Dramaturgu Krasniqi: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si hero, në dramaturgjinë angleze e franceze

Figura e Skënderbeut ka qenë këtë herë në qendër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqiptare në Prishtinë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu paraqitet si hero në dramat angleze dhe ato franceze. Në këto drama, ai pasqyrohet edhe si mbret. Dramaturgu Arian Krasniqi në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqiptare, nëpërmjet studimit me titull “Skënderbeu në dramat e Whnichop-it, Lillo-s, Havad-it, dhe Faurres-it”, ka thënë se gjatë viteve të ndryshme autorë të njohur të dramaturgjisë botërore janë provokuar dhe kanë shkruar tekste dramatike që në epiqendër e kanë heroin kombëtar shqiptar, Skënderbeun. “Madje, një vepër e zhanrit tragjedi, me titullin: “Historia e vërtetë e Gjergj Skënderbeut” e shkruar më 1582, i atribuohet vetë njërit ndër krijuesit më të mëdhenj të dramaturgjisë botërore, Christopher Marlowe (1564 -1593). Nga ato pak të dhëna referenciale që ekzistojnë, kjo tragjedi konsiderohet si një ndër krijimet e para të Marolowe-së. Për fat të keq, kjo tragjedi tashmë konsiderohet si e humbur”, është shprehur mes të tjerave dramaturgu Arian Krasniqi. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Sipas profesorit së Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, temat që ka trajtuar seminari janë zhvilluar përgjatë tri sesioneve, ndërsa thotë se për dy sesionet e para, atë të gjuhës dhe letërsisë, ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve. Më tej ai bëri të ditur se sesioni i kulturologjisë është themeluar vonë, para tri vjetësh, dhe se ka rënie të numrit të të interesuarve. Seminari sot zhvillon ditën e fundit të edicionit të 36 në Prishtinë. Ditët e tij bënë bashkë albanologë dhe studiues të shumtë, ku nuk munguan dhe ata nga Shqipëria.