“Drejtësi e pavarur arrihet kur të eliminohen lidhjet e partive politike me gjyqtarët”

Intervistë për “Koha Jonë”, e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein
Intervistoi: Redjon Shtylla

“Vetëm me një gjyqësor të pavarur, profesional dhe efikas mundet që Shqipëria të çlirohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”. Është kjo thirrja që ka raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, për politikën dhe politikanët, në prag të votimit të reformës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, z.Fleckenstein, ka shprehur qëndrimin për reformën në drejtësi, ku shprehet se: “Një gjyqësor i pavarur mund të arrihet vetëm kur nuk ka lidhje midis partive politike dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Për nenin 88 i pyetur nga gazeta, lidhur për këtë rekomandimin, raportuesi për Shqipërinë nënvizon se: “Komisioni i Venecias nuk përshkruan një model të veçantë për Shqipërinë”. Më tej ai shtoi se neni 88 nuk mund të përdoret si qëllim për të bllokuar reformën. Është konsensusi ai që do të shpëtojë këtë reformë, e cila pritet nga 90% e shqiptarëve, statistikë e dhënë nga vetë Fleckenstein, ku ka theksuar se kompromisi mund të gjenden edhe në minutën e fundit. E për djegien e mandateve të opozitës, nëse trafikohet vota e deputetëve demokratë, për raportuesin në Parlamentin Europian, kjo situatë është jo në favor në reformës. “Parlamentarët janë të zgjedhur nga populli, që përfaqësojnë popullin dhe për këtë arsye ata janë përgjegjës para popullit”,- nënvizoi z.Fleckenstein.

Z.Fleckenstein, konsensusi për miratimin e reformës në drejtësi lidhet me Nenin 88, pjesë e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. E shihni të drejtë këtë qëndrim të opozitës?
Kur unë dëgjoj politikanët shqiptarë dhe median, dëgjoj shumë referenca për këtë Nenin 88. Ky nen është pjesë e rekomandimeve nga ana e Komisionit të Venecias e Këshillit të Europës në lidhje me projekt-amendamentet kushtetuese për gjyqësorin shqiptar. Shumica e referencave të krijojnë përshtypjen se Komisioni i Venecias në këtë artikull ka caktuar një model të veçantë për zgjedhjen e anëtarëve të organeve gjyqësore dhe komisioneve të verifikimit. Kjo përshtypje është e gabuar: Komisioni i Venecias nuk përshkruan një model të veçantë për Shqipërinë. Është në dorë të Shqipërisë për të zgjedhur rrugën e vet. Komisioni i Venecias thekson vetëm se në rast të mungesës së konsensusit, ofron modele të tjera të zgjedhjes, si me 3/5 ose 2/3 ku shumica mund të bie dakord. Prandaj, ky artikull i përmendur, Neni  88 nuk mund t’i shërbejë qëllimit për të bllokuar reformën e gjyqësorit në Shqipëri.
Përmes “vendeve të rezervuara” partitë politike kanë të drejtën e propozimit të gjyqtarëve në institucionet e reja të drejtësisë, duke bërë që vendimmarrja e këtyre forumeve të larta të drejtësisë, të ndikohet nga interesat politike. Në vendet parlamentare të BE-së, ekziston ky nen dhe është i duhuri për rastin e Shqipërisë?
Kjo formulë e “vendeve të rezervuara” nuk është e mirë për Shqipërinë. Shqiptarët duan një gjyqësor që ju garanton atyre drejtësi, drejtësia dhe vendime të cilat janë të pavarura nga të ardhurat e dikujt apo lidhjet me njerëz të caktuar. Një gjyqësor i pavarur mund të arrihet vetëm kur nuk ka lidhje midis partive politike dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Çdo përpjekje për të rivendosur lidhjet midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe partitë politike minon besueshmërinë e përpjekjeve për reformën.
Nëse nuk arrihet konsensusi me PD-në, është hedhur mundësia e blerjeve të disa votave nga ana maxhorancës, e deputetëve të djathtë. Në gjykimin tuaj, është e ndershme që të bëhet reforma në drejtësi me vota të “trafikuara?
Unë besoj se një kompromis mund të gjenden edhe në minutën e fundit.
Kreu Basha është shprehur se në Kuvend do të digjen mandatet e deputetëve, nëse ka trafikim vote. Si i kemi parë këto deklarata, janë një kërcënim ndaj deputetëve me mendime liberale apo frikë?
Parlamentarët janë të zgjedhur nga populli, që përfaqësojnë popullin dhe për këtë arsye ata janë përgjegjës para popullit. Sipas sondazheve, 90% e shqiptarëve duan një reformë të gjyqësorit dhe parlamentarët janë të para së gjithash përgjegjës për votuesit e tyre dhe për ndërgjegjen e tyre.
Në Europë ka vende anëtare që kërkojnë dalje, por Shqipëria si kandidate për t’u anëtarësuar, në qëndrimin tuaj, a i ka plotësuar kushtet për t’u bërë pjesë e BE-së?
Shqipëria duhet të përmbushë pesë prioritetet kyçe. Atëherë do të jetë e gatshme për të hapur negociatat për anëtarësim në BE. Këto prioritete kryesore janë; Reforma gjyqësore, reforma e administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimi i të drejtave themelore. Si raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë kam përgatitur një raport për kolegët e mi në lidhje me progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së këtyre pesë prioritetet kyçe. Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm gjatë viteve të fundit, por ka ende disa punë për të përfunduar. Më e rëndësishme është reforma e gjyqësorit. Vetëm me një gjyqësor  të pavarur, profesional dhe efikas mundet që Shqipëria të çlirohet nga korrupsioni dhe krimit i organizuar.