Dukagjinasi Ndok Gjeloshi, një nga atentatorët e Mbretit Zog, viktimë e atentatit të komunistëve

Ndok Gjeloshi (15 Nëntor, 1893 – 11 Prill, 1943), lindi në Nënmavriq të Dukagjinit, Shkodër. Ishte një veprimtar aktiv Politik, oficer i forcave të armatosura (me gradën e Kapitenit) dhe gardist i Xhandarmarisë Shqiptare

Jeta

Ndok Gjeloshi ishte i biri i një fisi të dëgjuar në gjenealogjinë e bajrakut të Shalës, i trungut të Nik Vuksanit. Ai mori formimin kulturor në Kolegjin Françeskan në Shkodër, dhe më pas përfundoj Akademinë Ushtarake të Modenas në Itali, ku dhe mori gradën e togerit të forcave të Xhandarmërisë.

Ndoka është mbështetur nga Princ Vidi gjatë mbretërimit të tij të shkurtër (të Principatës së Shqipërisë) si shumë nacionalist të tjerë, ai ishte gjithashtu anëtar i “Bashkimit Kombëtar” (organizatë e aktivistëve anti-Zogist në mërgim). Ai shkoi në Durrës për t’i dalë zot Princ Vidit, ku për merita ushtarake mori çmimin “Besa e Bashkimit”.

Ai ishte bashkëpunëtor i Hasan Prishtinës dhe zbatues i porosive të tij, ku së bashku me Aziz Çamin, natën e 20 Shkurtit të vitit 1931, organizojnë atentatin më të rrezikshëm ndaj Ahmet Zogut.

Veprimtaria

Ndok Gjeloshi dhe Bajram Currin ishin të një ideali, ai qe rojtar i Kongresit të Lushnjës, dhe mori pjesë aktive në luftën e Kopliku. Njihen meritat e tij edhe për ndihmesën e vyer të komitetit për “Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës”, ai udhëhoqi propagandën elektorale në favor të Luigj Gurakuqit në vitin 1923.

Në kohën e internacionalitetit, Ai qe i pari shqiptar që ngriti flamurin në Këmbanoren e Katedrales së Shkodrës. Si nacionalist radikal deklaroi se bënte pjesë në “Partinë Nacionaliste Shqipëtare”. Gjatë luftës së ashpër politike të viteve 1920-24 rreshtohet përkrah forcave të opozitës së Fan Nolit, në Revolucionin e 24-ës së bashku me Rexhep Shalën. Gjatë qeverisjes së Nolit, Ndoka mori gradën kapiten i forcave kufitare.

Si politikan i frymëzuar nga idealet opozitare, përkrahu kryengritjen e Nolit dhe me 10 Qershor 1924 ditën e martë, ora 19:30, fanolisti Ndok Gjeloshi ka qenë oficeri i parë që hyri në Tiranë në krye të pararojës së Ushtrisë Kombëtare.

Me fitoren e Legalitetit ai u dënua me vdekje (në mungesë) nga regjimi i Ahmet Zogut, ai arratiset në Jugusllavi, por më vonë kthehet dhe vihet në krye të veprimeve luftarake në Lëvizjen anti Zogiste të Dukagjinit të vitit 1926. Në Nëntor të po këtij viti së bashku me Dom Loro Cakën, organizuan dhe udhëheqi kryengritjen antizogiste të Dukagjinit, kryengritje që shpërtheu përpara kohe, kryengritje që nuk u përhap as në Pukë dhe as në Malësi të Madhe siç ishte parashikue.

Ai pas kësaj revolte emigron në Vienë të Austrisë, ku martohet me Margarita Gjeloshin, një zonjë fisnike Austriake. Ai shumë shpejt bahet anëtar i grupit të “Bashkimi Kombëtar”. Ishte një organizatë e aktivistëve anti-Zogist në mërgim, e cila u formua në vitin 1925 në Vjenë me iniciativën e Ali Këlcyrës, Angjelin Sumës, Xhemal Bushatit dhe Sejfi Vllamasit, ku kërkonin rrëzimin e Ahmet Zogut.

Atentati kundra Mbretit

Në mbërmjen e 20 shkurtit të vitit 1931, Mbreti Zogu I dhe njerëzit e tij që e shoqëronin në shfaqjen e operës “Pagliacci” në Teatrin e Operës së Vienës, largohen nga salla e shfaqjes pak para përfundimit. Mbreti i maskuem me rrobat e axhudantit major Llesh Topallaj, ishte si rezultat i një informacioni që kishin marrë më parë. Ahmet Zogu hipi në automobilin e parë së bashku me kolonel Libohovën, ndërkohë që major Topallaj përgatitej të hipte në automobilin e mbretit së bashku me këshilltarin e legatës Shqipëtare në Vienë. Kur këta po hipnin në makin, Ndok Gjeloshi dhe Aziz Çami hapin zjarr. Pas të shtënave të para agjenti i policisë që ishte ulur në vëndin e parë të makinës së mbretit, kërceu nga automobili dhe iu turr vrasësve. Major Topallaj vdiq menjëherë në vënd dhe mbetet i plagosur ministri i oborrit Eqrem Bej Libohova. Berned Fischer nga ana e tij shprehet se pas një shkëmbimi zjarri me dedektivët e mbretit, dy vrasësit u kapën dhe u arrestuan. Atentatorëve iu gjetën pasaporta diplomatike Jugosllave.

Në vija të përgjithëshme, gazetat ditore Vieneze të atyre ditëve, kanë botuar kështu:

” …Vrasësi i parë është Ndok Gjeloshi, ai është një ish-oficer i Ushtrisë Shqipëtare, i lindur në Shkodër në vitin 1893 dhe ka shërbyer si ushtarak atje. Ai është një Katolik Roman, i martuar dhe ka banuar në Vjenë me gruan e tij, gjatë dy viteve të fundit. Vrasësi i dytë është ish-Kapiteni Aziz Çami, i lindur në vitin 1893 në Filat të qarkut të Gjirokastrës. Ai është një Mysliman beqar dhe jeton në Adresën; Hegergasse Nr. 9, në qarkun Nr. 3 të Vienës [3]. …”

Gjyqi ndaj tyre përfundoi më 2 Tetor të viti 1931, ata u cilësuan fajtor për vrasjen e major Llesh Topallajt, plagosjen e ministrit të oborrit Eqerem Bej Libohovës dhe tentativë për vrasjen e Mbretit. Gjeloshi u dënua me 3-vjet e 6 muaj burg nga gjykata, dhe Aziz Çami 2-vjet e 6 muaj. Organizatorët e tjerë, mes tyre Qazim Mulleti, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Angjelin Suma, Sejfi Vllamasi, etj, u liruan shpejt pas arrestimit të tyre, ata u dëbuan nga Austria. Përfundimi i kohës së burgimit dhe pushtimi i Shqipëris nga Italia, i krijuan mundësinë Ndok Gjeloshit të kthehet përsëri në Shqipëri.

Vrasja e Ndok Gjeloshit

Në pranverën e vitit 1943 dhe konkretish me datë 11 Prill, në fundin e Bulevardit kryesor të Tiranës, (sot rruga e Stacionit të Trenit), Ndok Gjeloshi mbetet i vrarë nga një atentat komunist i bërë nga Myslym Keta. Ai u vra si shumë të tjerë me urdhër të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në ceremoninë e varrimit të zhvilluar në Shkodër, si shumë të tjerë morën pjesë edhe Gjon Markagjoni dhe Mustafa Kruja.