Dr. Bahri Kopliku – figurë e shquar e mjeksisë dhe një emër i rëndësishëm në traditën e shërbestarëve

Brenda normave kohore të takimit të sotëm gjithkush e ka të vështirë të paraqesë sado përmbledhtas veprimtarinë gjysëm shekullore të Dr. Koplikut.

Meqenëse e mora përsipër këtë përgjegjësi, e shoh të arsyeshme ta shtroj bisedën si më poshtë:

Dr. Bahriu, ishte djali i vetëm i Ymer Koplikut. I ati mbas përfundimit të shkollës së mesme, si i apasionuar mbas shkencave të matematikës, bëri të gjitha përpjekjet për të vazhduar studimet e larta, dhe në pamundësi për të majtur familjen u detyrua të ushtronte disa mjeshtri praktike. Vështirësitë për të fituar të ardhurat e nevojshme për familjen e detyruan të banonte në çifligun e fshatit Oblikë, pranë lumit Buna, ku lindi dhe i biri, Bahri Kopliku.

Tërmeti i fuqishëm i 1905 Bahriun e gjeti 5 javësh. Për pak çaste lëkundjet e tokës rrafshuan banesën ku jetonin. Të befasuar nga ky fenomen natyror i papritur, të gjithë u përpoqën të dilnin jashtë shtëpisë dhe ia arritën pa pësuar asnjë humbje. Sapo e morën veten u ra në sy se kishin harruar të nxirnin të miturin, i cili kishte qenë në një dhomë të veçantë. Me shpresë të fikur filluan të kërkonin në rrënojat. Zoti kishte bërë mrekullinë e vet. Djepi i rrethuar me gurë e dërrasa tavani kishte tepruar i padëmtuar. Pëlhura mbuluese u gjet e mbushur me copëza suvaje, por foshnja nën të nuk kishte pësuar asnjë lëndim.

I dalluar për karakter të papërkulur e sedër fisniku, me duart e veta e ndihmën e dy vëllezërve, Ymer Kopliku arriti ta rindërtojë shtëpinë dhe mjedisin e çifligut. Për herë të parë në këto anë montoi një konstruksion rrethor kovash rrotulluese për të lagur tokën me ujin e Bunës, vuri në punë një mulli zjarri (me motor) sollën 200 zgjoj bletësh modern, disa lopë rrace e qindra shpend shtëpiakë që i siguruan të ardhura të mjaftueshme për t’u mëkëmbur. Çdo javë me lundrat e transportit të tyre dërgonin prodhime të çifligut në tregun e Shkodrës dhe ktheheshin të mbushura me paisje e orendi të ndryshme për shtëpinë dhe çifligun.

Në këto kushte të favorshme filloi të hedhë hapat Bahriu i vogël, në mbretërinë e qiellit të hapur e fushave të gjelbërta, nën hijen madhështore të drurëve masivë, i joshur nga lojrat magjepsëse të rrjedhës së Bunës, që në këtë kohë Bahriu i vogël u mësua të respektojë pavarësinë e natyrshme e të shijojë dhuntitë e saj. Gjatë këtyre viteve dlirësie, humori të sinqertë fëminor, ai u mësua gjithashtu të ndajë me katër motrat më të vogla dashurinë, kujdesjen delikate e mesazhet e çmueshme të nënës, Hajrijes.

Si bijë e familjes Muka, prej qindra vitesh firmë e njohur në tregjet e pellgut të mesdheut dhe të disa shteteve të Europës qendrore, shquar për kontributin në mbrojtjen e Ulqini dhe në Lidhjen e Prizrenit, ajo trashëgonte një edukatë të shëndoshë partiotiko-qytetare, ishte besimtare e devotshme dhe me ndikim të veçantë tek fëmijët.

Në bisedat e darkës, kur të gjithë ishin bashkë, ajo me mjeshtri thurte tregime duke nxjerrë në pah shembujt pozitivë të përfaqësuesve të fisit e të qytetit për të përjetësuar traditat më të mira familjare e qytetare.

Fatkeqësisht edhe kjo jetë e bukur fshati u ndërpre. Ishte viti 1912, flakët e luftrave Ballkanike arritën edhe në periferi të Shkodrës duke përfshirë edhe fshatin e Oblikës. Gjendja ndryshoi aq vrullshëm sa për të shpëtuar kokën, familja u detyrua të largohej natën nga çifligu nëpërmjet Bunës me lundrat e tyre në drejtim të Shkodrës, duke lënë prapa të gjithë pasurinë e ndërtuar me aq mundime.

Jetesa në Shkodër ishte shumë e vështirë, gjë që e detyroi familjen Kopliku të ndahet më dysh. I ati me katër vajzat mori rrugën e emigrimit në Mal të Zi, kurse nëna me djalin Bahriun, qëndroi në Shkodër. Hajrija kishte fituar, familja Kopliku vendosi që Bahriu të vazhdonte mësimet në Shkodër.

10 nëntor 1914 – 1 korrik 1927, nxënës shkolle.

11 korrik 1927 – 20 shtator 1930, maturant në Beligrad ku arrit rezultatet më të larta.

30 shtator 1930 – 15 prill 1937, student në fakultetin e mjeksisë Monpelier-Francë. Mbron doktoratën shkëlqyeshëm: “Rreziqet operatore tek të porsalindurit”, vlerësohet nga shtypi francez, i propozohet të filloj karrierën akademike në universitet, të futet në ekipet studimore të sëmundjeve endemike të kolonive franceze. Refuzon për të ndihmuar familjen e tij dhe për t’i shërbyer vendlindjes.

10 shtator 1937 – 20 prill 1938, ushtar në Tiran: në shkollë të plotësimit, në përputhje me normat e Mretnisë Shqiptare për universitarët e diplomuar.

10 nëntor 1938 – 10 shtator 1940, mjek i granizonit ushtarak Shkodër. I propozohet të veshë këmishën e zezë, refuzon dhe dënohet tre muaj burg.

10 shtator 1940 – 9 tetor 1944, mjek në spitalin civil Shkodër. Në këtë periudhë të vështirë lufte së bashku me Dr. Deliallisin, Dr. Shirokën, krijuan një ekip mjeksor që përballoi një punë kolosale me mjete të pakta kurimi dhe diagnostikimi. Vlen të përmendet se të sëmurët e ardhur në spital me gjendje febrile, në tre ditët e para vendosën t’i trajtonin fillimisht për malarie, me kininë dhe në varësi të zbritjes ose jo të temperaturës, për tifo.

1943 – së bashku me shokun e vet Dom Zef Shestanin, merr pjesë në të ashtuquajturën Lufta e Reçit. Siç duket, të dy këto personalitete të misioneve të tyre kan kurajon me i afrue shërbimet e detyrave të veta gjatë këtij konflikti edhe pse të kërcënuar nga plumbat e çdo ane.

9 tetor 1944 – 1 gusht 1946, drejtor i spitalit ushtarak Shkodër. Kryen një specializim për mjeksinë ushtarake në Beligrad.

1946 – 1951, shef i shërbimit mjeksor të divizionit të parë, Tiranë.

1951 – 1954, drejtor i spitalit ushtarak Shkodër. Nën drejtimin e tij spitali fiton çmimin e parë në Republikë për mirëmbajtje dhe shërbim.

1954 – drejtor i poliklinikës Shkodër.

1959 – kryen kursin e kardiologjisë, së bashku me disa shefa të klinikave universitare nën drejtimin e një profesori çek. Kthehet në Shkodër dhe hap për herë të parë këtë shërbim.

1960 – bën një specializim për Rontgen diagnostik-terapi nga një ekip mjeksor bullgaro-sovjetik.

1980 – humb jetën pas një infarkti të përsëritur zemre. Përcillet me nderime të mëdha nga gjithë populli i Shkodrës.

-Dr. Kopliku në vitin 1941 u martua me Kadrie Dobi (nga qyteti i Gjirokastrës) e diplomuar në Romë për lëndën e historisë. Lindi 3 djem prej të cilëve të voglit u përpoq t’i jepte rrugën e mjeksisë, por sistemi i qeverisjes së shkuar nuk ia plotësoi këtë dëshirë.

Si e mendonte shërbimin e mjekut Dr. Kopliku

Pas një veprimtarie të gjatë profesionale, me kalimin e viteve, çdo mjek është në gjendje të kuptojë se ka patur një numër të konsiderueshëm dështimesh, disa prej të cilëve serioze.

Siç shprehej ai, të gjithë janë në gjendje të kuptojnë se keqësimi i të sëmurit i detyrohet një gabimi në vlerësim ose një gabimi në arsyetim. Shpeshherë dështimet mjeksore mbajnë lidhje me difektet e hartimit të strategjisë mjekuese. Për kushtet e infrastrukturës mjeksore shqiptare me mangësi të theksuara të infrastrukturës sociale e fizike, spitalet duhet të ruhen si qendra mbrojtëse të jetës së sëmurit e të prestigjit të mjekut. Njohja e gjithanshme, psikanaliza, zëvendësimi i mangësive të gjakut, lëngjeve e kriprave të trupit janë faktorët që japin garanci për të siguruar rezultatet e dëshiruara tek i sëmuri. Për të luajtur këtë rol spitalet duhet të drejtohen nga ekipe që funksionojnë në përputhje me doktrinat komune të aprovuara nga të gjithë. Politikat mjeksore të këtyre qendrave nuk mund të konkretizohen pa pjesëmarrjen e të gjithë ekipit. Në qoftë se ekipi funksionon pa kapacitetet e duhura, në anarki e pa disiplinën përkatëse, spitali e humb kuptimin e vet. Pa institucione të tilla që na ndihmojnë për të vendosur diagnozën, qëna zbulojnë gabimet dhe që i korrigjojnë ato, nënkuptohet se i sëmuri është i ekspozuar vazhdimisht ndaj të papriturave dhe ndaj të keqes.

Megjithëse mjaft rrallë disa gabime e ndërlikime Jatrogjene kanë pasoja tragjike për jetën e të sëmurit dhe ndikojnë keq në personalitetin e mjekut. Po qe se ne bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të mësuar nga të tilla gabime, eksperienca që do të fitonim do të na ndihmonte të paksojmë rastisjet e këtyre kërcënimeve. Megjithatë gabimet vazhdojnë të ndodhin edhe sot, kur njohuritë mjeksore janë plotësuar e nuk mungojnë. Për këtë kujdes të veçantë ai i kushtonte edukimit të vazhdueshëm të mjekut të ri, rrugës e mënyrës së dhënies së këtyre njohurive. Duke lexuar shtypin mjeksor (Dr. Bahriu zotëronte serbo-kroatishten, frëngjishten dhe italishten) dhe duke marrë pjesë në takimet shkencore ai gjithmonë këmbëngulte se ne nuk e ndihmojmë të sëmurin po qe se nuk zbatojmë atë që mësojmë te shtrati i vuajtjeve të tij. Kurdo që ndodh një dështim, lind një ndërlikim, bëhet një gabim ne duhet të pyesim veten – si mund të shmangej kjo që ndodhi? Përgjigja do të na ndihmonte në zgjidhjen e një rasti të ngjashëm të takuar në të ardhmen. Rëndësi të veçantë ai i kushtonte institucionalizimit të konsultës. Nuk duhet harruar asnjëherë se kur nuk kemi ditur se çfarë ka i sëmuri, infermieri që kemi patur në krah na ka pëshpëritur në vesh: -mua më duket se ka këtë… dhe për çudi diagnoza e tij dilte.

Momenti më i mirë për të mënjanuar ndërlikimet është kur jemi pranë të sëmurit. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë gjendjen e të sëmurit nëpërmjet leximit të materialeve të dosjes së tij. Kontakti me të sëmurin është kontrata themelore e profesionit të mjekut. Pa hezitim mund të themi se Dr. Kopliku është mjeku i vetëm shqiptar që ka zbatuar këtë parim, duke mos përfillur rreziqet që i kanoseshin, penalizimet me burg etj. Gjatë viteve të luftës 1943-44, dhe pas saj 1945-46, ai vizitoi disa herë klandestinë të kërkuar si kundërshtarë politikë të qeverive përkatëse.

Për studentët e fakultetit të mjeksisë dhe mjekët e rinj, Dr. Bahriu tregonte kujdes të veçantë dhe shprehte një afinitet familjar. Ai krijonte për ta kushtet e rrethanat më lehtësuese për të përvetësuar praktikat e punës, i ushqente me burimet shkencore dhe i mësonte si të vepronin në rrethanat reale. Kontributi i Dr. Koplikut për mjeksinë duhet të lidhet edhe me angazhimin e tij për përgatitjen e kuadrove mjeksore të mesëm, infermjerëve etj. Gjithkush është dëshmitar se kryeinfermierët më autoritarë, të shërbimeve të ndryshme të spitaleve dhe poliklinikave (të kabineteve të EKG-së, të Rontgenit, laboratoreve të ndryshëm etj.), në përgjithësi kanë qenë nxënës të tij.

 

Disa nga hobet e Dr. Koplikut

-Leximi i poezisë së Fishtës e të Njegoshit.

-Vizitues i rregullt i galerive të pikturës brenda dhe jashtë vendit.

-Studjues i historisë së njerëzimit dhe të artit.

-Gjurmues i përhershëm i zhvillimeve politike brenda e jashtë vendit (…gjatë Luftës së II Botërore, Balli Kombëtar i kërkoi shërbimin si interlokutor me misionet e huaja Angleze etj.).

-I apasionuar mbas kafshëve. Që nga fëminia e deri në ndarjen nga ne ka mbajtur me kujdes të veçantë kuaj shale, qenë të “fuqishëm” e mace me “personalitet”, siç i vlerësonte ai.

-Ushtrues i peshkimit sportiv me kallam që në moshën e fëmijërisë. Nga viti 1935-1980, këtij sporti i kushtoi dy ditët e fundit të javës.

-Përdorues i përditshëm i biçikletës, që nga viti 1937.

 

Sportet e ushtruara

-Futbollist që në moshën e rinisë gjatë viteve shkollore dhe anëtar i Klubit Vllaznia.

-Atletikë, në spartakiadën e Zetës (në Mal të Zi) në 1928 zuri vendin e I-rë në kërcim së larti.

-Notar i distancave të gjata.

-Hipizëm.

Kujt i përket Dr. Bahri Kopliku

Dr. Bahri Kopliku është një nga figurat më të shquara të një familjeje shkodrane të dalluar për traditat ndikuese në jetën e qytetit, veçanërisht pas vitit 1700.

Nderimet e gradat e larta të fituara nga personalitetet e shumta të këtij fisi, gjatë funksioneve drejtuese në këshillin tregtar të Pjacës së Shkodrës, në Bashki, në Gjykata, në misionet ushtarake brenda e jashtë vendit, në shërbimet diplomatike dhe arsim, i siguruan Koplikëve ruajtjen e rangut të dyerve fisnike më të respektuara të Shkodrës.

Në këtë periudhë të ngarkuar me të panjohura e identifikime subjektive të papritura, në rast se menaxhuesit aktual të zhvillimeve mjekësore pranuan misionin pa zotëruar ndonjë koncept apo model udhërrëfyes të përsosur, nxënësit e tij në veprimtarinë e tyre të përditëshme, pa u lëkundur i përmbahen parimit të Dr. Koplikut: “Mjeksia është në shërbim të sëmurit e jo të mjekut”.

Me fjalë të thjeshta, pa gabuar mund të themi se Bahri Kopliku qe një mjek me një takt dhe butësi të tillë që ndihmonte së bashku me ilaçet në shërimin e shpejtë të të sëmurëve. Ndërgjegja e humanizmi ndaj pacientëve e ndoqën gjatë të gjithë veprimtarisë mjeksore. Bashkëpunëtorët e tij dhe infermierët e kujtojnë me dashuri sepse i respektonte dhe i ndihmonte në kalimin e situatave të vështira edhe të jetës së tyre private. Edhe pas kalimit të krizës së parë të infarktit të 1976, duke mbajtur mbi shpatulla dekadën e 8-të të viteve, megjithëse në pension, mbi biçikletën e tij të vjetër, vazhdonte lidhjet me të sëmurët që e kërkonin për aftësitë e larta të mjekut. I ndiqte të sëmurët kudo që ishin. Në ditën e fundit të jetës, mbasi kishte konsultuar tre pleq që nuk lëviznin nga shtrati, si zakonisht me biçikletë, ugodit nga infarkti i 2-të. Koshient për domethënien e kësaj krize, vendosi të kthehej në shtëpi me këmbët e veta. Rrugës takoi shumë miq të tij, por nuk u kërkoi ndihmë. Me të mbërritur në shtëpi, zemra e tij e lodhur pushoi duke e ndarë nga kjo jetë të qetë në ndërgjegjen e tij se deri në ditën e fundit kishte kryer me nder detyrën humane të mjekut.

FERID HOTI

Ripublikim

www.shqiperia-etnike.com