit vlerat edhe vetvetes, sepse evidenton një misionare apo studjuese angleze, e cila jo vetëm deklarohet por edhe shfaqet më shumë se sa një shqiptare e denjë. Ky libër i bën nder bibliotekës së çdo ballkanasi, dhe në veçanti të çdo shqiptari. Etnografët, demografët, studjuesit e fushës së administrimit shtetëror, psikologët e sociologët, shkrimtarët dhe analistët, dhe mjaft të tjerë nga fusha të ndryshme studimi, do të gjejnë tek kjo vepër të dhëna me vlera të veçanta, të cilat edhe pse të evidentuara dhe sistemuara para një shekulli, ruajnë me freski të admirueshme aktualitetin. Përmes pikturave origjinale, etnografët dhe kostumografët mund të gjejnë shumëllojshmërinë e veshjeve në treva të ndryshme të Shqipërisë para një shekulli. Në vepër jepen të dhëna të plota jo vetëm demografike, por edhe për ndarjen administrative dhe territoriale. Kështu mësojmë se, qytetet më të mëdhenj të kohës janë Shkodra, Korça, Elbasani, Berati; ndërkohë që Tirana dhe Vlora rezultojnë respektivisht me nga 12 dhe 5 mijë banorë. Durrësi e Kruja kishin respektivisht nga 1000 dhe 700 shtëpi, ndërsa Fieri nuk ishte veçse një fshat i madh. Midis qëndrave të prefekturave dhe nënprefekturave kishte ndërlidhje telegrafonike, ashtu sikurse në qëndrat administrative funksiononte sistemi i ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, por edhe të personaliteteve drejtuese shtetare apo klerikale. Studjuesit e fushës juridike dhe punonjësit socialë mund të gjejnë në këtë vepër modelin më të plotë dhe më të saktë të evidentimit dhe të klasifikimit të veprimit të ligjit, por edhe të kanunit, të forcës së zakonit dhe dokeve në rregullimin e marrëdhënieve midis grupimeve të ndryshme të shoqërisë, dhe mjaft të tjera si këto. Pra, vepra “Brenga e ballkanasve” përbën në fakt një pasqyrë të plotë të mënyrës së jetesës dhe të organizimit të veprimtarisë së Shqipërisë para një shekulli, prandaj edhe mbetet vepër me përmasa të gjera dhe mjaft tërheqëse gjatë leximit.