DITA E ISH-TE PERNDJEKURVE POLITIKE/ Viktimat e komunizmit, Basha: PD ende nuk e ka përfunduar misionin e saj

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar përmes një statusi në Facebook Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit. Në mesazhin e tij Basha shprehet se rreth 100 milionë njerëz gjetën vdekjen nga komunizmi si pasojë e ekzekutimeve për qëllime politike apo si pasojë e mjerimit që solli komunizmi në disa shtete.

“Në librin e errët të komunizmit Shqipëria zë një vend të veçantë për nga egërsia kriminale e Enver Hoxhës dhe bandës së tij kundër popullit të tyre. Dhjetëra mijë shqiptarë humbën jetën nga dhuna e regjimit komunist shqiptar, të ekzekutuar me e pa gjyq dhe të vdekur në burgje. Qindra mijë u burgosën politikisht dhe u internuan në kampe. Një popull i tërë u izolua për afro gjysmë shekulli në karantinën më mizore të mjerimit, shtypjes dhe trushplarjes në Europë. Jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar janë një akuzë e rëndë për shoqërinë tonë që nuk i dënoi asnjëherë plotësisht vrasësit dhe kriminelët komunistë, që nuk reflektoi seriozisht kundër ideologjisë, frymës dhe mentalitetit komunist e nuk i preu asnjëherë rrugën kthimit të komunistëve në pushtet.

Është e dhimbshme që ne nuk kemi ende një monument të vërtetë për viktimat e komunizmit dhe nuk kemi ende një histori të vërtetë të krimeve të komunizmit. Ne nuk mund t’i shmangemi përgjegjësisë për dënimin e komunizmit, jo vetëm si detyrim moral ndaj viktimave të tij, por edhe si e vetmja mënyrë që të krijojmë një shoqëri të vërtetë të lirë dhe demokratike. Ky është mision i pambaruar, por i palëkundur i Partisë Demokratike”, shkruan Basha.