DISFATA E ZGJEDHJEVE TE 25 QERSHORIT/ Sali Berisha: Rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit, jo përçarjes

Ashtu si katër vite më parë kur deklaroi dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike pasi humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas humbjes së zgjedhjeve të këtij viti në ditën e tretë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Teksa gjithçka ka përfunduar sa i takon zgjedhjeve ku Partia Demokratike dhe aleatët e saj shënuan rezultatin më të dobët në historinë e kësaj partie dhe pas zërave nga selia blu që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të partisë Lulzim Basha, Berisha deklaron se rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes e përjashtimit! Përmes një reagimi të gjatë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Berisha shprehet se rezultati i këtyre zgjedhjeve është larg atij që të gjithë demokratët dëshironin dhe prisnin. Sipas tij, pa asnjë diskutim që droga, krimi, pjesëmarrja e administratës në kundërshtim me ligjin, pabarazia e madhe në media ndikuan qartësisht në rezultatin e tyre dhe bënë që këto zgjedhje të mos jenë të lira dhe të ndershme ashtu siç i meritonin shqiptarët. Berisha thotë se të gjitha këto provuan dhe një herë se Edi Rama është armik i egër votës së shqiptarëve. Ai nënvizon se pavarësisht presioneve, krimit, antiligjit dhe parave të Noriegës, arsyet dhe përgjegjësitë për këtë humbje të thellë të PD-së, si për rezultatin ashtu dhe sfondin e saj në përputhje me praktikat më të mira të demokracive perëndimore, duhet të kërkohen dhe gjenden detyrimisht edhe tek vetja. Përndryshe, thotë ish-Kryeministri “na pret një e ardhme e pasigurtë!” Në statusin e tij në “Facebook”, Berisha shkruan se, këto ditë në media ka shpërthyer një polemikë e natyrshme lidhur me humbjen në këto zgjedhje dhe shkaqet e saj. Ai përmend se drejtues por dhe anëtarë të thjeshtë të PD kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit, i cili padyshim sipas tij, është përgjegjësi më kryesor por natyrisht jo i vetëm për këtë humbje. Lideri historik i PD-së deklaron se, nga ana tjetër, kryetari i PD ka njohur përgjegjësinë e tij personale kryesore për këtë humbje. Ai kujton se statuti i partisë parashikon hapjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të partisë, dhe ky i fundit ka deklaruar se do të ngrijë funksionet e tij si kryetar partie për kohën e procesit të zgjedhjes së kryetarit, për të mos ndikuar në këtë proces. “Unë mendoj se mënyra më e mirë për të evidentuar shkaqet, për të përcaktuar përgjegjësitë e humbjes, është t’i japim zë dhe mundësi të gjithë strukturave dhe anëtarësisë së PD për të thënë fjalën e tyre lirshëm dhe me përgjegjësi në analizën dhe ndryshimin e thellë që nevojitet për të dalë prej saj dhe ringritur përsëri fuqishëm Partinë Demokratike”, shkruan Berisha. Ish-kreu i demokratëve e quan të domosdoshme kuptimin e arsyeve se përse kutive të votimit u mungoi vota e 200 mijë qytetarëve që kane votuar PD në zgjedhjet e kaluara dhe pse pas katër vitesh, PD jo vetëm mbetet opozitë, por merr këtë rezultat. “Mendoj se ne, në këto rrethana, pavarësisht nga emocionet, kundërshtitë e pashmangshme për situata si kjo, rëndësi vendimtare ka që PD t’u mundësojë të gjithë anëtarëve të saj një proces të drejtë, të ndershëm, të barabartë dhe të pandikuar nga askush për të zgjedhur lidershipin që ata mendojnë dhe gjykojnë se mund t’i çojë si një opozitë e fuqishme drejt fitores, sa më shpejt, të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve”, shprehet Berisha. Në vijim, Berisha gjykon se është detyrim ligjor dhe moral i çdo anëtari apo drejtuesi të PD-së, të kontribuojë në integritetin, transparencën, besueshmërinë e këtij procesi në luajalitet të plotë të vlerave dhe rregullave demokratike që ndajmë njëri me tjetrin. “Rruga e ringritjes nuk është kurrë e lehtë, ajo kalon përmes Bashkimit dhe jo përmes Përçarjes as dhe Përjashtimit. Por unë kam bindjen më të thellë se ne kemi vullnetin e hekurt, që të bashkuar ta kryejmë me sukses të plotë ringritjen e fuqishme të Partisë Demokratike që presin sot me padurim anëtarët, mbështetësit tanë, pret e djathta shqiptare dhe miqtë tanë në mbarë Europën dhe botën”, shkruan Berisha. Në mbyllje, lideri historik i PD-së fton të gjithë demokratët, duke shprehur një falenderim dhe mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që votuan PD. “Le të angazhohemi ne me të gjithë energjitë tona në këtë mision jetik për PD, për Shqipërinë dhe demokracinë e saj!”- apelon ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.