Dubrovnik, gjykata vendos ekstradimin e Ballistit në Serbi. Avokati e mohon

Ismail Morina me shumë mundësi do të ekstradohet në Serbi. Gjykata e Shkallës së parë të  Dubrovnikut ka vendosur të ekstradojë të ashtuquajturin Ballisti, pavarësisht se dosja e tij u mos përsipër nga autoritetet gjyqësore të rishqyrtohej nga e para.

Kanë qenë familjarët e Morinës ata që kanë vënë dispozicion vendimin e fundit.

Pas kthimit të dosjes nga Gjykata e Lartë për rigjykim në Shkallën e Parë, sërish Gjykata e Dubrovnikut ka vendosur ta ekstradojë shqiptarin tek autoritetet e Beogradit.

Tashmë pritet hapi i radhës nga pala mbrojtëse, e cila me shumë mundësi do të vendosë ta apelojë vendimin brenda 3 ditëve sërish në Gjykatën e Lartë.

Por edhe nëse kjo e fundit vendos ta ekstradojë, fjalën e fundit do ta thotë ministri i Drejtësisë kroate, i cili ka tagrin për të bllokuar ekstradimin e Ballistit drejt Serbisë.

Ishte kjo gjykatë që rreth 3 javë më parë vendosi ekstradimin e Morinës në bazë të kërkesës së autoriteteve serbe, të cilat e kanë shpallur në kërkim Morinën për ngritjen e dronit me banderolën “Autochthonous” gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, tetorin e vitit 2014 në Beograd.

Avokati: Ismail Morina nuk do të ekstradohet

Ismail Morina nuk do të ekstradohet në Serbi, por çështja e tij do të rishqyrtohet nga fillimi në Dubrovnik. Kështu është shprehur avokati i tij në Kroaci.

“Rikthehet nga fillimi çështja e Ismail Ballist Morinës. Do të rishqyrtohet edhe njëherë nga fillimi, ndërkohë që nuk do të ndodhë asnjë ekstradim. Vazhdon beteja ligjore, paralelisht edhe procedura e azilit që ka kërkuar Islmail Morina”, tha Darko Butigan në një intervistë për Top Channel.

Paralelisht me procesin gjyqësor, autoritetet shqiptare kanë bërë të gjitha përpjekjet në rrugë diplomatike, por edhe mes dy qeverive që të pengojnë ekstradimin e Morinës drejt Serbisë.

Disa ditë më parë, Ministria shqiptare e Drejtësisë i dërgoi homologes së saj në Zagreb një raport me fakte dhe argumente se përse nuk duhet të ekstradohet Morina në Serbi. Sipas raportit, kërkesa e Serbisë për esktradimin e Morinës është një kërkesë politike dhe se Morinës mund t’i mohohet një proces i rregullt ligjor në Serbi dhe madje mund t’i rrezikohet edhe jeta.

Ismail Morina u arrestua në muajin qershor në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë.