Dukuri të tolerancës fetare në Shkodër dhe Rrethina, laiçizmi i shtetit duhet të shoqërohet edhe me laiçizmin e politikës që formon shtetin

Nga Fadil Kraja

– Mediat janë armë e fuqishme për sensibilizimin e opinionit. Thirrjet për t’i fryrë ngjarjet dhe fenomenet negative, sjellin vetëm dëm

Që të flasësh për tolerancën apo intolerancën fetare, konkretisht në Shkodër, si metropoli i veriut të atdheut tonë, duhet bërë patjetër një vështrim historik në të kaluarën për të nxjerrë në dritë sadopak shkaqet dhe pasojat e këtij fenomeni, mjerisht të theksuar në këtë trevë. Them mjerisht, sepse kaq të theksuar nuk e gjen në asnjë pjesë tjetër të atdheut. Sepse, në këtë aspekt Shkodra njeh pasoja të dhimbshme ashtu siç njeh dhe shembuj të një kundërvënje fisnike dhe patriotike ndaj këtij fenomeni.

Dihet se hopet dhe përmbysjet e mëdha të karakterit politik, pasohen gjithmonë me fenomene të karakterit social, etnik dhe fetar. Shpërthejnë ndryshimet demografike drejt qendrave rurale, eksode masive, krijohen ngrehina të reja banorësh ardhacakë, që, duke formuar etnitete ruajnë me xhelozi dhe fanatizëm doket, zakonet, ritet dhe besimin e tyre, dhe reagojnë nganjëherë keq dhe me pasoja sa herë që mendojnë se dikush ua prek këto pasuri të trashëguara, shpirtërore. E natyrisht, këtë reagim mbrojtës nuk ka si të mos ua ushqejë faktori i jashtëm, shtetëror, fetar, etnik, pra një elitë me ngjyrime politike dhe ekspansioniste. Shkodra, si trevë pararojë dhe front i parë për mbrojtjen e kombësisë shqiptare ndaj invazioneve sllave, fenomenin e tolerancës dhe intolerancës fetare e ka jetuar më shumë se trevat e tjera shqiptare, sepse invazionet i ka pësuar më shumë se të tjerët, për vetë natyrën shumë bujare që e rrethon dhe zhvillimin ekonomik e social që ka patur si qendër e rëndësishme iliro-shqiptare. Toponimet që e rrethojnë Shkodrën flasin shumë dhe janë një pasqyrë e këtyre invazioneve. Kështu, Ura e Katilinës, Kroi i saracineve, Drivast, Domën, Myselim, Mes, Dragoç, Postribë e kështu me radhë, janë gjurmë në radhë të parë të Etnisë ilire, pastaj të pushtimeve romake, sllave, osmane, arabe, veneciane etj. Po kështu edhe konvertimi shqiptar ndaj fesë kristiane ka lënë gjurmë në toponime, sidomos po të përshkosh Bunën që nga rrjedha në detë e deri në liqen. Të duket se ndjek udhëtimin e Shën Palit apostull, sepse Buna në dy anët e saj ka toponime të tilla si Sh’Pal, Sh’Koll, Sh’As, Shirq e kështu me radhë.

Por le të kthehemi tek hopet e përmbysjes me pasoja demografike në Shkodër. Sipas Barletit, tek “Rrethimi i Shkodrës”, kur Qyteti (në juridiksion venedikas) iu dorëzua ushtrisë osmane të gjeneralit Daut Ganjolla; më 1479, sipas marrëveshjesm gjithë familjet shkodrane emigruan në Venedik dhe qyteti u boshatis. Qëndruan vetëm dy familje Suma dhe Duoda, njëra shkodrane tjetra venedikase që do të përfaqësonin konsullatën venedikase. Banorët e parë që u vendosën në Shkodër ishin prapavija e ushtrisë pushtuese, familje kovaçësh dhe mbatharësh ciganë (kujto shprehjen “banorët e parë të Shkodrës janë magjypët”). Pastaj, sipas Barletit qyteti u popullua nga rrethinat, familje që u ngujuan këtu duke mbajtur mbiemrin e fshatrave apo krahinave nga kishin ardhur si një lloj garancie dhe mbrojtje. Siç e dini edhe sot, Shkodra është unikale në këtë drejtim sepse nuk ka fshat apo krahinë që e rrethon që të mos përjetohet në mbiemrat e shkodranëve. Dhe vëreni në fakt pozitiv që flet për bashkëjetesë dhe tolerancë. Janë po këta ardhacakë që Shkodrës së boshatisur ia kthyen lavdinë e hershme ilire, duke e bërë këtë qytet ndër më të rëndësishmet qendra ekonomike të Ballkanit dhe më përtej, dhe, duke krijuar një pazar me mbi 3000 dyqane, fama e të cilit i kaloi detrat, famën e të cilit do e kishin stoli edhe shtete si Gjermani apo Anglia.

Natyrisht, dyndja osmane u pasua jo vetëm me shprishje demografike, por edhe me fenomenin negativ të myslimanizimit të popullsisë, duke përdorur forma të ndryshme, herë imponuese herë joshëse, pra duke përdorur edhe mjaltin edhe kamzhikun. Ky fenomen ngjau në gjithë Shqipërinë, por, vetëm Shkodra me rrethinat u mbrojt më shumë se trevat e tjera. Kristianizmi, ose më mirë katoliçizmi i mbijetoi të gjitha raprezaljet dhe me kohë u bë qendra e katoliçzimit në Shqipëri. Sidomos, pas lëshimit pozitiv që u bëri Karamahmut pashë Bushatliu katolikëve duke i lejuar të shpërnguleshin nga përtej Bunës brenda në qytet, (Kisha e parë në Tophanë, lagjet e para Dudas e Ndocej, falja e Arës së Pashës) ata formuan ngujimet e tyre, lagje dhe vende kulti, në një anë të qytetit aq sa, deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar rruga e Fushë Qelës ose piaca e sotme u bë si një vijë demarkacioni që e ndante qytetin në dyshë sipas besimeve. Bile edhe një kishë dhe një xhami (Kisha e Fretënve dhe xhamia e Fushë Qelës) u vendosën në periferi të këtyre ngujimeve dhe sikur i hakërreheshin njëra-tjetrës. Natyrisht edhe për fat të keq hakërrimi nganjëherë nxitej, ushqehej dhe pasohej me veprime të dhinshme e të dhimbshme. Nxiteshin konfrontime me pasoja të përgjakshme mes banorëve me besime të ndryshme. Dikush therrte një derr pranë xhamisë së Kuqe dhe ndizej sherri i armatosur. Dikush guxonte tëdashurohej dhe martohej me një vajzë kristiane dhe ndërronte fe e pasojat shkonin deri në vëllavrasje. Dhe, prapa këtyre konfrontimeve gjithnjë ishte hija e atyre që kishin interes pushtues, osmanët dhe sllavët.

Arrinte përpjekja përçarëse deri aty sa edhe banorët e dy besimeve të dalloheshin edhe në të folur dhe në gjuhë. Ana myslimane mbronte me fanatizëm turqizmat, ndërsa ana katolike soliçizmat, mos shqiptimi i germave të alfabetit Q dhe Gj, duke i zëvendësuar me C dhe Xh, duke harruar se kryetari i grupit të Manastirit që krijoi alfabetin që kemi sot ishte i madhi Gjergj Fishta. Shkurt, Shkodra ruajti karakteristikat e një qyteti të ndarë në dy kantone, (ortodoksët mbetën gjithnjë minorancë e parëndësishme) ai mysliman dhe ai katolik. Dhe duke u kantonizuar, besimi u ruajt me fanatizëm regresiv, saqë skandalizohej martesa mes dy feve. Edhe sot ruhet ky ritual negativ dhe dukuritë që mundohen ta shuajnë këtë ritual shkaktojnë zhurmë dhe reagim më shumë se në qytete të tjera të vendit.

Mirëpo, gjithë përpjekjeve ndasore negative, megjithë kantonizimin, megjithë cytjet e të huajve me synime ekspansioniste, shkodrani iu kundërvu me shembuj pozitivë. Klerikë dhe intelektualë me bindje dhe formim përparimtar perëndimor luftuan që Shkodra të mbjellë dhe lulëzojë tolerancën. Shembulli i Kupë Danes (1880) i Lajes së Tophanës që mbajti në shtëpi vrasësin e të vëllait, një katolik nga familja Shiroka, krijimi i orkestrave popullore mikse, popullarizimi dhe përjetësimi i ngjarjeve që flasin për tolerancë, arriti kulmin më 1938 kur, me nismën e Gjergj Fishtës, myftiut të Shkodrës dhe kryetarit të Bashkisë Zenel Prodani, kompanjeli i Kishës së Fretënve u lidh me një kavo me minaren e xhamisë së Fushë Qelës dhe përgjatë këtij teli u valëvitën dhjetra flamuj të Shqipërisë. Ishte domethënës ky gjest, sepse provonte atë që mbruajtën rilindasit tanë se mbi fenë është Kombi, dhe siç thotë kënga e Kupe Danës “Nder e komb i kena bashkë, myslimanë e të kështenë”.

Mikja e madhe e Shqipërisë, Edit Durham, në librin e saj “20 vjet ngatërresa ballkanike” thekson se shqiptari mbi fenë ka vënë kombin. Këtë thekson edhe Pashko Vasa se “Feja e shqiptarit është shqitparia”. Pa i absolutizuar këto dy pohime, themi se Shkodra është një shembull i mirë i mbijetesës së dy besimevenë harmoni, falë edhe origjinës krahinore të shkodranëve dhe embrionit pagan të ruajtur, falë pozicionit gjeografik të fshatrave, jetës së kullave, besimit në fenomenet e natyrës etj. Parimi “jeto e më lër të jetoj” ka qenë karakteristik në Shkodër, prandaj dhe përpjekjeve përçarëse mes besimeve i është kundërvënë toleranca dhe kombësia.

Këta dhjetë vitet e fundit, pas hopit dhe përmbysjes së madhe u panë po ato fenomene që përmendëm në fillim, shprishja demografike, eksodi, dyndja e malësorëve dhe fshatarëve në qytet. Si rrjedhojë edhe dukuritë fetare nxorën krye. Edhe pse Shkodra pas viteve 1950 pësoi ndryshime urbanistike, u çelën rrugë të reja dhe në një farë mënyre u shprish kantonizmi dhe pallatet e reja që u ngritën sollën banorë të dy besimeve, prapë ndasia të reja në periferi me monobesim, kryesisht katolik. Pati tendenca revanshizmi fetar duke u bazuar tek raprezaljet e 50 viteve të shkuara në monizëm. Shfaqje të tilla sporadike të në vetëizolimi fetar u dukën në dy besimet. Përpjekjet për të krijuar shoqata monofetare (Ajo e mësuesve myslimanë, e rinisë katolike, deri dhe organe me theks provokues si “Organ i letrarëve dhe publiçistëve katolikë” etj), deri dhe ringjyrim fetar i politikës (theksimi i besimit të një kandidati për deputet apo kryetar bashkie), deri dhe thirrje për kantonizim katolik (rasti i Mirditës) të cilat nuk gjetën përkrahje dhe nuk mbijetuan falë asaj tolerance që e ka theksuar shkodrani dhe që e cekëm më lart.

Por, megjithë shembujt pozitivë dhe negativë që cituam për këtë fenomen, duhet të jemi koshientë se deri sa ekziston qënia e besimeve të ndryshme në Shkodër, dhe, një lloj ndarjeje territoriale, ekziston edhe mundësia e fërkimeve dhe reagimeve negative. As nuk duhet mbivlerësuar toleranca fetare, as nuk duhet neglizhuar dhe minimizuar intoleranca. Bashkëjetesa do të na ballafaqojë edhe në të ardhmen me këtë fenomen.. ndaj duhet patur kujdes, sidomos me brezin e ri që po rritet dhe që do të konturojë Shkodrën e nesërme. Këtu, rol të madh do të luajë infrastruktura, ndërtimet e reja, kujdesi për trupat arsimorë të shkollave, institucinet kulturore dhe artistike dhe sidomos brezi i ri i klerikëve që po formohet. Laiçizmi i shtetit duhet të shoqërohet edhe ma laiçizmin e politikës që formon shtetin. Dhe mediat në këtë drejtim janë armë të fuqishme për sensibilizimin e opinionit. Thirrjet për t’i fryrë ngjarjet dhe fenomenet negative sjellin vetëm dëm. Synimi për të popullarizuar pozitiven është në parim të medias kurdoherë, sidomos në Shkodër. Shqetësimi jonë e përforcon këtë parim imediat të shtypit shqiptar.

Marrë nga “Shqiperi Etnike” (Ripublikim)