E vërteta e Mehmet Shehut gjatë udhëtimit për në Nju Jork me transoqeanikun britanik

.Ngjarja se Mehmet Shehu kishte udhëtuar në të njëjtin vapor me Titon, të birin e Uinston Çërçillit dhe Fulcin, u hap në mënyrë të befasiishme në vitin 1981. Jo vetëm kaq, por ai, në kundërshtim me vijën e atëhershme të Partisë së tij dhe të Enver Hoxhës, ka bërë disa takime tepër misterioze me ata të cilët Shqipëria i njihte si armiq të betuar të saj. Gjithë ky alarm është dhënë nga vetë Enver Hoxha, pikërisht në vitin 1981, kohë kjo kur Kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë vrau veten dhe u shpall nga bashkëpunëtori i tij i disa dekadave “Armik i Partisë dhe i popullit”. Kaq mjaftonte që ai lajm të merrte dhenë me një sensacion të paparë. Në të shumtën, si zakonisht në të tilla raste, çdo gjë që thuhej u besua absolutisht, gjë që shërbeu për një akuzë më shumë për Kryeministrin e hekurt. Por cila është e vërteta e padiskutueshme e atyre ditëve të qershorit të vitit 1960, kur Mehmet Shehu ka udhëtuar për në Nju Jork me transoqeanikun e Mbretërisë së Anglisë?

Zoti Agim, ju keni përkthyer Mehmet Shehun në vitin 1960 në Asamblenë e OKB-së. Si nisi historia e shumëpërfolur e atij udhëtimi enigmatik?
Ka qenë qershori i vitit 1960. Në selinë e OKB-së në Nju York do të zhvillohej Asambleja e rëndësishme e saj, ku shtetet anëtare do të merrnin pjesë në rang kryetarë shtetesh apo kryeministrash. Nga Shqipëria u vendos që delegacionin ta kryesonte Mehmet Shehu. Mehmeti mori një vendim, që në Asamble të fliste rusisht dhe jo anglisht, pavarësisht se këtë e njihte mirë. Mësoj se si përkthyes ai do të më merrte mua. Në atë kohë unë punoja në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, pikërisht në grupin që ishte ngritur për luftën kundër revizionizmit modern, i cili varej nga Ramiz Alia. Kështu, u nisëm për rrugën e gjatë, e cila deri në Nju York do të zgjaste më shumë se një javë. Që në Tiranë u vendos që delegacioni ynë të mos udhëtonte me vaporin sovjetik “Balltika”, me të cilin do udhëtonin të gjitha delegacionet e vendeve të bllokut sovjetik, por të shkonte me transoqeanikun anglez dhe tepër modern “Kuin Elisabet” (Mbretëresha Elisabet). Në atë vapor hipëm në portin verior të Francës, pikërisht në atë të Sherburgut. Që në port mësuam se po me atë vapor do të udhëtonte edhe vetë Marshalli Tito, i cili, ashtu si dhe ne, po shkonte në Aasamblenë e OKB-së në Nju York.

Sa persona ishit gjithsej në atë delegacion?
Të gjithë bëheshim 8-9 veta. Siç thashë, ai delegacion kryesohej nga kryeministri Mehmet Shehu. Merrte pjesë dhe ministri i Jashtëm, Behar Shtylla.

Ju organizuan pritje në vapor, meqenëse ishit delegacion i nivelit të lartë?
Atje nuk mund të flitej për një pritje kortezie, pasi ishte thjesht një mjet udhëtimi, pavarësisht se ishte një mjet gjigant lundrimi, madje në atë kohë ishte vapori më i madh në botë për pasagjerë, i cili përfaqësonte mbretërinë e Anglisë. Me sa më kujtohet, duhet të ketë qenë rreth 84 mijë tonë, ndërkohë që kishte veç 1500 pasagjerëve edhe 1500 veta personel shërbimi. Atje na ishin rezervuar bileta të klasit të parë.

Çfarë mund të thoni në lidhje me akuzat për Mehmet Shehun, të bëra nga Enver Hoxha, se gjoja në atë udhëtim paska bërë takime me Fulcin, Titon e Randolf Çërçillin, që konsideroheshin armiq të Shqipërisë?
Mehmet Shehu me Behar Shtyllën ishin vendour në një kabinë të veçantë, ndërsa ne të tjerët në kabina të tjera. Vetëm në portin ku hipëm mësuam se po në atë vapor ndodhej dhe Titoja me delegacionin e vet, që do të shkonin në po atë mbledhje të Asamblesë së OKB-së. Gjithashtu në vapor mësuam se aty ndodhej edhe Randolf Çërçilli, i biri i Uinston Çërçillit. Këtu ka një koinçidencë domethënëse, që pikërisht i biri i Çërçillit, i cili ndodhej për udhëtim në atë Vapor, gjatë luftës kishte qenë përfaqësues anglez pranë shtabit të Titos në Jugosllavi. Ndërkohë, morëm vesh se Titoja ishte i ftuar i mbretëreshës së Anglisë në vapor.

Çdo të thotë kjo?
Duke qenë se shoqëria detare “Kunard” mbështetej nga shteti anglez, vapori përfaqësonte në të njëjtën mënyrë mbretëreshën e Anglisë. Shumë figura të larta të shteteve, kur udhëtonin me të, sipas preferencave të mbretërisë, konsideroheshin të ftuar të veçantë në vapor.

Ju kishit pasur rast t’i shikonit?
Titoja rrinte në një kabinë të cilën nuk e di ku e kishte, pasi ajo ishte një hyrje e plotë në kat tjetër dhe as kishte lidhje me katin ku ishim vendosur ne. Ne e shikonim vetëm në drekë, kur ai shkonte në restorantin e pasagjerëve të klasit të parë dhe bashkë me suitën e tij hante në tavolinën kryesore të tij, që mbahej e rezervuar posaçërisht për të. Madje, kur kalonim ne Shqiptarët njerëzit e shërbimit të tij në survejonin me një vëmendje të veçantë, për efekt sigurie për Marshallin. Herë tjetër nuk kishim mundur ta shikonim asnjë herë. Mbaj mend që me të në tavolinë, veç të tjerëve, ishte edhe Josip Gjergjia, i cili kishte qenë ambasador në Shqipëri para prishjes së marrëdhënieve të dy vendeve tona. Ndërsa Mehmet Shehut dhe Behar Shtyllës, me dëshirën e tyre, u shërbehej në kabinë.

Lëvizte Mehmet Shehu nëpër vapor?
Patjetër që lëvizte, madje bënte edhe qyfyre. P.sh. në një rast ai, duke bërë shëtitje në kuvertë, i shoqëruar nga të gjithë ne, duke qeshur me të madhe tha: “Këtu jam më i siguruar se kurrë, pasi nuk ia vlen që të mbytësh të gjithë këtë vapor kaq gjigant dhe modern për të eleminuar Mehmet Shehun. Pastaj, këtu kemi dhe Titon, kështu që garancia bëhet shumë herë më e lartë”. Kuptohej që ato ishin shenja të holla ironie për udhëheqësin jugosllav. Por unë do të theksoja me forcë, ndryshe nga sa është thënë për vite të tëra, se ai nuk ka lëvizur asnjë herë vetëm dhe as është shmangur në asnjë rast nga ekipi i tij që e shoqëronte, pra nga ne.

Thatë se ishte edhe djali i Çërçillit?
Po ishte. E shikonim që lëvizte korridoreve dhe kuvertës. Thonin nëpër vapor që ishte Randolf Çërçili, pikërisht i biri i Uiston Çërçillit. Ai ishte rreth të 60-tave. Zyrtarisht ai paraqitej si gazetar.

Është e vërtetë se Mehmet Shehu ka takuar kënd nga personalitetet e atij udhëtimi?
Absolutisht jo. I biri i Çërçillit kishte kërkuar takim me të, me pretekstin e një interviste që dëshironte t’i bënte, por atij iu refuzua takimi. Në këtë rast kam qenë vetë dëshmimtar, kur Behar Shtylla, i ngarkuar nga Mehmeti, e mori në telefon dhe i ktheu përgjigje negative se kryeministri nuk kishte kohë që ta takonte. Pas kësaj ai që nga matanë receptorit e përplasi atë me nervozizëm. Dhe kaq.

Jeni i bindur që Mehmeti nuk ka lëvizur dhe jashtë syve tuaj?
Këtë e them me plot gojën, që ai absolutisht nuk është shmangur nga syrë tanë në asnjë rast. Dilte nga kabina dhe rrinim së bashku në kuvertë, duke shëtitur. E pëcillnim deri te kabina e tij dhe ne rrinim po në ato ambiente. Më mbrapa mora vesh, madje mes akuzave që dëgjova t’i bëheshin Mehmetit, se pikërisht në atë vapor kishte qenë dhe Fultzi. Por ne nuk e pamë në asnjë rast dhe nuk jam i bindur nëse ka qenë me të vërtetë. Unë di saktësisht se pesë ditë e pesë net, sa ndenjëm në atë vapor, nuk është bërë asnjë takim nga ana e Kryeministrit, me askënd. Unë këtë e them me shumë garanci, për vetë faktin se kam qenë prezent në atë udhëtim. Në Nju York pastaj na pritën me ceremoni, madje na shoqëronin me polici, ashtu siç vepronin me të gjitha delegacionet e shteteve komuniste, për të krijuar idenë se pikërisht ne ishim tepër të rrezikuar. Aty merrnin pjesë delegacionet e mbi 100 shteteve, të përfaqësuar nga kryetarët e tyre apo kryeministrat, siç ishte Titoja, Hrushovi, Kastro, që foli tepër shkurt, veç 4-5 orë etj.

Ju keni përkthyer dhe Enver Hoxhën në mbledhjen e 81 Partive në Moskë? Çfarë mund të kujtoni nga ato momente?
Në Moskë kemi arritur rreth datës 4 nëntor, se ishte llogaritur që delegacionet të merrnin pjesë në festimet e 7 Nëntorit. Delegacioni i PPSh-së përbëhej vetëm nga katër vetë: Enveri, Hysniu, Mehmeti dhe Ramizi. Ishte edhe ekipi i këshilltarëve, i përkthyesve dhe i personelit tjetër të shërbimit. Unë isha në grupin e punës, ku merrte pjesë dhe Foto Çami, Frederik Gjerazi, i cili ishte përkthyesi kryesor i delegacionit, Myfit Mushi, Haxhi Kroi etj. Ne konkretisht do të merreshim me materialet që do të duheshin në moment, si dhe me përkthime të ndryshme. Aty delegacioni ynë u vendos në një vilë të posaçme në kodrat “Lenin”, ndërsa ne shkuam në ambasadë. Por kjo gjë nuk zgjati shumë, se shpejt u acaruan tej mase marrëdhëniet mes Enverit dhe Hrushovit dhe delegacioni, për efekt siguri,e erdhi në ambasadë. Madje, aty Enveri në një rast, kur ne kishim hapur materialet, na e bëri me shenjë që t’i mbulonim se kishte kamera të fshehta dhe përgjues deri në tavan. Kur filloi mbledhja, jo pa qëllim delegacioni shqiptar u vendos ngjitur me podiumin ku flisnin diskutantët, të cilët tundnin gishtin mbi kokën e Enverit sa herë që kritikonin. Sulmet kundër delegacionit tonë u ashpërsuan së tepërmi pas fjalës së Enverit, të mbajtur në datën 16 nëntor, kur kinezët kishin folur në datën 13. Unë isha në kabinën e përkthimit në fund të sallës, bashkë me Frederik Gjerazin, në momentin që fliste Enver hoxha, pasi lexonim në rusisht materialin e tij, të cilin e kishim parapërgatitur më shpejt. Që andej ndiqja reagimin e sallës, sidomos lëvizjet ironike të Hrushovit ndërsa fliste Enveri. Pas fjalës së tij gjithçka që ka ndodhur në atë sallë e kemi ndjekur të ulur mbrapa delegacionit tonë. Kur ndiqja atë që ndodhte në sallë, shumë herë vendoseshim në situata të vështira, nga sa dëgjonim mbi akuzat që i bëheshin delegacionit shqiptar dhe vetë Enver Hoxhës, si dhe nga gjestet ironizuese të Hrushovit.

Ju e përkthyet në rusisht materialin?
Në kabinë unë kam qenë bashkë me Frederik Gjerazin. Aty pjesën më të madhe të materialit e ka lexuar në rusisht (ishte i parapërkthyer) Frederiku, ndërsa një pjesë e lexova unë. Ne e përkthenim nga shqipja në rusisht fjalimin që mbajti Enveri, ndërsa të tjerët në kabinat e tyre e përkthenin nga rusishtja në anglisht, frëngjisht e spanjisht. Nga kabinat (prej xhami) ku ishim vendosur kishim mundësi të ndiqnim me sy çfarë ndodhte në sallë. Pas fjalës së Enverit, kur u ulëm në karriget tona pranë delegacionit, kishim mundësi më mirë të përjetonim gjithë atë histori që po ndodhte aty. Ndër ata që folën veçanërisht ashpër kundër PPSh-së, pas fjalës së Enver Hoxhës të datës 16 nëntor, ishin kryetarja e delegazionit të PK të Spanjës, Dolores Ibarruri, me pseudonimin “Pasionarja” dhe Vladaslov Gomulka i PK të Polonisë, i cili e cilësoi fjalimin e Enver Hoxhës një fjalim rrugaçësh.

Enver Hoxha, për të ruajtur pozicionin e vet politik, u pozicionua hapur kundër Hrushovit

Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik papritur filluan të ngrinin, që pas Kongresit XX të PK të BS Gjithçka më mbarapa u kristalizua pikërisht në konfrencën e Partisë së rrethit të Tiranës, në vitin 1956, ku Shqipëria ishte ndoshta nga të vetmet që nuk mbështeti erërat demokratike të atij kongresi. Mbledhja e Bukureshtit, ku PPSh-ja u pozicionua fuqishëm në mbështetje të PK të Kinës, duke kundërshtuar zyrtarisht Hrushovin, krijoi gjendjen tejet të vështirë mes dy vendeve komuniste që kishin filluar një përplasje të paprecedentë. Vizita e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959 ishte një paralajmërim për vetë udhëheqjen më të lartë komuniste të Shqipërisë së asaj kohe, për fatin që e priste shtetin në rast mosnënshtrimi ndaj vijës së përgjithshme komuniste të inicuar nga BS, ndërkohë që atje u prezantuan dhe favoret që do të kishin në rast pozicionimi pro asaj vije. Të gjitha ngjarjet dhe përplasjet diplomatike mes palëve u finalizuan në Mbledhjen e famshme të 81 Partive Komuniste e Punëtore nga e gjithë bota, ku Enver Hoxha jo vetëm me ashpërsinë që kishte treguar deri atëherë, por me një kokëfortësi të çuditshme paraqiti oponencën e partisë që drejtonte para të gjitha vendeve që pothuajse ishin në të njëjtën koherencë politike. Kjo do të bënte që nga ai moment të priste lumë sharjesh dhe goditjesh deri në diskretitime. Që nga ajo mbledhje filloi distancimi i menjëhershëm mes dy politikave tona, gjë që u konkretizua në mënyrën e menjëhershme dhe në ekonomi. Të gjitha kontratat e nënshkruara me supershtetin sovjetik u ndërprenë absolutisht, ndërkohë që u kthyen menjëherë dhe 1500 studentët që ishin vendosur në akademitë sovjetike.

Enveri te “Titistët”: Mehmeti bisedime të fshehta me Fulcin e Titon

“… Kur Partia jonë përpunoi plartformën për qëndrimin që do të mbante në Bukuresht, duke i ruajtur vetes të drejtën që pikëpamjet e saj t’i shtronte në mbledhjen e rregullt të të gjitha partive (në nëntor të vitit 1960 në Moskë), Mehmet Shehu u ndodh në udhëkryq: Kujt t’ia prishte dhe kujt t’ia ndreqte? Të vihej në kundërshtim me udhëheqjen e Partisë, nuk i leverdiste, se e pësonte si Liri Belishova dhe gjithë armiqtë e tjerë antiparti. Por, si njeri i shumë agjenturave të huaja, duhej të llogariste, veç nesh e sovjetikëve, edhe amerikanët, edhe anglezët, edhe jugosllavët.
Nga t’ia mbante ky poliagjent në këtë situatë të komplikuar?!
Por puna erdhi që ai e gjeti rrugëdaljen në situatën e komlikuar që i ishte paraqitur. Në atë kohë (qershor 1960, shënimi im, F.V.) Mehmet Shehu u nis për në Nju-Jork në krye të një delegacioni qeveritar për në OKB. Ai udhëtoi me transatlantikun anglez luksoz “Kuin Elisabet”. Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh nga shoqërues që ishin bashkëpunëtorë të tij e që tani janë në burg, se me këtë anije udhëtonte edhe Harri Fulci i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli, që ishte personalitet i Intelixhens Servisit e që në vapor u paraqit si gazetar. Mehmet Shehu, si agjent i tyre, bëri gjatë disa ditëve të udhëtimit takime e bisedime të fshehta me Titon, Fulcin e R.Çërçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimin që mendonte të mbante udhëheqja e Partisë sonë në Moskë.
Strategjitë e tri agjenturave, jugosllave, amerikane dhe angleze, përputheshin dhe i sugjeruan superagjentit të tyre që ‘të mbështeste’ pa rezerva qëndrimet e udhëheqjes së partisë, që do të sillnin përçarjen e prishjen me Bashkimin Sovjetik…
Mehmet Shehu u kthye plot ‘kurajë’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u bë më katolik se Papa, tregohej i papërmbajtur ‘në mbrojtjen’ e vijës së Partisë sonë kundër planeve e qëndrimeve të Hrushovit e të udhëheqjes revizioniste sovjetike”

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com