Drejtësia e re/ Dosjet e korrupsionit dhe krimit në duart e SPAK, SHBA-BE do monitorojnë hetimet

Nis numërimi mbrapsht për drejtësinë e vjetër. Fillimi i legjislaturës së re pritet të përkojë me lëkundjet e para të murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Ditët e fundit të muajit Gusht dhe të fillimit të muajit Shtator 2017 shënojnë një periudhë të rëndësishme sa i takon luftës kundër krimit dhe korrupsionit elitar, kusht kryesor për hapjen e dyerve të Brukselit, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Konkretisht, në fund të muajit gusht, dosjet e krimit dhe korrupsionit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe degët e saj si dhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda, do të kalojnë në duart e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Speciale.

Gjithashtu, hetimi dhe gjykimi i 40 veprave penale, aktualisht në kompetencë të institucioneve aktuale anti-korrupsion, me 30 gusht do të jenë kompetencë e institucioneve të re që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta në Shqipëri. Ligji për SPAK parashikon që 300 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit, të gjitha çështjet nën hetim dhe nën gjykim, kalojnë në duart e organeve të reja.

Në mënyrë që të respektohet e drejta e të pandehurve për një gjykim të drejtë, çështjet që do të jenë në gjykim para gjykatave për krimet e rënda në ditën e 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten nën kompetencën e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëse ato nuk bëjnë pjesë në kompetencën parësore apo dytësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas këtij ligji.

Këto çështje ndiqen penalisht nga Prokuroria e Posaçme. Në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kompetencat e parashikuara nga nenet 8 dhe 9, të këtij ligji, u kalojnë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në pikën 6 dhe 7 të nenit 57 të ligjit për SPAK-un.

Afati
Ligj nr. 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar është kolona qendrore e Reformës në Drejtësi. Ky ligj ka hyrë në fuqi në datën 5 nëntor të 2016. Duke iu referuar afatit 300-ditor, çështjet nën hetim dhe në gjykim duhet të kalojnë në duart e organeve të reja në fund të muajit gusht.

Gjithashtu, ligjit parashikon që 300 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për SPAK, ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda”, shfuqizohet. “Ligji nr. 9110, datë 24.7.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda”, shfuqizohet në mesnatën e ditës së 300-të pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në pikën 8 të nenit 57 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i quajtur ndryshe ligjit për SPAK.

Amerikanët do të monitorojnë hetimet
Ekspertë të drejtësisë penale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, gjatë dy viteve të para, do të monitorojnë themelimin e Byrosë së Hetimit, rekrutimin e punonjësve të trajtimin e tyre. Gjithashtu, ekspertë nga SHBA dhe BE do të monitorojnë edhe hetimet që do të kryhen nga Byroja e Hetimit.

Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje.

Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në pikën 9 të nenit 57 të ligjit të SPAK.

40 vepra penale
Hetimi dhe gjykimi i 40 veprave penale, aktualisht në kompetencë të institucioneve aktuale anti-korrupsion, me 30 gusht do të jenë kompetencë e institucioneve të re që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta në Shqipëri.

Dosjet
Në fund të muajit gusht, dosjet e krimit dhe korrupsionit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe degët e saj si dhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda, do të kalojnë në duart e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Speciale./shqiptarja.com

a.ç