Dokumentet e Komandës Gjermane: Ja 21 emrat e komunistëve që Enver Hoxha na i kërkon për t’i shkëmbyer me robërit tanë…

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente të rralla arkivore që botohen për herë të parë dhe që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë, të cilat i përkasin majit të vitit 1944, ku Shefi i Shtabit Madhor të trupave gjermane në Shqipëri, majori, Schulz, me anë të një letre që i ka dërguar në atë kohë zv/ministrit të Punëve të Jashtëme, Vehbi Frashëri, i bën me dije për një listë emrash me 21 komunistë që ia ka dërguar Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët kërkon që t’i shkëmbejë me robërit gjermanë…

Marrëveshja që bëri Enver Hoxha me komandën gjermane në Shqipëri në tetorin e vitit 1944 për të shkëmbyer tre femrat gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, të cilat ishin kapur rob nga një pritë partizane më 5 shatator të atij viti teksa po tentonin të largoheshin nga Shqipëria me një autokolonë gjermane në rrugën Kukës-Prizëren, marrëveshje të cilën Enveri nuk e zbatoi kurrë dhe si rezultat, solli ekzekutimin e 104 komunistëve dhe partizanëve shqiptarë që mbaheshin të izoluar në Kampin e Prishtinës më datën 23 tetor të atij viti, duket se nuk ka qenë e vetmja marrëveshje që Enver Hoxha me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte bërë me komandën e trupave gjermane në Shqipëri.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtëme dhe që botohen për herë të pare, ekskluzivisht për Memorie.al, ku hidhet dritë mbi një tjetër marrëveshje që Enver Hoxha ka bërë me gjermanët, vetëm katër muaj më parë asaj për shkëmbimin e tre femrave gjermane, e cila daton më 14 maj të atij viti.

Siç do të shikojmë dhe nga dokumentet në fjalë (shiko faksimilet përkatëse) më 15 maj 1944, Shefi i Shtabit të Forcave gjermane në Shqipëri, majori, Schoulz, në emër të gjeneralit komandues të trupave gjermane që ishin në vëndin tonë, i ka dërguar një letër zv/ministëit të Punëve të Jashtëme të qeverisë shqiptare, Vehbi Frashërit (i biri, i ish-kryeministrit, Mehdi Frashëri), letër në të cilën janë të shënuar emrat e 21 komunistëve shqiptarë, që asaj komande ia ka dërguar Enver Hoxha me Spiro Moisiun, duke u kërkuar që ata t’i shkëmbejnë me robërit gjermane që mbaheshin nga forcat partizane.

Letrën në fjalë, (bashkangjitur me letrër ku është lista prej 21 emrash të komunistëve shqiptarë), që mban datën 14.V.1944, nënministri i Punëve të Jashtëme, Vehbi Frashëri, ia ka dërguar një ditë më vonë, Ministrisë së Punëve të Brendëshme, ku i kërkon informacion më të plotë lidhur me emrat e këtyre komunistëve, nëse ndodhen në burgje dhe nëse dëshirojnë që vullnetarisht të deklarohen se janë komunistë e të pranojnë që të shkëmbehen, apo ata që nuk pranojnë që të identifikohen si të tillë dhe që nuk pranojnë dorzimin e shkëmbimin me robërit gjermanë.

Si fillim duhet thënë se kjo marrëveshje është realizuar, pra këta komunistë janë shkëmbyer me robërit gjermanë që mbaheshin si pengje nga forcat partizane të Enver Hoxhës, pasi pothuaj të gjitha ata jetuan edhe pas mbarimit të Luftës, madje duke mbajtur poste të larta në hierarkinë partiake dhe shtetërore pas vitit 1944 e më tej. Nga sa shihet në letrën me emrat e 21 komunistëve, e cila sipas shefit të shtabit madhor të trupave gjermane, majorit Schulz, është e përpiluar nga Enver Hoxha, pothuaj shumica e tyre ishin persona me shumë rëndësi në Lëvizjen Komuniste dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Mosiu, gjë e cila e ka detyruar Enverin që të kërkonte shkëmbimin e tyre me robërit gjermanë që ata i mbanin të izoluar dhe për t’i shkëmbyer.

Pa hyrë në hollësira lidhur me detyrat dhe funksionet që mbanin këta pjestarë të kësaj liste prej 21 personash gjatë periudhës së Luftës, disa prej tyre ishin, shokë e miq të afërt me Enverin, apo kishin lidhje të ndryshme me të, si, p.sh.: Aqif Selfo, shok i ngushtë fëmijërie i Enver Hoxhës që në qytetin e Gjirokastrës ku i kishin shtëpitë shumë afër dhe më pas në Liceun e Korçës, por Enveri i pushkatoi disa nga kushërinjtë e tij, si Syrja dhe Reiz Selfon, e të tjerët ja persekutoi, Alo Dëshnica, vëllai i Esat Dëshnicës, (Deputet i Kuvendit Popullor), që mbajti Enverin me para gjatë Luftës, u vra në Kampin e Prishtinës, Justina Sata, apo Flora Dëshnica, sekretare e Enverit në Shtabin e Përgjithshëm dhe pas Luftës, bashkëshortja e Ymer Dishnicës, etj.

Nga lista në fjalë prej 21 personash, pjesa më e madhe e tyre pas mbarimit të Luftës mbajtën funksione drejtuese në hierarkin partiake dhe shtetërore, ndërsa ndonjë prej tyre, si Skënder Kosova, Drit Çaushi, Ali Kubati, Flora Sata, etj që do të përfundonin burgjeve dhe internimeve. Krahas dokumenteve arkivore me listën prej 21 personash që Enver Hoxha ia kërkoi Komandës së lartë Gjermane në Shqipëri dhe i shkëmbeu me robërit gjermanë, të cilën po e publikojmë dhe me faksimilet përkatëse, po shënojmë edhe disa nga detyrat që këta eksponentë të lartë të Lëvizjes Komuniste mbajtën dhe ushtruan pas mbarimit të Luftës, si p.sh.:

 

  1. Aqif Selfo, Shefi i Arsimit në Tiranë, menjëherë pas Luftës
  2. Drit Çaushi, sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
  3. Hatixhe Deliu, gruaja e Ramadan Çitakut, themelues i PKSH
  4. QaziM Vaqarri, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
  5. Sali Angoni, zv/ministër i Ndërtimit për shumë vite
  6. Ali Kubati, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
  7. Qibrie Ciu, zv/Ministre e Arsimit dhe më pas e internuar
  8. Qamil Poda, kolonel, Komandant i Flotës Ushtarake Detare
  9. Musa Agolli, (vëllai i Mahmut Agollit) me poste drejtuese
  10. Liri Dodbiba, (motra e ministrit, Pirro Dodbiba), në Arsim
  11. Alo Dëshnica, “dëshmor”, vëllai i Esat Dëshnincës, deputet
  12. Justina Sata,(Flora Dëshnica), sekretare e Enverit në Luftë
  13. Jani Thoma, kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së

 

K O N C E P T

 

SHTETI SHQIPTAR

MINISTRIA E PUNEVE TË JASHTËME            Tiranë, më 15/V/1944

Nr.63/1 Rez

                                               E ngutëshme

                     P T

                MINISTËR I P.T. MBRENDËSHME

                               T I R A N Ë

 

Për dijeni dhe veprim. Ju dërgojmë, bashkangjitun, shkresën, datë, 14/V/1944 të Gjeneralit të Komandës Gjermane, në lidhje me shkëmbimin e robërve, me lutje që të na jepet një përgjigjie, më ditën e nesërme, më 16. të këtij.

 

                                         NËNMINISTRI

                                        Vehbi Frashëri

………………………………………………………………………………………………………………………………………

                                              

                                          Rezeravt

 

Zoti nënministër, Vehbi Frashëri

                                        Tiranë

 

Në lidhje me bashkëfjalimin telefonik, që Ju, zoti nënministër, keni pasun me gjeneralin komandues, parashtrojmë këtu poshtë emnat e komunistëve të kërkuem nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, për shkëmbim me robërit e luftës gjermanë:

 

1.Aqif Selfo  

2.Driti Çaushi                  

3.Hatixhe Deliu               

4.Tefta Mano                  

5.Qazim Vaqarri             

6.Sali Angoni                    

7.Ali Kubati                       

8.Zef Nikolla                    

9.Qibrie Ciu

10. Skënder Kosova                     

11.Musa Agolli

12. Astrit Leka

13. Liri Dodbiba

 14. Alo Dëshnica

15.Justina Sata

16. Jani Thoma

 17.Qemal Emin

18.Muzafer Kokobobo

19.Qamil Poda                     

20.Dragush Frashëri

21.Bedri Karapici

Jeni të lutur me na njoftue, se cilët komunistë jënë ndër burgje në dispozicjon e që dëshirojnë vullnetarisht me u dorzue, të cilët komunista janë ndër burgje që refuzojnë dorzimin (shkëmbimin) dhe të cilët persona janë dhe për ç’arsye nuk mund të shtihen në dorë.

 

                            Për gjeneralin komandues

                            Shefi i Shtabit madhor

                                I.A      I.V

                                Schulz d.v. Major