E vërteta e flamurit që u shpalos nga Ded Gjo Luli gjatë kryengritjeve të mëdha për pavarësi më 1911-1912

Është e njohur kjo foto e Marubit që paraqet flamurin e shpalosur nga Ded Gjo Luli gjatë kryengritjeve të mëdha për pavarësi më 1911-1912. Çka dihet më pak, është se ky flamur mund të jetë pikërisht ai që sollën në truallin mëmë, me porosi të diasporës shqiptare në SHBA, dy patriotë përmetarë, Gore Dindi dhe Toke Pollo. Ata u nisen për të luftuar së bashku në Kosovë dhe për t’u pjekur me heroin kryengritës më 1911. Asnjë nga të dy luftëtarët toskë, të cilët rrugëtuan në Kosovë e Shqipëri, pa mundur ta takonin vetë gegun e madh Ded Gjo Lulin, nuk e morën kurrë vesh se çfarë u bë me flamurin pasi ja dorëzuan një emisari të tij.
Çka mund ta bëjë të besueshme tezën se bëhet fjalë për këtë flamur, nuk është vetëm cilësia e përpunimit të tij, por edhe dy fakte të tjera: Mbi flamur është vendosur një cohë ku shkruhet “Flamuri i Liris” mars 1911, vit që përkon me nisjen e dy patriotëve drejt Kosovës. Ndërkohë, në shtizën mbajtëse, shohim një shqiponjë njëkrerëshe, e cila është konform shqiponjës simbol të SHBA.
Flamuri paraqitet në formën e labarum-it, në stilin e legjioneve romake përfshirë edhe në kohën e Kostandinit të madh, gjë që të kujton strofën e famshme të himnit të flamurit të Imz. Nolit, “Flamur që lind Shën Kostandinin, pajton Islamn’e Krishtërimin, çpall midis feve vllazërimin, flamur bujar për Njerëzi”
(Postuar në faqen e Kryeministrit, Edi Rama)