Deputetja e PD, Jozefina Topalli: Nuk bie dakord me termin grupi anti-Basha se nuk është i tillë

Topalli: Berishën e shoh të shqetësuar

Deputetja e PD, Jozefina Topalli, tha se e sheh ish-kryeministrin Sali Berisha të shqetësuar në deklaratën e tij të djeshme gjatë votimit për kryesinë e Partisë Demokratike, ku kandidojnë Lulzim Basha dhe Eduart Selami. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, Topalli tha se i vetmi që ka vënë maskë dhe që s’ka asnjë ndjesi njerëzi është kryetari i PD, Lulzim Basha. “Unë e shoh të shqetësuar zotin Berisha, ai shprehte shqetësim në deklaratën e tij. Ata që e kanë drejtuar partinë, që e kanë ringritur nga hiri kur është rrëzuar, por dhe çdo demokrat që ka besuar, e dinë ç’do të thotë se si përfundoi parti në këtë katastrofë. I vetmi njeri që ka një maskë, dhe nuk ka asnjë ndjesi njerëzore, është z. Basha. Si nuk arriti në 4 vite të bënte zgjedhjet në PD,” tha Topalli.

Ajo gjithashtu krahason me kohën kur Berisha dha dorëheqjen 4 vite më parë me 230 mijë vota më shumë pas dy mandatesh qeverisjeje. “Kur kishte 230 mijë vota më shumë se Basha pas 2 mandatesh qeverisjeje. Nuk është çështje e një dispozite të një statusi, se ato që supozohen të jenë kryetarë partish, pritet të jenë njerëz të përgjegjshëm e seriozë, dhe jo të çosh partinë në 30% vota më pak. Por kur ndodh që pas një katastrofe ku çoi partinë, e thotë që s’jap dorëheqjen, ky është alarm, se mban peng një parti, që po kthehet nga Basha në një biznes familjar. Ai grryeu të gjithë moralin, standardin e PD. Është krizë ekzistenciale. Situatë dramatike, sikur mos të mjaftonte humbja, tani kemi dhe situatën se si trajtohet humbja. Berisha me 230 mijë vota më shumë dha dorëheqjen pas 2 mandatesh, Basha në opozitë, me -230 mijë vota nuk jep dorëheqjen”,- tha Topalli.

Topalli thotë se demokratët e thjeshtë e kanë treguar qëndrimin e tyre ndaj Bashës që në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas saj, është përgjegjësia e Bashës që e çoi PD në këtë situatë. “Jam në këtë frymë, kam qenë e do të jem. Nuk bie dakord me termin grupi anti-Basha se nuk është e tillë. Janë me mijëra anëtarë të PD, deputetë, ish-drejtues të PD të cilët kanë një thirrje, apel për një analizë. Ka ndodhur një gjë e madhe, një tërmet, nuk mund të bëj sikur nuk e kam parë, apo dëgjuar. Nuk mund të bëj sikur vetëngrirja e kryetarit është diçka normale, është sharlatanizëm. Dhe kjo më pas vijon me shkelje të statutit. Çdo përpjekje për të vendosur në shina statutore, për t’i thirrur ndërgjegjes, në mënyrë që PD të mos mbetet peng i një njeriu që e ka çuar në rezultatin historik më dramatik, është gjëja më normale që mund të mendohet. Unë kam patur një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme të Bashës pas humbjes së 25 qershorit. Ata që thonë që mos të japë dorëheqje, nuk e duan PD. Ata që kërkojnë dorëheqjen e njeriut që i futi thikën PD-së, ata e duan PD. Në fakt demokratët e kanë shkarkuar atë më 25 qershor”, tha Topalli. Ish-kryetarja e Kuvendit tha se gjatë kësaj periudhe ka patur komunikime me anëtarë e figura të tjera të PD.

Duke ironizuar me vetëngrirjen e Bashës, demokratja Topalli tha se ka ndodhur nën shembullin e Armando Prengës.

“Ka ndodhur një gjë e madhe, një tërmet, nuk mund të bëj sikur nuk e kam parë, apo dëgjuar. Nuk mund të bëj sikur vetëngrirja e kryetarit është diçka normale, nën shembullin e Armando Prengës, është sharlatanizëm. Dhe kjo më pas vijon me shkelje të statutit. Çdo përpjekje për të vendosur në shina statutore, për t’i thirrur ndërgjegjes, në mënyrë që PD të mos mbetet peng i një njeriu që e ka çuar në rezultatin historik më dramatik, është gjëja më normale që mund të mendohet. Unë kam patur një kërkes ë për dorëheqje të parevokueshme të Bashës pas humbjes së 25 qershorit”, tha Topalli. Sipas saj, zgjedhjet e sotme në Partinë Demokratike për zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk janë garë, por farsë. “Nuk është garë, është farsë, mjerim. Dita e sotme do të vulosë marrjen peng të PD nga humbësi më i madh në historinë e PD. Të shpallësh fitues humbësin katastrofal të 25 qershorit, është e gabuar për një forcë politike siç është PD. Ajo që ka ndodhur brenda PD është e paprecedentë në historinë e të gjitha partive politike në Shqipëri, ku pasi pëson një humbje kaq të rëndë, kryetari të mos japë dorëheqje, por të fillojë të kaloje përmes një procesi butaforik, dhe anti-kushtetues. Them butaforik, pasi e shpalli veten të vetëngrirë, se nuk është as proces demokratik as statutor, por vetëm frigoriferik. Kjo është faza finale e një kulturë të Lulzim Bashës që prej viteve nuk ka shprehur asnjë projekt përveç axhendës personale”, tha Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e sheh zgjidhjen e situatës brenda Partisë Demokratike me largimin e Bashës. Ndërkohë që në PD zhvillohen zgjedhjet brenda për kreun e ri të partisë, Topalli akuzon Bashën për manipulim të procesit. Jozefina Topalli tha se Basha ka urdhëruar mbushjen e kutive të votimit me fletë që nuk mbajnë votën e demokratëve. “Refuzimi i demokratëve, gjigand ndaj farsës. Kjo bëri që Basha të urdhëronte demokratët me fletë që nuk kanë votën e demokratëve. Zgjidhja në PD mund të bëhet duke larguar Bashës. Ai është personi që ka sjellë përçarjen në PD, është njeriu që i kapur në panik po falsifikon pjesëmarrjen në këto zgjedhje”, tha Jozefina Topalli.