Dokumentet e CIA: Koçi Xoxe u fsheh në malet e Çermenikës pas përplasjeve me Enver Hoxhën

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon regjimit komunist. CIA ka deklasifikuar një sërë dokumentesh të tjera mbi periudhën 1949-1951 dhe aty jepen detaje mbi situatën që ndodhte në Shqipërinë komuniste. Një rëndësi e madhe i është kushtuar dhe Koçi Xoxes. Ish-ministri i Brendshëm ka qenë ndër armiqtë më të mëdhenj të Enver Hoxhës. Në vitin 1946 ai u bë ministër dhe e mbajti detyrën dy vjet, ndërsa më pas nisi luftën me regjimin. Sipas dokumenteve të CIA, ai qindori ia arratisur në malet e Çermenikës, ndërsa ka deklaruar se ai kishte mbështetjen e jugosllavëve, ndërkohë që regjimi e akuzonte si spiun të UDB. Nga ana tjetër janë nxjerr dhe të dhëna të agjentëve që rekrutoi CIA në Shqipëri.

Shkurt 1949, Koci Xoxe raportohet se po fshihet në rajonin e Çermenikës

Ish-ministri i Brendshëm shqiptar që është larguar kohët e fundit nga qeveria gjatë spastrimeve të partisë, raportohet se po fshihet në rajonin e Çermenikës, një zonë malore në prefekturën e Elbasanit. Me të raportohet të jenë dhe rreth 250 ndjekës të cilët po përgatiten të nisin sulme kundër forcave të armatosura shqiptare. Ushtria jugosllave raportohet të lejojë Koçi Xoxen të kalojë lirisht kufirin brenda dhe jashtë vendit.

Korrik 1949

Raportohet se popullsia civile përgjatë rajoneve kufitare me Jugosllavinë po zhvendoset nga autoritetet. Zonat kufitare dhe të bregdetit të Prespës po shpallen zonë ushtarake dhe është ndaluar kultivimi i tyre. Në zonat e Mitiopolitit dhe Finiqit ka nisur ndërtimi i dy kampeve të reja me përmasa 1kmx2km. Qeveria po merr në konsideratë ndërtimin e një rruge automobilistike mes Finiqit dhe Sarandës. Refugjatët jugosllavë komunistë që kalojnë kufirin drejt Shqipërisë, raportohet se e gjejnë veten të rekrutuar në brigadat e ushtrisë të komanduara nga sovjetikët. Raportime të pakonfirmuara flasin për krijimin në zonën e Shkodrës të katër brigadave të tilla, me masë të pakonfirmuar.

Aktivitete rezistence nëntor 1949

Më 8 tetor 1949 u raportuan luftime të ashpra në Thirre mes trupave qeveritare dhe rezistencës nacionaliste. Burimet flisnin për forca të shumta të rezistencës, pasi krerët e tyre ishin mbledhur për një konferencë të thirrur në Thirre nga Ndue Pjetër Gjnmarkaj. Luftimet zgjatën dy ditë dhe u mbyllën me disfatën e forcave qeveritare. Për të forcuar kontrollin ndaj zonave në veri të Shqipërisë qeveria e Hoxhës bëri disa ndryshime në qeveritë lokale. Nënprefektura e Mirditës u transferua nga Shupali në fushën e Lumthit. Bajrakët (komunat) e Kthellës dhe Selitës u vendosën nën juridiksionin e nënprefekturës së Matit. Bajraku i Fandit u vendos në juridiksionin e Qukësit. Tashmë nënprefektura e Dibrës ka vetëm tre bajrakë: Oroshi, Kushnen dhe Dibra.

Burimet raportojnë se rreth 50 anëtarë të Ballit Kombëtar që besohet se kanë hyrë në Shqipëri në mesin e tetorit, u tradhtuan te forcat qeveritare nga banorë besnikë të regjimit. Rreth 30 prej tyre u vranë dhe 20 të tjerët u kapën rob.

Një brigadë refugjatësh shqiptarë të armatosur mirë dhe të stërvitur në Jugosllavi, të njohur si “Brigada e Koçi Xoxe” raportohet se janë stacionuar në kufirin shqiptar pranë liqenit të Shkodrës, duke pritur urdhër për të vepruar kundër qeverisë së Hoxhës

Tetor 1950

Gjatë muajve të korrikut e të gushtit 1950, komanda ushtarake e Shkodrës dha urdhrin që të gjitha armët gjermane, italiane, serbe greke e turke të lëshoheshin në pikën e bashkimit të lumenjve Drin e Buna. Nga to përjashtoheshin eksplozivët dhe armët automatike. Operacioni është kryer nën fshehtësinë e errësirës dhe u krye nga 12 njerëz të betuar për sekretin dhe të kërcënuar me vdekje në rast publikimi.

Shënim: Arsyet për këtë nuk janë të qarta, dhe as për faktin nëse armët ishin pjesë e forcave ushtarake apo të konfiskuara nga popullata civile. Raportimi nuk sinjalizon nëse armët po “lëshoheshin në ujë” për t’u shkatërruar apo të mbrojtura me qëllim rikuperimin e tyre të mëvonshëm. Po bëjmë përpjekje nëse ka veprime të tilla ose të ngjashme në pjesë të tjera të vendit.

Më 25 gusht pesë anti-komunistë u arratisën nga burgu i prefekturës së Rrëshenit. Pjetur Kodeli ia doli të arratisej ndërsa Shkurt Prenga dhe Marka Preng Vorfi u vranë. Më 18 shtator 1050 forcat qeveritare u përballën në Simon me grupe anti-komunistësh të udhëhequr nga Gjon Frok Kurbini, nga Kryesiu. Nga përplasja u vranë tre ushtarë të qeverisë dhe nacionalisti Mark Lasku nga Munegu. Në shtator 1950 u arrestuan në veri të Shqipërisë anti-komunsitët Nikoll Pjetri, Gjon Karaqi, Ndue Llesh Karaci, Zef Marka Nikolli dhe Ndoc Dod Qafa.

Nëntor 1950

Kemi marrë informacione për më shumë se 2000 guerilë grekë komunistë të vendosur diku në rrugën Tiranë – Shkodër. Në javën e parë të shtatorit rreth 120 prej tyre u transferuan në Korçe dhe rreth 150 në Gjirokastër. Ata që mbetën në rrugën Tiranë-Shkodër raportohet se po marrin trajnim ushtarak në vendndodhje të paspecifikuara, rreth 25 kilometra në veri të Tiranës. Janë disa patrulla guerilasish grekë që kontrollojnë rrugën Elbasan-Librazhd-Pogradec. Raportohet se rreth 1200 guerilas janë përfshirë në ushtrinë shqiptare për të përforcuar regjimin e parashtruar nga Kominform. Në lidhje me këtë, në ushtri kanë vazhduar spastrimet e elementëve të dyshueshëm, ndërsa edhe dezertimet kanë qenë gjithnjë e më të shpeshta. Në 15 gusht 1950, një grup anti-komunistësh të drejtuar nga Hysni Belishova, sulmoi me sukses kazermat e Pogradecit dhe shkatërroi materialin luftarak që i përkiste rebelëve grekë. Informacionet tregojnë se elementët e guerrilasve grekë janë përfshirë në brigadat speciale të ndjekjes së regjimit komunist. Gjatë natës së 2-3 prillit një post i rëndësishëm policie u sulmua në veri të Librazhdit nga një grup prej 22 patizanësh nacionalistë, të drejtuar nga njëfarë Blloshmi, ata morën kontrollin e postës policore dhe vranë komandantin. Mes dokumenteve të gjetura në ndërtesë ishte dhe një urdhër për të ndaluar çdo aktivitet të rezistencës në rajon dhe të raportonin pa vonesë për çdo të dyshuar mes popullatës apo dhe mes vetë anëtarëve të policisë, që mund të influencojë apo sabotojë zgjedhjet. Gjatë natës së 30-31 marsit një grup me agjentë të ministrisë së Brendshme u sulmua nga rreth 15 anëtarë të rezistencës shqiptare, teksa po udhëtonin nga Tirana drejt Elbasanit. Në incidentin rreth 30 kilometra larg Tiranës, policia pësoi 12 të vrarë ose të plagosur, mes tyre dhe njëfarë Poda, komandant i batalionit të ministrisë. Gjatë vdekjes ai raportohet të ketë thënë: “Ju mund të më vrisni por ju siguroj se jam në anën tuaj, prandaj po vdes pa asnjë mendim hakmarrjeje. Mes dokumenteve të kapura pas sulmit ishte një urdhër për kontrolle të pozicioneve apo forcës së grupeve të rezistencës në këtë zonë. Aktualisht rreth 85 për qind e popullsisë urbane dhe rreth 95 për qind e popullsisë fshatare janë anti-komuniste. Por popullsia qytetare është kryesisht apatike, pranua ka asnjë iniciative, në ndryshim nga zonat fshatare, kryesisht ato të veriut të vendit, të cilat kanë dispozitë të ndihmojnë aktivitetin e rezistencës (deri në muajt mars-prill 1950)

Nëntor 1950

Informacione ekonomike

Rreth 3 km në jug të Tiranës po ndërtohet një tjetër fabrikë e kombinatit tekstil Stalin, të nisur prej vitit 1948. Deri në maj 1950 shumica e ndërtesave ishin përfunduar dhe ishin instaluar makineritë e sjella nga çmontimi i disa fabrikave sovjetike dhe të vendeve satelite. Një fabrikë sheqeri, e cila tashmë ka një prodhim ditor prej 7000 kg, është ndërtuar në Maliq, ku janë punësuar 100 deri në 150 punëtorë. Në gusht 1950 pritet të përfundojë një rrugë me një korsi që lidh Peqinin me Elbasanin. Në maj 1950 u kompletuan dy tunele në … me gjatë si rreth 1000 metra.

Bonifikimi i kënetës së Maliqit

Projekti i bonifikimit të tokave të kënetës së Maliqit arriti me sukses të devijojë rrugën e ujërave të liqenit me anë të një kanali 3km të gjatë drejt lumit të Devollit. Projekti ka nisur në 1946 por në dhjetor 1949 kanali ishte ende duke u ndërtuar, në fund të kanalit është dnërtuar një digë për të kontrolluar fluksin e ujërave. E ndërtuar me beton-arme, ajo është rreth 50 metra e gjatë dhe ka tetë porta uji. Zona e bonifikuar do të përdoret për kultivimin e panxharit dhe patateve. Panxhari do të përdoret në fabrikën e re të qesherit të ndërtuar në qytetin e Maliqit.

Gusht 1951

Rezistenca ndaj ndalimit të armëve në Shqipëri

Sipas refugjatëve të ardhur kohët e fundit në Jugosllavi nga Shqipëria, skuadra të policisë po kontrollojnë në qytete e fshatra për armë dhe municione. Megjithë kërcënimet e autoriteteve, operacioni nuk ka qenë i suksesshëm pasi njerëzit i kanë fshehur armët e lëna nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Refugjatët deklarojnë gjithashtu se në disa zona në verilindje të Shqipërisë, veçanërisht në Kukës, fshatarët kanë refuzuar me forcë tentativat e policisë për konfiskimin e armëve të tyre të gjahut, të për të cilat ata kanë nevojë për mbrojtjen e bagëtive nga ujqërit. Për arsye të krizës së urisë, fshatarët e vendeve malore janë detyruar të vrasin edhe qentë për ushqim, dhe armët e tyre janë e vetmja mbrojtje ndaj kafshëve të egra. Megjithëse populli shqiptarët jeton në kushte të mjerueshme dhe varfëri, rezistenca e përgjithshme në vend kundër liderëve komunistë nuk po merr përmasat e një revolte të organizuar. Në zonën e Korçës rezistenca është më aktive në pjesën myslimane të qytetit, ndërsa në veri të Shqipërisë rezistenca është aktive mes popullatës katolike. Përplasje me armë dhe incidente të tjera të prishjes së rendit janë të shpeshta në të gjithë vendin. Gjyqe të veçanta lëvizëse shkojnë drejt vendndodhjeve të caktuara pas një revolte dhe japin vendime të shpejta arbitrare për të kapurit. Një tjetër informator raporton se nuk ka shenja të një revolte të gjerë të organizuar, dhe se gjithsesi diçka e tillë konsiderohet e pamundur. Disa nga shqiptarët më të arsimuar janë të djathtë radikalë por shumica e njerëzve nuk mendojnë për programe politike, përveçse për të qenë anti-komunistë.

I njëjti informator thotë se komunistët në Shqipëri kanë zhdukur ushqimin e vendit dhe mallrat e tjera. Fshatarët jetojnë vetëm me ato që mund të fshehin nga zyrtarët e shtetit që mbledhin prodhimin e të vjelave. Fshatarët mbajnë në shtëpi ushqim vetëm sa për dy-tre ditë, dhe rifurnizohen nga rezerva të fshehura në mal. Dyqanet e fshatrave janë të zbrazura, nganjëherë rrallë kanë kripë ose vajguri. Në zonën e Korçës, sa herë që vjen një dërgesë ushqimi apo mallrash të tjera, autoritetet e ndajnë në dy pjesë, një për fermat kolektive dhe tjetrën për vete dhe anëtarët e partisë, duke mos lënë asgjë për popullatën. Këtë vit priten të korra të mira.

Agjentët e rekrutuar

Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë. Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit, por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill, Ismail Vërlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoriaja në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill, ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Ndërhyrja nga fqinjët

Gjatë veprimeve të revolucionit forcat e stërvitura prej rreth 4000 shqiptarësh që pretendohet se ekziston në Jugosllavi dhe forcat ushtarake të Greqisë e Jugosllavisë duhet të qëndrojnë të gatshme për asistencë nëse lind nevoja. Forcat greke dhe jugosllave duhet të tërhiqen menjëherë prapa kufijve të tyre sapo revolucioni të ketë shpallur suksesin. Flota e gjashtë amerikane do të bëjë manovra në detin Adriatik e Jon gjatë revolucionit, për të mbuluar zbarkimet amfibe dhe për të ndihmuar revolucionarët në rast nevoje. Ajo nuk do të ketë një rol aktiv nëse nuk thërritet për këtë. Flota do të mbetet në zonë për disa javë për të shkurajuar dhe parandaluar veprime antagoniste nga Bashkimi Sovjetik apo satelitët e tij. Të organizohen zgjedhje të lira për qeverinë demokratike. Teksa shumë nga rekomandimet individuale në paragrafët e mësipërm mund të mos jenë të nevojshëm, është me rëndësi të kërkohet neutraliteti miqësor i Italisë, Greqisë e Jugosllavisë për përmbysjen e qeverisë shqiptare, në mos bashkëpunimi i tyre aktiv.

Trajnimet në Gjermani

Grupet e vlerësimit të CIA kanë analizuar më shumë se 200 individë në Kompaninë e Gardës në Gjermani dhe kanë zgjedhur 66 prej tyre si më të kualifikuar për operacione. Strukturat ekzistuese për trajnimin e agjentëve në Gjermani janë tashmë, pas kompletimit të trajnimit për agjentët bullgarë, të gatshme për stërvitjen e agjentëve shqiptarë. Trajnimi i operatorëve radio do të bëhet në kohë për të furnizuar operacionet e fundit të verës. Kontraktorët tanë kanë marrë një tjetër qendër stërvitjeje në Gjermani, përveç asaj në Hambuechen dhe është më efektive sesa qendra jonë e parë atje. Kampi i refugjatëve shqiptarë në Lavrion në Greqi është analizuar nga Partia e Legalitetit dhe është hartuar një listë prej 117 shqiptarësh që mund të shërbejnë si agjentë, të cilët aktualisht po u zbardhen të dhënat nga grupet e sigurisë. Një broshurë në lidhje me episodin e bombës është hartuar në Londër prej 8 prillit, por nuk është lëshuar mbi Shqipëri për arsye të masës së ndalimit të vendosur nga Departamenti i Shtetit. Por gjithsesi misioni i furnizimit u lejua të lëshonte 50.000 kopje të kësaj broshure në disa lokalitete si instrument mashtrimi. 500.000 kopje të broshurës që njofton nisjen e transmetimeve klandestine radio kanë mbërritur në Athinë, duke u bërë në total 1.500.000 broshura që do të shpërndahen me heqjen masës së ndalimit në 3 qershor 1951.

Transmetimet radio

Mjeti detar me stacion e radios klandestine ka krijuar bazën e tij në Patras të Greqisë dhe një oficer ndërlidhjeje mes detit dhe tokës do të shkojë në Patras në maj. Nisja e transmetimeve besohet të nisë rreth 15 majit, pasi është penguar nga vështirësitë teknike dhe të personelit. Ndërkohë po kryhet riparime në pajisjet e telegramit të dëmtuara gjatë kalimit të oqeanit. Mbledhja e stafit të propagandës po përfundon në Greqi dhe pritet të arrijnë në vend redaktori i propagandës dhe një tjetër teknik radio. Tekstet që do të transmetohen dërgohen fillimisht në Uashington. Dega e propagandës në Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë po rrit prodhimin e saj dhe materiali i kalon nevojat e përmuajshme prej 500.000 broshurash. Përveç kësaj Komiteti po prodhon material të bollshëm edhe për gazetën e Komitetit që botohet në Nju Jork.

Aktivitetet politike ende nuk janë zgjidhur problemet e brendshme politike mes grupeve të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, megjithëse ai vazhdon të funksionojë si një njësi duke dhënë mbështetje të konsiderueshme me juntën e tij ushtarake dhe me degën e propagandës.

Dy numrat e prillit të gazetës së Komitetit u botuan në kohë. Said Kryeziu, anëtar i kryesisë së Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe drejtues i Partisë Agrare, i cili ka vizituar Kompaninë e Gardës në Gjermani, pritet të jetë në SHBA më 10 maj, në një vizitë që ka si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes tij dhe anëtarëve të tjerë të NCFA`. (SOT)