EDHE 5 DITE NGA DITA E ZGJEDHJEVE/ KQZ njofton se ka filluar procesi i shpërndarjes së bazës materiale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të martën se ka filluar procesi i shpërndarjes së bazës materiale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ky proces po kryhet nga administrata e KQZ-së në bashkëpunim me Zyrat Rajonale Zgjedhore dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja Drilona Hoxhaj tha se në funksion të mbarëvajtjes së procesit, KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ngritjen e infrastruktures zgjedhore.

Me mbërritjen e fletëve të votimit të shtunën pranë ambienteve të KQZ-së në Lundër, Komisioni punoi intensivisht për të përgatitur të gjithë bazën materiale logjistike zgjedhore si; kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore, fletët e votimit, vulat që do të përdoren nga Komisionet e Qendrave të votimit, vulat me kodet e sigurisë, e të tjerë.

Materialet logjistike zgjedhore, sot po shpërndahen në KZAZ-të e qarkut Kukës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Dibër, Shkodër, Berat dhe Fier. Ndërkohë, që të mërkurën do të vijojë shpërndarja e tyre në KZAZ-të e qarkut Lezhë, Elbasan, Durrës dhe Tiranë.

Në këto fazë të procesit, është e domosdoshme që të gjithë anëtarët e 90 Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të jenë në gatishmëri në KZAZ-të përkatëse, për pritjen e bazës materiale zgjedhore e cila do të përdoret ditën e votimit dhe gjatë procesit të numërimit të votave./ATA/