Dëshmia e një prej mistereve më të mëdha të spiunazhit në Shqipëri

Kjo intervistë, me ish agjentin e Shërbimeve Sekrete të Anglisë, është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga në vitin 2008 në Londër, pak para se David Smiley të ndahej nga jeta. Ajo është gjithashtu pjesë e librit “31 Shkrimtarët e Shekullit”.

Nga Rudina Xhunga

 

Për të takuar David Smiley, më ndihmoi Bejtullah Destani, njeriu që më ka ndihmuar edhe për realizimin e shumë intervistave të tjera dhe emisioneve për historinë. Vetëm se do të doja ta kisha takuar pak kohë më parë. Kur shkuam në shtëpinë e tij, ishte bashkëshortja, Moy që bënte rrugë, tregonte, nxirrte albume. Shëndeti i zotit Smiley ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe erdhi e vështirë të flisja gjatë me të, siç do të kisha dashur. Madje kur ika, mu duk asgjë, kjo intervistë. Por në fakt ajo është një dëshmi. E realizuar pak para vdekjes së tij. Dëshmi për një nga misteret e mëdha të spiunazhit dhe tradhtisë.

 

Do të doja të dija për herën tuaj të parë në Shqipëri, për takimet me Enver Hoxhën dhe Abaz Kupin.

 

David Smiley: Në prill të 1944, edhe pse kisha qenë më parë në Shqipëri, kryesisht u takova me armiqtë e Partisë. Në prill të 1944 takuam dhe u ndenjëm me Abaz Kupin dhe njerëzit e tij antikomunistë dhe të tjerë si Abas Ermenji, për rreth 8 muaj, derisa u larguam nga Shqipëria në tetor. Ishte mjaft i ndërlikuar fakti që vitin e parë në Shqipëri isha takuar me komunistë, ndërsa vitin e dytë me antikomunistë. Ndërsa Enver Hoxhën e kam takuar për herë të parë kur erdhi në fshatin Shtyllë, jo shumë larg Korçës. Pas kësaj, kaluam në Greqi dhe pastaj hymë përsëri në Shqipëri, në Leskovik dhe prej aty u takuam me njerëz të partisë, të tillë Nexhip Vilçani dhe Petrit Dume. Pastaj shkuam tek fshati Shtyllë dhe ndenjëm për disa javë duke pritur për më shumë furnizime me parashutë, të cilat vinin nga Brindizi i Italisë. Hera e dytë ishte pas një viti, në 1944. Aty takuam përsëri Abaz Kupin dhe qëndruam me njerëzit e tij deri në fund të tetorit të 1944. Në atë periudhë ne po përpiqeshim që ta bënim atë të luftonte kundër gjermanëve, por në të njëjtën kohë ai po përpiqej të luftonte njerëzit që Enver Hoxha donte të merrte në partinë e vet. Dhe ishte aq i shqetësuar të luftonte armiqtë e partisë, saqë nuk luftoi farë kundër gjermanëve. Dhe kur ne u larguam donim ta merrnim atë me vete në Itali, por njerëzit tanë atje, pasi kishim një zyrë në Brindizi, na thanë të mos i merrnim me vete Abaz Kupin, Mit’hat Frashërin, Ihsan Toptanin, Gaqo Gogën etj., sepse kjo gjë do e mërziste Enver Hoxhën. Dhe çuditërisht, kur ne po largoheshim, me ne erdhi një ushtar për t’u siguruar që nuk do t’i merrnim me vete. Por po atë ditë, në mbrëmje, Ihsan Toptani gjeti një anije me një lundërtar shqiptar nga Mali i Zi dhe mori Abaz Kupin me një nga djemtë e tij dhe u nis për të kaluar Adriatikun, për të shkuar në Itali, por një anije minahedhëse britanike i ndaloi dhe i çoi në Bari. Atje ne u takuam përsëri.

 

Cila ishte përshtypja që ju krijoi Enver Hoxha kur e takuat?

 

Nuk më pëlqeu Enver Hoxha. Kur shtrëngoje duart me të, ai godiste shumë dhe kjo gjë nuk më pëlqente. Ai kishte shumë temperament dhe kishte një karakter të keq. Ishte e qartë se edhe ai nuk kishte konsideratë për ne, por na toleronte sepse i duheshim për furnizimet dhe ndihmat e tjera. Kam punuar me të gati 8-9 muaj. Mundohej të na mbante nën kontroll gjithë kohën, por unë i shpjegoja se isha oficer britanik dhe nuk merrja urdhra prej tij.

 

Çfarë mbani mend nga Malta?

 

Ishte një operacion i përbashkët Anglo-Amerikan. Atëherë ishte formuar komiteti Shqipëria e Lirë kryesisht me njerëz të Abaz Kupit dhe Abas Ermenjit. Prej tyre do të dërgoheshin njerëz që do të testonin mundësinë e minimit të regjimit të Hoxhës. Mua më ngarkuan detyrën e stërvitjes së këtyre njerëzve në Maltë, që ishte një vend vërtetë i sigurt. Ata kishin veshur uniforma britanike. Kur koha e përshtatshme erdhi, i hipëm në një anije peshkimi dhe i çuam në mes të Adriatikut dhe me det ata hynë në Shqipëri. Ndërsa amerikanët i hidhnin desantët në veri me parashuta. Për fat të keq, pjesa më e madhe e tyre, u kapën. Sapo ata dilnin në breg apo binin në tokë, përfundonin në pritë. Disa prej tyre u kapën ndërsa disa të tjerë shpëtuan pasi kaluan në Greqi. Në atë periudhë unë isha në Greqi dhe kështu që i takova. Sipas tyre, kjo kishte ndodhur për shkak të shkeljes së masave të sigurisë ose se dikush i kishte tradhtuar. Dhe kjo qe e vërteta. Operacioni ynë qe tradhtuar nga Kim Filbi, i cili bashkëpunonte me rusët, që i treguan gjithçka Enver Hoxhës. Por kjo u mor vesh më vonë. Nuk kam fjalë të shpreh keqardhjen për çfarë ju ndodhi atyre. Ata u tradhtuan dhe u lanë në baltë edhe nga unë vetë, që i nisa në Shqipëri, duke mos e ditur çfarë i priste.

 

 Sa njerëz trajnuat?

 

Ishte një grup me rreth 30 shqiptarë që vinin nga pjesë të ndryshme të vendit dhe i vendosëm në grupe në bazë të qyteteve nga vinin. Nuk ishte e vështirë për ne t’i mblidhnim. Nëpërmjet një flote detare dhe varka i lëshonim në breg dhe largoheshim. Puna na shkonte mirë derisa i fusnim në Shqipëri, por pastaj ata nuk shfaqeshin. Kishim një stacion radioje në Korfuz, tek Hotel Palace dhe shumica e atyre që trajnuam po shkonin në Greqi por u qëlluan. Një nga ata që shpëtoi na tha se po i prisnin, sikur ta dinin që po shkonin atje.

 

Cili qe qëllimi i këtij operacioni anglo-amerikan?

 

Të shihte reagimin e njerëzve ndaj regjimit të Hoxhës, a do t’i prisnin ata njerëzit që zbarkonin, a do t’i ndihmonin dhe përkrahnin? Por doli që njerëzit ishin të frikësuar dhe nuk i ndihmonin ata. Pra, nuk ia vlente dërgimi i guerrilave të tjerë, sepse regjimi i Hoxhës e kishte gjithçka nën kontroll. Por dua të sqaroj se nuk ishte operacion për minimin e regjimit të Hoxhës, qe  thjesht rikonjicion për matje pulsi të shqiptarëve. Ishte një përpjekje paraprake për të parë nëse ia vlente ndërmarrja e një operacioni të madh. Dhe përgjigja qe jo./dritare.net

http://www.gazetadita.al/deshmia-e-nje-prej-mistereve-me-te-medha-te-spiunazhit-ne-shqiperi/