Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli reagon ashpër ndaj Lulzim Bashës: Edhe Enveri po të çohej nga varri nuk do zhbënte kaq shpejt PD

Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ka reaguar ashpër, me anë të një statusi në “Facebook”, ku ka sulmuar Lulzim Bashën, dy ditë para zgjedhjeve për kreun e PD-së. Topalli e ka cilësuar Bashën mashtrues dhe hipokrit. Topalli pohoi se pavarësish faktit se Basha mund t’i gënjejë të gjithë për pak kohë, por nuk mund të mashtroi përgjithmonë. Me tone të ashpra dhe ironike, Topalli e etiketoi Bashën si “Çun i mirë” i Ramës, ndërsa shtoi se as Enver Hoxha nuk do ta shkatërronte kaq shpejt PD-në.

Statusi i plotë:

“Mund t’i gënjesh të gjithë për pak kohë ose disa gjithë kohës, por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë përgjithmonë” o Lulzim. Hipokritin, njeriu i thjeshtë e njeh menjeëherë. Ai ka një maskë mbi shpirt. Në këtë rast pasqyrat janë të nevojshme vetëm për të verifikuar nëse maska qëndron ende në rregull përmbi fytyrë. Më 25 qershor 2017, shqiptarët refuzuan Lulzim Bashen si hipokrit dhe listën e tij si listë e shitur dhe aspak përfaqësuese. Në fakt ato e trajtuan Lulzimin bashkë me Republikën e tij të Re, me indinjatën dhe përcmimin që meriton çdo akt tradhëtie. Po të bëheshin sot zgjedhjet politike, Lulzimi dhe lista klienteliste Basha nuk do të merrte më as gjysmën e votave të 25 qershorit. Por kur njeriu buzëqesh dhe kur gjërat kanë marrë drejtimin e keq, do të thotë se ai ka menduar tashmë dhe kujt t’ia hedhin fajin, por kjo është gjëja më pak e rëndësishme. Nga 25 qershori dhe sot, ky “çuni i mirë” i Ramës, pasi shpalli dhe vetëngrirjen në teatrin e vet të ngritur në erë, i braktisur, vazhdoi lojën me maska në sallat bosh, pa kundërshtarë, pa media, pa rregulla, pa analizë, pa listë votuesish. Po të çohej nga varri Enver Hoxha, nuk do mund ta zhbënte kaq shpejt dhe brutalisht, forcën politike që hodhi në erë sistemin qeë diktatori mizor ngriti për gjysëm shekulli. Në lojën e harresës dhe kujtesës, në farsën që atij i pëlqen ta quaj garë, mund të dëgjosh fjalitë me të pakuptimta, premtimet me qesharake, që vazhdojnë të jenë krejt të rreme si ato të çadrës së tradhëtuar. Lulzimin nuk e mbron më askush. Të gjithë e kanë hedhur. Shqiptarët ishin të parët. Në fushatën e para 25 qershorit, ato e lanë me sheshe bosh; Demokratët në farsën për karrigen e kryetarit, e lanë me salla bosh. Të gjithë e përcmojnë në teatrin e tij, ku duke u përpëlitur, përpiqet të vesh hijet me trupa të bukur. Lulzimi dhe e vërteta nuk bien dakort. Këtë, unë e kam kuptuar shumë herët, prandaj kam përsëritur se me Lulzim Bashën kam diferenca shumë të mëdha. Që e vogël më kanë mësuar se nuk duhej t’i besoja dy kategori njerëzish: Atyre që nuk kanë personalitet dhe atyre që kanë më shumë se një.

Të çosh drejt asgjësimit forcën politike që drejton; t’a mbash me farsë, gënjeshtra dhe dhunë përsëri karrigen e kryetarit; të asgjësosh çdo forum të saj; të vendosësh unin për çdo gjë; të spastrosh grupin parlamentar që me përpjekje titanike ka bërë luftën kundër krimit dhe drogës, dhe t’i zëvendësosh (me pak përjashtime) me njerëz që nuk i lidh asgjë as me politikën as me PD, dhe të thuash se kemi fituar moralisht, këtë mund t’a bëj vetëm një i paaftë për t’u turpëruar, si Lulzim Basha. Këtu partia jo vetëm ka pushuar së funksionuari si demokratike, por është shkretuar vlerash. Të gjithë e dijnë se nga 12 vite që je kthyer në Shqipëri ti ke 11 vite në majë të pushtetit. Asnjë ditë nuk bëre opozitë të vërtetë. Askush nuk ka mbajt aq shumë e aq gjatë karrige pa u trazu e pa kokëçarje për interesin publik si ti. Ti kërkon vetëm karrige. Gratis biles. Je i vetmi politikan që kërkon të mbajë peng karrigen e kryetarit …edhe mbi rrënojat e PD. Aty ku nuk ka turp, mungon virtyti dhe nderi; prandaj demokratët të kanë bojkotuar edhe në fushatë, edhe në farsën e pas 25 qershorit dhe do të bojkotojnë dhe me 22. Demokratët e dijnë se të falësh të keqen, do të thotë ta shumëfishosh atë dhe prandaj të refuzojnë sot o Lulzim. Të rinjtë të kanë braktisur dhe të nënqeshin, kur ti i flet për paratë e drogës dhe bën marrëveshje të fshehtë me Ramën; kur ti i zotoheshe se nuk ka zgjedhje të lira me Ramën kryeministër dhe pastaj hyn në qeverinë e tij ku vazhdon edhe sot. Të persekutuarit të shohin me çudi kur i thua se populli të kërkoi të hiqje komunistët dhe bllokmenët nga PD, duke më nënkuptuar mua. Njerëzit e medias të shohin me habi, kur brenda 5 minutash i thua që këtë se thashë unë por e tha Edi Rama. Intelektualët janë zhgënjyer, kur shohin se asnjë i ngjashëm nuk është në listën tënde. Gratë të përçmojnë si anadollak, kur shohin se ti më parë paguan gjobën se sa vendos gra në lista deputetësh. Studentët lexojnë libra por nuk gjejnë asnjë kryetar partie, në asnjë vend demokratik, që pasi humb nga hera e fundit edhe 35% të votave të partisë, të qëndrojë me zor, dhunë e farse, në krye të saj. Gënjeshtra dhe mashtrimi kanë një datë skadence dhe në fund çdo gjë zbulohet.