DITET E “ZJARRTA” TE FUSHATES ZGJEDHORE/ Basha: Shkodra, lokomotiva e Republikës së Re, lajmëron fitoren

TIRANË, 21 Qershor /ATSH- I. Vata/ -Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi pasditen e sotme takimin përmbyllës në qytetin e Shkodrës, ku ju kërkoi banorëve të qytetit verior qe te jenë ‘lokomotiva e Republikës së Re’.

Në fjalën e tij, kreu i PD-se tha se timoni në duart e një politikani merr fund me 25 qershor, dhe që ta bëjmë këtë duhet të ulim taksat, shtoi ai. Po ashtu, tha Basha, na duhet reforma kushtetuese që fati i politikanëve të jetë i lidhur me qytetarin.

“Sa herë që jam në Shkodër ndihem krenar dhe pak shkodran, sepse Shkodra ka qenë e lirisë dhe e demokracisë. Shkodra ka qenë e punës dhe duhet të jetë e tillë. Prandaj me 25 qershor në këtë bashkim të madhe, myslimane dhe katolike të votojmë të ardhmen, sepse ajo na pret dhe siç keni vërshuar në këtë shesh, vërshoni në qendrat e votimit ditën e diel. Merrni edhe të majtët e zhgënjyer për të votuar Republikës e Re, sepse  Shkodra është lokomotiva e ndryshimit”, theksoi kryetari demokrat.

Lezhë-Basha: Rama nuk kishte prioritet shqiptarët, por timonin për vete

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi pasditen e sotme takimin elektoral në Lezhë ku deklaroi se qeveria ka dështuar me ekonominë dhe se zgjidhja është plani i PD-së për një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune.

Nga Lezha, Basha tha se,  dua ta nisë me mirënjohje për lezhjanët që nuk u gjunjëzuan nga qeverisja e keqe, por na sollën në ditën e Republikes së Re. “Sa herë lëvizin demokratët lind një shprese e re për shqiptarët, kështu ishte në 1990, kështu ishte kur futëm Shqipërinë në NATO, dhe kështu do të shkojmë bashkë në Europë, pas fitores së 25 qershorit”, tha kreu i PD-se.

Në vijim Basha tha se “lezhjanët dhe shqiptarët u detyruan të emigrojnë, ata janë nderi ynë, por dhe plaga jonë. Bota po ndryshon, ndersa Shqipëria deri më sot jo, por të dielën ajo do të ndryshoje, fale jush”.

Duke ju drejtuar lezhjaneve kreu i PD-se, tha se, “ju do të merrni në dorë fatet tuaja, sepse fati i politikanëve do të lidhet me gjykimin e qytetarëve. Katër vite kanë kaluar kur Rama premtonte 300 mijë vende pune, kur premtoi shëndetësine falas, kur ju premtoi fermerëve e peshkatarëve ndihmë financiare. Ai premtoi edhe ulje te taksave për 97% të shqiptarëve, por mbajti zero premtime dhe 400 miliardë shpenzime, sepse nuk kishte një plan për vende pune. Ndaj rriti taksat, çmimin e naftës dhe të energjisë. Qindra mijëra euro për fishekzjarre dhe palma, sepse Rama nuk kishte prioritet shqiptarët, por tekat dhe timonin për veten e tij”.

Ja ku jemi sot, tha ne vijim Basha, ku 56% e shqiptarëve duan të ikin jashtë vendit, por Edi Rama ju thotë ‘dilni se ka punë’, por në të vertetë askush në Lezhë nuk është punësuar.

“Mijëra biznese janë mbyllur, paguani më shumë për dritat, naftën dhe arsimin. Kjo është gjendja e Shqipërisë pas katër vitesh, por Edi Rama vjenë serish e premton, prandaj mos i besoni premtimeve te tij. E thanë sot edhe mediat gjermane, e vetmja forcë e ekonomisë së fortë është Partia Demokratike, prandaj votoni Nr. 6”, deklaroi Basha.

Mamurras-Basha: Katër ditë për t’i dhënë fund katër viteve të qeverisjes së keqe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar sot takimin e tij elektoral në Bashkinë Mamurras ku ka bërë prezent planin e tij ekonomik të forcimit të biznesit dhe krijimit të vendeve të punës.

Në Mamurras, kryetari i PD-së Basha ka vazhduar bashkëbisedimin me qytetarët  dhe ka vizituar sipërmarrësit e vegjël duke folur për hallet e tyre për taksat e larta dhe dhunën e taksidarëve.

Në fjalën e tij, Basha tha se, “Ditën e dielë vjen shpagimi me votë, vjen dita për t’u bashkuar rreth një projekti të republikës së re. Unë erdha për t’ju takuar, por ju më pritet në mënyrë madhështore dhe kjo tregon se fitorja është e jona me 25 qershor. Katër ditë për t’i dhënë fund katër viteve të qeverisjes së keqe”, u shpreh Basha.

Basha shtoi se “Ju e dini tashmë se i vetmi plan ekonomik në këto zgjedhje është plani ekonomik i Partisë Demokratike, sepse vetëm me uljen e taksave do të thithim investime. Fermerët do të kenë mbështetje financiare, po ashtu do të mbeshtesim të rinjtë e të rejat e kësaj zone dhe të gjithë Shqipërisë duke ju mundësuar shkollim në universitete me tarifa të ulta, stazhe pune me vlerë 20 mijë lekë në muaj. Dhe për pensionistët shqiptarë rritja e pensioneve do të fillojë që këtë vit dhe do të arrijë 25 mijë lekë në muaj”.