Dituri Dizdari: Ju fal krejt qiejt e mi

…mam… foshnja që sa kish nis me belbëzu kthehet dhe lëviz vështirë në atë ngushticë shtrojë, dhe kërkon gjithë sy e trup, ftyrën e nans dhe dorën e bekume të saj. Gruaja krejt pa ndij e pa dit përkund lehtë, shtratin e tij dhe ndjen hutim kujtese… kur kish përkund për herë të parë… po, për herë të fundit?

Mbështjell me krahët e saj, djepin e thurun, dhe një dritë e amël i mbush shpirtin…o zot, qofsh ma i madh se je…afron ma ngjat shtratin e të voglit, dhe bahet njish me te …tani ngrohtësia e trupit të saj do të ngroh foshnjën…

…kamt si dru të laguna, i përshkon mpimja si të jenë të tjetër kujt, por as që gjindet kohë, për me’ e dit …një ndjesi e largt prej dëshire që vetëm e tillë ka mbet, i buzëqesh pa kusht…një det i bukur që verbohet nga dielli, reze diamanti, dhe streha prej çadre dhe fmijt aty, vajzat që vrapojn kah andrra dhe djali nji motak e gjys që i ndjek pas si zog pushverdhë dhe lodrat dhe akulloret dhe plluskimet mbi ujë… dhe ajo sygëzum nga lumtunia…gjithë bota e vet asht aty…

…zgjohu, i tha vetes, nuk ban gruja me flejt, duhen ba gjithë ato punë, shtëpia m’pret mu…ndjen gjymtyrt e mpim, kryet e randë dhe pafuqi e pamund mpleks’ bashkë, si gërsheti i saj reth kokës…zgjohu, çohu…nuk mund me fol, as me mendje, as ajo nuk i bindet ma…gati nuk beson porse ndjehet mirë që asht me të birin, në ato çaste që nuk don t’i përjetojë dy herë…me shpirtin, ngrohtësinë e të voglit në gjoks të vet…

…mam…

Vështron fëmijën, zëmra i rreh fort dhe mshtetet pak se ndjen lodhje…sa mirë që u kujtova, sa mirë…

Koha kish fluturu, sa hap e mbyll sytë, zallahitë e saj patën urdhrin e vetë perëndis…toka u bë det i frikshëm, qielli, pus i thell…vetëtima e shkreptima si gjarpërinj anemik çajnë tokën, nën ujë…

… gruja tulatet, si dikush t’i kish dhanë një shuplakë të fortë a një lajm kobzi… djepi, tha djepi… vrapoi në haur dhe rrëmbeu djepin që para pak kohë e kish varun aty…

…mam…

Djali, send ma i bukur, nuk ish pa në tan fshatin i lindur pas tri varzave, porse që nuk mund me e ditë, ktheji vështrimin mbi fytyrën që kishte pranë… mam…dhe u qetua, fryma e njohun e ngazëlloi të qeshte vetiu e të rrotullonte sytë herë mbi andrrat prej foshnje, të cilat, nuk i shpjegon dot kush e herë mbi tavanin e ulët e të randum të dhomës…

…a mundet kush me të ba dhuratë ma të madhe, se fëmija, veç t’lumit…a ka në këtë botë shpirt ma të pasun se i nanës…falemnderës…ja pastaj do baj darkën, se dita kaloi si kaloi, një zot e di sesi… dhe kush, nuk hangër asgja, as mjesin… vajzat shkun tek nana e jan mirë aty… zemrat e mia, njana ma e bukur se tjetra…oh sa e lodhun jam…burri më tha se po vjen shpejt…dhe ai don diçka me hangër…fasule, jo dun kohë…byrek… jo… vezë, djathë dhe turshi… sa mirë, i bana me kohë turshitë, janë të mira të shkretat…t’amlin…nuk mujta…me e mjelë lopën…delet ku shkunë, ku janë…shpirti jem, fli zemra ime ti…

sa mirë, mendoi sërish… zoti me të madh të vet… e vuni djepin mbi një raft të vogël rrobash… pika ma e naltë e dhomës… aty nuk do të mbrrinte kurrë uji, që kish mbush me shpejti dhomën e gjithë shpinë…pastaj ajo do t’a mronte me trupin e vet, djalin…

Gjysmëerrësira prej të ftohti moti dhe shiu që nuk pushon, e që kish ra gjatë gjithë nats e kish mbyt e përmbyt krejt e gjithsa, e që kish kaplu metrin, kenë mysafirët e rrallë e të paftum, e që ishin shtru si n’gosti t’zotave, atyre anëve…

…mam… ka…ftot…sytë e të voglit, lujn me shpejtësi sipas ritmit të shiut furtunë…brenda një çasti, gjithsa u ndrrit dhe gjëmimi shkuli çfarë mund me gjetë, nga vendi…

Moti zallahis e nanuris veten në shkrepëtima të frigshme e të ikëshme rrufesh. Një forcë furi bjen ujra lumenjsh që janë dalë nga rrjedha e zotit…kenë çartur…

…foshnja zgjohet, frymon shpeshtas, anon kryt e vogël rethuar kaçurelash t’verdha dhe vështron andej nga vjen ajo pak dritë…

… merrni fminë, shpejt… thirri një kojshie aty pranë…foshnja e mbështjell me robë të rastit, kalon dorë më dorë nga vargu i njerzve, derisa krahët e një ushtari e kalojnë tek infermjerja, që pret tek porta e hapun e makinës ambulancë…

A ka kush tjetër, thirri kojshia… jo, joo, qe përgjigja…

Makina niset, dhe ato pak vetë fillojnë me dalë prej ujit…

…furtuna pushoi dhe ajrit, klith pa za i ftohti i idhët… avulli çohet nga trupat e mardhun por ata njerz, janë vendosë të bajnë të pamundmen me shpëtu gjindjen…ajo kohë e mbrapshtë, kish qenë dhe e pabesë… të moshumit tregojnë se qe tridhet vite skishin pa, njashtu moti… hem lumin e kish nxjerr nga shtrati, hem malin…falna zot, mëkatet… nuk dimë çka bajmë…

…ndaleni, ndaleni atë abulancë, briti kojshia me sa za i kish dhanë perëndia… shoferi, që sa kish vënë kamën në gaz, dëgjoi klithmën e shpirtit…asht e ama djalit këtu, e mbytun në ujë…oh e mjera unë, klithi…

Dy krahë e nxurrn dhe ngritën nga uji, grun e shkret, dhe e vendosën mbi nji çarçaf e shkopa të sajum…krahët i vareshin…oh, ku, ku… dëgjohej zani i do grave…

…oksigjenin shpejt, klithi dikush, dhe një batanie… asht gjallë, asht gjallë…zani i foshnjës shpoi ajrin si gri plumbi…

Unë kam në pllambën time, dorën e grus dhe më dhemb zemra, po vuj…hesht si gjithmonë, e pafuqi për me ba ndonji gja, për këta njerz…befas dora e saj dridhet, bash kur brit’ djali, dhe unë fluturoj në qiejt e mi, si gjithmonë flatroj dhe besoj se nuk është dhe aq pak t’u falësh këtyne njerëzve të varfër e të mir, pak qiell e t’a shohësh ate, në sytë e tyne, kur ngrejn lart, durët për me u lut…

dD