E hëna e Kryeministrit Edi Rama, fillimjava e betejës së fundit të Reformës në Drejtësi

Ka nisur intensive kjo javë për politikën shqiptare. Kryeministrin Edi Rama e ka filluar të hënën me takime të rëndësishme, pas kthimit nga Franca ku ka ndjekur ndeshjen debutuese të përfaqësueses shqiptare përballë Zvicrës. Mëngjesin e 13 qershorit, Rama e ka nisur me pritjen në Kryeministri të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kreut të grupit parlamentar, Petrit Vasili, Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani dhe shefit të kabinetit, Sokol Dervishaj. Ka vijuar kjo ditë konsulmimesh për reformën në drejtësi me ambasadoren e BE, Romana Vlahutin, ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, iu drejtua zyrës së kryeministrit Edi Rama që herët në mëngjes. Ai shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe shefi i kabinetit Sokol Dervishaj. Takimi vjen një ditë pas atij që kryeparlamentari zhvilloi me kreun e opozitës, Lulzim Bashën, për të diskutuar mbi reformën në drejtësi. Meta tha se kërkesën e opozitës, për vendet e rezervuara, do ta diskutojë edhe me kryeministrin Rama, për të gjetur një zgjidhje që reforma të miratohet pa vonesë. Kreu i qeverisë e ka bërë publik qëndrimin e tij se nuk do të pranojë në asnjë mënyrë formulën e vendeve të rezervuara. Ndërsa opozita po ashtu qëndron fort në krahun tjetër, se pa u pranuar rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias, që flet për vende të rezervuara, ajo nuk do ta votojë reformën.

Reforma në drejtësi – Pas Metës, Rama pret në Kryeministri Donald Lu dhe Romana Vlahutin

Kanë vijuar vrullshëm negociatat për reformën në drejtësi edhe gjatë ditës së sotme. Në Kryeministri i pari u paraqit kreu i Kuvendit Meta dhe pas tij Ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e BE Romana Vlahutin, të cilët u takuan me kryeministrin Rama në kërkim të gjetjes së konsensusit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Zhvillimet e sotme vinë një ditë pas takimit që Meta pati me kryedemokratin Basha.

Ambasadori amerikan Donald Lu ka mbërritur në kryeministri dhe po zhvillon një takim me kryeministrin Rama, në fokus të së cilit  është reforma në drejtësi.

Pas tij në Kryeministri ka mbërritur dhe Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.

Më herët Rama priti në takim kreun e Kuvendit, Ilir Meta.

Në takimin në Kryeministri, Meta shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe shefi i kabinentit Sokol Dërvishaj.

Nga ana tjetër Kryeministri shoqërohej nga kryetari i Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi dhe Ministrat Saimir Tahiri dhe Ditmir Bushati.

Në përfundim të takimit nuk pati prononcime për mediat nga asnjëra palë.

Një ditë më parë, Basha dhe Meta zhilluan dje një takim përreth 120 minuta. Kryeparlamentari tha se kishte garantuar Bashën për miratimin e reformës në koherencë, me legjitimitet dhe integritet.

Ndërsa Basha e bëri të qartë se opozita nuk do tërhiqet nga kushti i saj për vendet e rezervuara, të pranuara nga i vetmi arbitër, Komisioni i Venecias.

 Ilir Meta dhe Lulzim Basha u shprehën të gatshëm për tu takuar në çdo kohë për gjetjen e konsensusit për miraitmin në kohë të reformës.

Megjithatë, ky takim i së dielës mes të dyve prodhoi një dakordësi, atë të miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që lejon votimin dhe numërimin elektronik.