DITA E ZGJEDHJEVE TE PERGJITHSHME PARLAMENTARE/ Kjo është panorama gri e ditës së votimit. Parregullsitë dhe incidentet e denoncuara nga partitë politike

Lëvizja Socialiste per Integrim, dega Elbasan denoncoi paraditen e djeshme tentativat për manipulimin e zgjedhjeve që po kryheshin në këtë qark. Sipas LSI-së bëhet fjalë me grupe militantësh të drejtuar nga Taulant Balla që pasi shpërndanë para në këmbim të votave, ditën e djeshme ishin shfaqur duke u bërë presione qytetarëve. “Lëvizja Socialiste për Integrim, dega Elbasan, denoncon publikisht sjelljen anti-demokratike të disa përfaqësuesve të PS-së në Elbasan me në krye Taulant Ballën, të cilët edhe sot, në ditën e votimit, pas shpërndarjes sistematike të parave dhe miellit nga aktivitetet fitimprurëse të drogës së Rilindjes, vazhdojnë me strategjinë e tyre të presionit ndaj qytetarëve, kërcënimit me vendet e punës apo ndihmën ekonomike, dhe së fundmi edhe me manipulim mediatik, gjoja për arrestime të drejtuesve të LSI-së, apo me gjoja-sjellje anti-ligjore të përfaqësuesve zgjedhore të saj e plot shpifje të tjera. Këtyre manipulimeve dhe shpifjeve, për hir të së vërtetës, u doli boja shumë shpejt. Kulmin e arriti tani, kur ky përfaqësues i Rilindjes, i cili vlerën e vetme politike ka mashtrimin dhe gjuhën e helmatosur dhe përbaltëse, shpif për gjoja mobilizim të personave me precedentë ligjore në mbrojtjen e votave të LSI-së. I bëjmë të qartë shpifësit, mashtruesit dhe përbaltësit Taulant Balta se ata që mbrojnë votën e LSI janë qytetarët e ndershëm, që nuk pranojnë presionet e kërcënimet, dhunën e bandave të Rilindjes dhe mercenarëve të tyre, të cilët veprojnë të lirë, shpesh nën hundën e Policisë së Haki Drogës. Prandaj, i bëjmë thirrje që ai të ndalojë zanatin e tij të mashtruesit publik dhe të presë me qetësi ndëshkimin që do i vijë shumë shpejt nga qytetarët e lirë të Elbasanit”- thuhet në reagimin e LSI-së në Elbasan.

 Denoncimi i LSI-së/ Reagon PS: Kryemadhi po pengon votuesit me njerëz me preçedent penalë

Dita e votimit duket se është kthyer në një betejë të ashpër me PS dhe LSI. Dega e PS-së Elbasan ka denoncuar kandidaten për deputete të LSI, Monika Kryemadhi, që sipas saj ka angazhuar nje rrjet njerezish me precedente penale, per te provokuar e penguar votuesit e tjere në Elbasan. Në deklaratën për mediat, PS i apeloi dje qytetarët të ruajnë qetësinë. Sipas saj çifti Presidencial nuk do t’ia prishë dot këtë festë demokratike vendit. “Partia Socialiste Elbasan shpreh keqardhjen për sjelljen skandaloze të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, po edhe të bashkëshortes së tij që në qarkun e Elbasanit po bën të njëjtën gjë si i shoqi në gjithë Shqipërinë. Monika ka angazhuar një rrjet njerëzish me precedentë penale, për të provokuar e penguar votuesit e tjerë. LSI Elbasan është kthyer në një subjekt anti-qytetar njerëzish që vetëm shajnë e fyejnë rrugëve kë të munden! PS Elbasan u bën thirrje të gjithë votuesve të qarkut të mos shqetësohen fare nga kjo çorodi humbësash që s’dinë më se ç’bëjnë. Cilido zgjedhës me të drejtë vote, të marrë pjesë masivisht në votim dhe t’i konsiderojë këto shfaqje tragjikomike të degradimit të LSI, një simptomë të qartë të rëndimit psikologjik të Ilir Metës e të bashkëshortes së tij. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Elbasanit, Cërrikut, Belshit, Peqinit, Librazhdit e Gramshit me votën tuaj. Çifti presidencial, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ia prishë dot këtë festë demokratike të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Sa më shumë njerëz në votime sot, aq më të bukura për qarkun tonë dhe mbarë Shqipërinë, katër vitet që vijnë” – theksoi dje në reagimin e saj, dega e PS-së në Elbasan që udhëhiqet nga Taulant Balla.

Zyrtarja e Ministrisë: Ke nevojë për transport! Jua sjell PS, ju votoni 2-shin!

Një aktiviste e Partisë Socialiste, zyrtare në Ministrinë e Brendshme ka bërë një thirrje në shkelje me ligjin, që në një farë mënyrë, është blerje e votës. Ajo i ka ofruar votuesve udhëtim me automjete të siguruara nga PS për t’i çuar ata deri në qendrën e votimit. Arbia Braçe në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka postuar numrat e kontaktit për gjithë të interesuarit që duan të votojnë por nuk kanë mundësi transporti, duke u garantuar ndihmë nga ana e PS-së. “Banon jashtë qytetit ku je i regjistruar si Votues? Ke nevojë për transport? Kontakto 069 66 22 422 Selinë Qendrore te PS për ndihmë dhe bashkë bëhemi pjesë e Skuadrës Fituese duke Votuar PS 2”, shkruan ajo në rrjetin social.

Militantët e PS “rrethojnë” qendrën e votimit në Pogradec

Edhe pse ligji ndalon rreptësisht që anëtarët apo simpatizantët e partive politike të qëndrojnë brenda qendrave të votimi, kjo gjë nuk po ndodh. Në Pogradec raportohet për një situatë serioze, ku anëtarët e PS-së qëndrojnë brenda qendrës së votimit. Fotot janë marrë në qendrën e votimit te shkolla “Koli Gusho” në Pogradec.

Sekretari i PD në Maliq e denoncoi se e ka kërcënuar, Peleshi shmang mediat: Deklaratë ordinere

Sekretari i Qendrës së Votimit Kolanec në Maliq, Meti Koçiu, ka denoncuar në polici kërcënimin verbal që i është bërë sipas tij nëpërmjet telefonit nga ish-zëvendës kryeministri Niko Peleshi. Ai thotë se mbrëmjen e djeshmen e ka telefonuar Niko Peleshi, dhe e ka kërcënuar atë dhe familjen e tij, duke i thënë: “Do ta shikosh çfarë do të heqësh ti dhe familja jote”. Sipas Koçiut gjithçka ka ndodhur pas debatit që ai ka patur me disa militantë socialistë për çështjen e blerjes së votave në zonën e Maliqit. I kontaktuar nga “Neës24” lidhur me këtë denoncim, ish-zëvendëskryeministri Niko Peleshi nuk ka dashur të shprehet, duke e cilësuar këtë “një deklaratë ordinere”. Gazetarja i ka kërkuar Peleshit një reagim lidhur me këtë denoncim: “Z.Peleshi përshëndetje. Jam Ola Mitre, gazetare e “Neës24”. Një sekretar i Qendre Votimi në Maliq pretendon se e keni kërcënuar përmes telefonit. A keni një reagim? Ju falënderoj”. Në përgjigje, Peleshi është shprehur: “Reagim për një deklaratë ordinere?? Jo”. Pas kësaj ngjarjeje, kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Korçës, Niko Peleshi, i bëri apel të gjitha forcave politike që të mos guxojnë të cenojnë procesin zgjedhor. Peleshi tha se institucionet do të veprojnë për çdo të marrë apo të çmendur që do të vërë dorë mbi procesin. “Me sa duket edhe kjo finale do të mbyllet mirë. Askush nuk duhet të guxojë dhe është i marrë ai që guxon të cenojë këtë proces. Sot më shumë se kurrë ligji vepron edhe mbi bazë të një marrëveshje politike, kështu që jam i sigurt që institucionet do të veprojnë për çdo të marrë apo të çmendur që do të vërë dorë mbi procesin”- u shpreh dje kandidati për deputet i PS-së në Korçë, Niko Peleshi.

LSI nxjerr fotot: Këta janë dy personat që po shpërndajnë para në Durrës

Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar sot një përfaqësues të Partisë Socialiste që sipas kësaj force politike po shpërndan lekë në këmbim të votës. Sipas LSI ai është Agron Sulejmani, votues në qendrën e votimit Shkolla e Muzikës si dhe koordinatori i PS i lagjes nr. 3 Ledion Lako që shpërndajnë para.

Pjerin Ndreu akuzon LSI për presi one në qendrat e votimit

Pas kandidatit për deputet të LSI-së, Viktor Tushaj ka reaguar edhe kandidati i PS-së Pjerin Ndreu për përplasjen me armë në Shëngjin para qendrës së votimit. Nga kjo përplasje mbeti i plagosur një simpatizant i LSI-së. Raportimet që vijnë nga Lezha flasin për një situatë të tensionuar dhe të nxehtë mes këtyre dy forcave dhe përfaqësuesve të tyre. Ndreu, deklaroi se personat që kanë qëlluar kanë qenë jashtë Qendrës së Votimit, ndërsa akuzon LSI për presion në QV Shëngjin. “Personat kanë qenë jashtë qendrës së votimit. Grupe të LSI kanë ushtruar trysni në Qendrën e Votimit në Shëngjin. LSI është duke krijuar vetë tensione”, tha Ndreu.

PD tërheq komisionerët në 30 qendra votimi, ja arsyeja

Partia Demokratike ka tërhequr komisionerët në 30 qendra votimi në zonën e Lushnjes dhe Divjakës. Arsyeja sipas PD-së është fakti se përreth qendrave qëndrojnë njerëz të paautorizuar të cilët kërkojnë të ndikojnë në vendimmarrjen e qytetarëve. Në këto qendra është pezulluar votimi.

PS: “Kamikazët” e PD-së kërcënojnë komisionerët tanë

Partia Socialiste në Kavajë ka denoncuar Partinë Demokratike në Kavajë se  po shantazhon komisionerët e PS-së. Sipas PS disa militantë të PD një makinë me postera të PD ka ushtruar presion ndaj komisionerëve të Partisë Socialiste.

Ndërkombëtarët na vëzhgojnë, shikoni ku ishte Donald Lu dhe Vlahutin

Zgjedhjet e 25 qershorit kanë qenë në fokus edhe të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Bashkimit Europian të cilët veç vëzhguesve të tyre, kanë dalë edhe vetë në terren për të parë nga afër ecurinë e zgjedhjeve. Ambasadori amerikan, Donald Lu ishte në Durrës ku vizitoi disa qendra votimi. Ai qëndroi bashkë duke u ulur në pjesën e vëzhguesve dhe abshkë me ta ka ndjekur nga afër procesin e paraqitjes së zgjedhësve dhe votimin. Ndërkohë, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin vizitoi disa qendra votimi në qarkun e Elbasanit, për të parë ecurinë e votimit. Vlahutim mësohet se ka qenë e pranishme në një qendër ku u raportua se shpërndaheshin para në këmbim të votës. Mësohet se Vlahutin ka kërkuar që njerëzit që nuk ishin votues të largohen nga qendrat e votimit. “Nëse jeni votues, duhet të mbaroni dhe të largoheni. Askush nuk duhet të qëndrojë këtu”, është shprehur ajo. Delegacioni Europian ka 10 ekipe për vëzhgimin e zgjedhjeve të shpërndara në qarqe të ndryshme të vendit.

Denoncon PS: Xhelal Mziu rreh qytetarin

Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, është përfshirë në një incidente elektoral ku ka dhunuar një qytetar. Mziu ka dhunuar një qytetar, në zonën e Bathores.  Ai ka ushtruar dhunë mbi Ajaz Shehun dhe truprojën. Ky informacion është përcjellë nga PS-ja. Nuk dihen më shumë detaje nga ngjarja.

E para në listën e Tiranës, kandidatja e PS-së shkel ligjin

Përmes disa fotove të publikuara në rrjetet sociale, denoncohet kandidatja e PS-së, Elona Gjebrea, e para në listën e Tiranës, për shkelje të ligjit. Gjebrea është fotografuar teksa ka hyrë brenda qendrës së votimit te shkolla “Kushtrimi i Lirisë”. Gjebrea, deri dje zv.ministre e Brendshme por sot kandidate e PS-së, është fotografuar në shoqërinë e personave të tjerë që futet brenda qëndrës së votimit, gjë që u ndalohet në mënyrë kategorike kandidatëve.

LSI e Sarandës reagon për akuzuat e PS: Mbrëmë rilindësit shpërndanë miell dhe para

LSI e Sarandës ka reaguar sot për akuzat e bëra nga Partia Socialiste për procesin zgjedhor. “Si mund tu besohet deklaratave të rilindjes, kur dje kryerilindasi gënjeu për një targë makine, kur kryeplaku i PS në Xarrë grabit vulët, kur komisionerit të LSI i djegin makinën, kur mbrëmë gjatë gjithë natës rilindasit shpërndanin thasë me miell e para, kur Uria Hipi i rilindjes, fyen dhe kërcënon ditën me diell kandidatin e LSI në Delvinë, etj, etj. Shqiptarët po e dënojnë rilindjen me votë, dhe nga paniku rilindja fabrikon ngjarje. Forca Rinia. Forca LSI”,- thuhet në reagimin LSI-së.

Ditmir Bushati shkon në qëndrën e votimit, presion komisionerëve

Kryesuesi i listës së PS në Shkodër, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ka krijuar tension me praninë e tij në qendrën e votimit në Shkodër, ngritur pranë Shkollës Pyjore, siç shfaqet edhe në foto. Menjëherë kanë reaguar kandidatët e partive të tjera, të cilët kanë kërkuar që Bushati të procedohet penalisht.

Tom Doshi ankohet për Ditmir Bushatin në Shkodër

Kandidati për deputet nën siglën e PSD në Shkodër, Tom Doshi i ka bërë thirrje sot Prokurorisë që të procedojë penalisht ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Doshi u shpreh se Bushati po kërcënon vëzhguesit e PSD-së. “Ditmir Bushati ka dalë në të gjitha qendrat e votimit dhe kërcënon vëzhguesit e PSD-së. Është kërcënuar Gjergj Sokoli. Kështu po bën Bushati në çdo qendër votimit. I bëjmë thirrje prokurorisë të nisë procedimin penal ndaj Bushatit. i bëj thirrje të gjithë votuesve të dalin e të votojnë. i bëj thirrje të ruajnë qetësinë sepse rezultati do të jetë i thellë. Ky është shqetësimi i Ditmirit”, tha dje kandidati i PSD-së, Tom Doshi.

Fuste fletë votimi nga jashtë, përjashtohet anëtarja e PS

LSI ka denoncuar një tjetër shkelje nga PS në Tiranë. Sipas zyrës së LSI një anëtare e Partisë Socialiste Luljeta Lleshi ka futur fletë votimi nga jashtë brenda në KZAZ nr 41 në Tiranë. Pasi është kundërshtuar disa herë dhe nuk ka ndaluar veprimin e saj, thuhet se është përjashtuar tashmë nga KZAZ nr 41. “Anëtarja e PS-së, Luljeta Lleshi ka futur fletë votimi nga jashtë brenda në KZAZ 41 në Tiranë, është kundërshtuar disa herë nga anetarët e tjerë, por nuk ka ndaluar, derisa është përjashtuar nga KZAZ-ja”- shkruan LSI në njoftimin e saj.

Kreu i PS Lushnjë kapet duke blerë vota

Një denoncim për manipulim votash është denoncuar dje përmes medieve online. Burimet bëjnë me dije se në fshatrat Rrapez dhe Bubullimë të Lushnjës po shpërndaheshin lekë në këmbim të votës. Lekët u shpërndanë nga persona që lëviznin me Range Rover, duke transportuar qese jeshile nga ku vihet re se brenda tyre kishte para. Po ashtu në fotot e djeshme shfaqej edhe kryetari i Partisë Socialiste në Bubullimë.