Diplomatja e Brukselit në Tiranë, Romana Vlahutin: Herët të flitet për çeljen e negociatave, presim vetingun

Një ditë pas deklaratave dekurajuese të David McAllister për klasën politike shqiptare se hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE mund të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, në rast se Tirana do të shënojë progres të kënaqshëm në përmbushjen e kritereve, ka ardhur reagimi i diplomates së Brukselit në Tiranë Romana Vlahutin. Nisja e vetingut dhe prodhimi i rezultateve prej tij janë kushte që pritet të vulosin çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Por, deri në atë kohë, sipas ambasadores së Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin është ende herët të flitet për çeljen e negociatave. Vlahutin saktësoi se Bashkimi Europian po punon për mundësinë e çeljes së negociatave me Shqipërinë, e cila e ka të qartë se cilat janë prioritet e kërkuara. “Një nga kërkesat  kryesore është fillimi i vetingut dhe prodhimi i rezultateve prej tij, por në të njëjtën kohë do shikohet edhe progresi dhe ecuria konstante gjatë gjithë kohës. Ne jemi përqëndruar edhe në luftën kundër kanabisit dhe shpresojmë që një sërë rezultatesh të bëra së bashku të na çojnë në momentin kur Këshilli të çelë negociatat me Shqipërinë është shume shpejt për të folur për këtë gjë”- tha Vlahutin. Zgjedhjet në Shqipëri patën përmirësime, por gjithçka do të vendoset nga raporti i vëzhguesve të OSBE/ODHIR-it. Nga Berati ku ndodhej për një vizitë punë për projektet e turizmit, ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vllahutin foli edhe për zgjedhjet e 25 qershorit. “Ishte gjë e mirë që partitë politike i pranuan menjëherë rezultatet, pati disa ndërhyrje në KQZ në momentet e duhura, pra në përgjithësi në Shqiperi nga zgjedhja në zgjedhje kemi pasur permiresime. Reforma e duhur zgjedhore duhet të ndodhë sepse ende nuk është bërë, në mënyrë që të vihen në zbatim rekomandimet e OSBE-ODHIR ,në veçanti ato që kanë të bëjnë me depolitizimin e zgjedhjeve. Shpresoj që shumë shpejt Parlamenti i vendit të fillojë diskutimet për reformën zgjedhore në vend, që nuk mund të bëhej dot 2 -3 muaj përpara zgjedhjeve”- theksoi ambasadorja Vlahutin. Në Berat, Romana Vlahutin diskutoi me kryebashkiakun Sinaj ne lidhje me financimin nga BE-së të disa projekteve të turizmit në qytetin muze. Ndonëse për qeverinë Rama hapja e negociatave të anëtarësimit në BE është një objektiv që duhet të arrihet brenda këtij viti, në një intervistë të dhënë së fundmi për “Dojçe Vele”, Shefi i Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, ka deklaruar se ky proces mund të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm në rast se Tirana zyrtare do të përmbushë kriteret që i janë vendosur. Duke folur për rajonin e Ballkanit, nismëtari i zgjidhjes së krizës politike që përfshiu vendin tonë, shprehet se aktualisht përparime janë bërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Sipas tij, Shqipëria rradhitet pas këtyre dy vendeve, ndërkohë që edhe më larg antarësimit janë Maqedonia, Kosova dhe Bosnja. “Ne po shohim përparime. Mali i Zi negocion për 20 nga 39 kapitujt e anëtarësimit. Serbia ka 10 kapituj të hapur. Po të eci gjithçka pa probleme, Shqipëria mund të nisë ndoshta vitin e ardhshëm bisedimet zyrtare të anëtarësimit. Tri shtetet e tjera, Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë pak më mbrapa, por kanë një perspektivë të mirë”- u shpreh ai.