Dorëhiqet anëtari i kryesisë së PD-së, Besnik Aliaj: Logjika ‘humbësit të ikin’ qartësisht nuk funksionoi për PD

Koordinatori i Politikave të Territorit në Partinë Demokratike dhe anëtar i kryesisë në PD, Besnik Aliaj pas humbjes së thellë të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit dhe humbjes edhe të garës për deputet në Gjirokastër ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Ka qenë vetë Aliaj, i cili përmes një postimi në faqen e tij në “Facebook”, që e ka pohuar duke shkruar se largohet nga çdo funksion i tij në PD dhe ia lë radhën më të zotëve që të japin kontributin e tyre. “Miq pas rreth 2 viteve si koordinator i politikave te territorit ne PD dhe pas zgjedhjeve te fundit ku u përpoqa të jap kontributin tim modest, largohem nga çdo “funksion” imi në PD dhe ja lë radhën të tjerëve më të zotë që të kontribuojnë. Do vijoj ndërkohë të jem pjesë e PD-së, si anëtar i thjeshtë. Gjithë të mirat për ju. Respekt për zgjedhjen tuaj si për ata që më kanë mbështetur dhe simpatizuar, edhe për ata që më ka e keqkuptuar ose sulmuar. Në çdo rast kjo botë ka vend për të gjithë!”, shkruan Aliaj. Por në një status të mëpasshëm, pak minuta më vonë, Aliaj jep edhe mendimin për zgjidhjen e situatës. Ai thotë se qelbi duhet pastruar dhe tregon se si duhet drejtuar PD-ja për këto 6 muaj, duke dhënë një zgjidhje konkrete. “Leksioni i madh është bashkëpunimi!”, thotë ai. “Ende shpresoj te arsyeja! Unë ende shpresoj tek arsyeja se nesër gjërat mund të jenë më mirë! Logjika ‘humbësit të ikin’ qartësisht nuk funksionoi për PD! Leksioni i madh është bashkëpunimi! Në këto rrethana tepër specifike unë ende besoj tek një udhëheqje kolegjiale e PD-së për 6 muaj, me 5 figura të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të të gjithë grupimeve e fraksioneve në PD, të cilët nuk do të kandidojnë vetë për asnjë post në PD! Kjo do të ndihmonte restaurimin e besimit mes vetes për të cilin kemi aq shumë nevojë sot! Objektivi: organizimi i një fushate sa më transparente, unifikuese, pa mllefe dhe model demokracie të brendshme në parti nga poshtë lart! Garë e ndershme, kohë dhe mundësi e mjaftueshme për të shpalosur e debatuar programin, idetë dhe veten për secilin kandidat! Asnjë preferencë asnjë paragjykim! Mendje e hapur! Zgjedhje me parimin një anëtar një votë. Referim strikt statutit në fuqi! Kjo është e vetmja rrugë, të tejkalojmë çarjet e të rifitojmë besimin tek njëri-tjetri dhe publiku. Kjo është e vetmja dhe e fundit rrugë për PD! Penicilinat nuk i bëjnë askujt më derman! Ulërimat veç prishin pune! Është koha e triumfit të të vërtetave dhe arsyes! E vërteta duhet përballur nga të gjithë! Jo me qërim hesapesh por me dinjitet, argument dhe etike! Qelbi duhet pastruar pa frikë! Ndryshe dëmi do të jetë i parikuperueshëm, dhe e keqja do të triumfojë përfundimisht në këtë vend! PD ka tani përgjegjësi historike! Ajo ka vetëm dy zgjedhje: ose të bëhet pjesë e së keqes, ose duhet ta përballojë atë, por pa hile, e fortë, e shëndetshme dhe realisht demokratike, për të mos i dhënë alibinë finale triumfit të së keqes nesër! Koha është sot! Tani!”, shkruan Besnik Aliaj, i cili kandidoi për deputet në Gjirokastër por nuk mundi të jetë fitues në garën e 25 qershorit.