Ditë vjeshte në Center Park Manhatten, New York, ditë festive e shpirtit të lirisë

Nga Halil Teodori

Kisha kohë pa lëvizur me Metro.
E them këtë se, metroja këtu shtrihet nëntokë dhe i jep qytetit një pamje muzeale, e cila është e vizitueshme çdo ditë nga mijëra e mijëra njerëz, nga ata që shkojnë në punë, në sipërmarrjet e tyre, nga ata që e jetojnë në ritëm këtë vërshim amerikan. Funksionimi i saj të jep përshtypjen e një qyteze të nëndheshme me ndalesat e njëpasnjëshme, ku çdo stacion i ngjan një muzeumi te vërtetë dhe që është joshës për kalimtarët e pandalshëm, natën e ditën. Kjo ishte për mua këtë ditë nëntori, ishte dhe është çdo ditë, për këdo, kush e merr trenin për të shkuar në punë, apo për të vizituar Metropolin e mrekullushëm me emrin Manhatten. Dhe ja sapo del nga metroja menjëherë ndeshesh me një pamje mahnitëse në 5 Avenue and 53 Street, ku rrokaqiejt janë aq të larta, sa duket sikurse, majat e tyre puqen me retë. Fillimisht duhet të ndaloja, për të kuptuar se ku isha. Dhe ja, sa hap e mbyll sytë, e ndjeva veten në Centër Park. Ishte befasuese, dhe njëkohësit shumë e ngrohtë dhe e afërt, kur shikoje atë dyndje njerëzish që kridheshin në qetësinë e kësaj qyteze në ditë rrezeshumë nëntori. Gumzhitja dhe pëshpërimat e vizitorëve të shumtë, të të gjitha grupmoshave, lëshohen mbi këtë park muzeal, si mbi përshkrim të vagullt dhe mbamendjen që popullojnë këtë vendbanim të strukur nën hijen e gradaçelave, që i rrinë përsipër dhe që japin madhështi të paparë, gjëkundi këtij vendi të mrekullushëm, me emrin Manhatten. Edhe pse jo një ditë për pushime, ishte padyshim ideale për të bërë një shëtitje në parkun e New Yorkut. Një meditim nën pëshpërimën e gjetheve të pemëve të shumëllojshme, që zbukurojnë parkun, do të ishte një përkëdheli joshëse, të cilën mund të ta falte ajo prekje magjepsëse e kësaj bote të pasur me shumëllojshmëri skulpturash, liqene të vegjël joshës, fusha tenisi, futbolli e bejsbolli, muze historik dhe flladin e ajrit të freskët, teksa vjen tinëz e të ledhaton shpatullat, e të mbush shikimin tendë me horizontin e pamatë. Vetëm në një vend të tillë mund të humbësh në përfytyrime magjepsëse, mbasi edhe pse fillim dimri, vjeshta duket sikur nuk don t’ia lërë vendin. Pamjet janë më të bukura, vizitorë të shumtë dhe një diell që e lante me dritë këtë panoramë mahnitëse. Shëtitorja nuk reshtte së prituri dhe përcjelluri kremtues të kësaj ditë të hareshme nëntori. Të moshuar që kuvendojnë ulur në stolat e anës. Prindër me fëmijë që vizatojnë me ngjyra lozonjare këtë pamje të heshtur. Të rinj që ladrojnë, kureshtarë, e vizitorë të huaj që nuk t’i shkoqin sytë. Mbyllja e një sfide elektorale nuk mund të mos festohej përmes kësaj panorame, ashtu siç dinë të festojnë amerikanët, ashtu siç di ta mbush me gjallëri zemra e një kohe dhe shpirti i një gjenerate. Center Park Manhatten, New York për orë të tëra u kthye në këto momente relaksi, përjetimi dhe festimi gazmues, në qendra e botës. Megjithëse dimri po afrohet, e vjeshta, e cila në të ikur, zverdhon pemët, rrëzon gjethet dhe ngrys qiejt, gjithëky solemnitet meriton një përkujdesje të tjetërllojtë, një prani të përzemërt, një ngrohtësi të shpirtshme që vjen e sjell atë kandje, atë dëshirë për të jetuar gjithçka rrok me flakërimin e vet ngazëllyes, dielli i këtij nëntori. Këtë panoramë që pikturon natyra, do ta kishim të pamundur ta kemi në këtë përcjellje të plotë, pa pulsin e njerëzve, pa ritmin e shpirtit të kremtes që ndezet në gjokset e tyre dhe shkëlqen në fytyrat e tyre plot dritë dhe hare. E tillë ishte dita e djeshme Center Park Manhatten, New York, ku mijëra njerëz ishin mbledhur për të mbushur me zjarrin e gëzimeve, relaksim dhe paqes, në shesh, shpirtin e madh të demokracisë që troket i fuqishëm prej pranisë së tyre dhe e kthejnë këtë hapsirë në një horizont të mbushur me ngjyra dhe hare, më atmosferë të gëzueshme. Ishte një ditë e bukur, një fundjavë jo si gjithë të tjerat kjo e ditës së djeshme. Ishte një kohë e ngarkuar me një gëzim e hare të parrëfyem, me një dëshirë të ndezur prej pasionesh të përjetimit. Nuk mund të mos isha edhe unë atje. Shpirti dhe syri i poetit, nuk mund të mos jetë pulsi i këtij momenti në këtë shesh, që është ritmi i një bote, vërshimi i një force. Nuk mund të mos bëhesha edhe unë pjesë e këtij dekori festiv, pjesë e këtij ngjyrimi feste, pjesë e përfshirjes në këtë ngulmim përjetues që nuk është vetëm e gëzueshme për shumë amerikanë, por është një moment adhurimi.
Center Park Manhatten, New York, atje ishin mbledhur, atje ishin për të jetuar çastin e dritë së botës, të diellit të jetës, për ta pranuar dhe përfshirë veten në çastin e një jete brenda një lumturimi që sjell hareja e njerëzve dhe e natyrës. Këtë atmosferë që kishte shpërthyer në orët e Center Park Manhatten, New York, do ta kishte vështirë ta pikturonte çdo penelat, por e kishte të lehtë të tregonte me gëzim çdo zemër që ishte e mbledhur aty. Edhe zëri më virtuozë, edhe pena me e mprehtë, edhe melodia më dehëse, do ta kishin të vështirë të përshkruanin atë çfarë i kishte bashkuar këto mijëra njerëz në Center Park. Sepse vetëm gëzimi i tyre dhe festivja e kësaj atmosfere, do të ishte në gjendje të përshkruante sa dhe si duhet këtë moment. Kjo fundjave ishte ndoshta e fundit vetmitare ne këto dite me diell, për këtë vit. Varësisht me kushtet atmosferike dhe temperaturat. Kjo pamje ngrehaluce betoni e godinave që fillërojnë përgjatë parkut, do të jetë më e zhurmshme në ditët që dielli i këtij nëntori i ngroh gjithnjë e më shumë. Më vërshueuse do të jetë jeta në këtë destinacion fort të lakmuar nga te gjithë njujorkezët dhe vizitoret e shumte, nga e gjithë bota,
That’s nice!
I Love New York!