Deponimet në hetuesi të ish-Ministrit të Shëndetësisë: “Mehmeti me mjekët kinezë do helmonte Enverin”

Për herë të parë publikohen deponimet në hetuesi të ish-Ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ku ai pranon bashkëpunimin me Mehmetin për të eleminuar Enverin

 

Dashnor Kaloçi

Para dy ditësh në faqet speciale të gazetës sonë publikuam një dokumet tepër sekret të shërbimeve të fshehta amerikane të vitit 1975, që i drejtohej ambasadës amerikane të akredituar në Buenos Aires të Argjentinës, në të cilin thuhej se udheheqësi i qeverisë shqiptare, ( i koduar në dokument me pseudonimin M-008″) gjatë vizitës së tij në SHBA në vitin 1960, kishte premtuar të helmonte Enver Hoxhën dhe të ndryshonte kursin politik të Shqipërisë duke marrë vetë pushtetin. Në atë dokument që disponohet i plotë nga “Gazeta” (në shqip dhe spanjisht) aludohet për Mehmet Shehun, gjë e cila konfirmohet edhe nga shënimi që është bërë në letrën e bashkëngjitur me të, nga Ministria e Punëve të Jashtëme në vitin 1986, ku thuhet se me porosi të Ramiz Alisë, ai dokument të vihet në materialet e tjera që gjenden në Arkivin Qëndror të Partisë për armikun Mehmet Shehu. Pas botimit të atij dokumenti, në numrin e djeshëm ne publikuam një intervistë ekskluzive me ish-atasheun ushtarak të Shqipërisë në Pekin, kolonelin në pension, Elami Hado, i cili që në vitin 1963 me anë të një relacioni të nisur nga Hanoi, njoftonte udhëheqjen e lartë në Tiranë, se zv / Ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Markov, i kishte thënë atij se kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, ishte agjent i amerikanëve. Në vitin 1974 kur Hado shërbente si pedagog në Akademinë Ushtarake në Tiranë, ai pati një konflikt me kryeministrin Mehmet Shehu dhe pak ditë më pas ai përfundoi për 16 vjet në burgje dhe internime si armik i popullit. Sipas Hados, të gjitha ato peripeci e vujatje të pafund, e kishin zanafillën edhe prej relacionit që ai pati bërë nga Hanoi në vitin 1963, ku mes të tjerash thuhej se Mehmet Shehu ishte agjent i amerikanëve. Pas botimit të dokumenetit të shërbimeve sekrete amerikane dhe dëshmisë së kolonelit në pension, Elami Hado, në numrin e sotëm dhe të nesërëm, ne po botojmë edhe një dokument tjetër që ka dalë nga Arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, që i përket vitit 1982 e ndodhet në dosjen hetimore të ish-Ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, i cili ishte arrestuar dhe mbahej i izoluar në qelitë e Burgut 313 në Tiranë, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiun, Ministrin e Brendshëm, Feçorr Shehu, Ministrin e Jashtëm , Nesti Nasen, Drejtorin e Sigurimit të udhëheqjes, Llambi Peçinin etj, të akuzuar si pjestarë të Grupit Armiqësor të kryesuar prej Mehmet Shehut. Pas një procesi hetimor që zgjati nga nëntori i vitit 1981 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxorr në gjyq dhe u dënua me vdekje duke u pushkatuar (në 17 shtator 1983) së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Sipas deponimeve të ish-Ministrit Ziçishti, të shkruara dhe firmosura prej tij në dokumenetin në fjalë, ai pranon të ketë bashkëpunuar me ish-kryemnistri Mehmet Shehu, i cili që në vitin 1973 ka dashur që ta helmonte Enver Hoxhën, me anë të mjekëve kinezë që ai kishte thërritur apostafat nga Kina. Po si qëndron e vërteta e këtyre dokumeneteve që po botojmë në faqet e gazetës sonë, a ka qenë vërtet Mehmet Shehu në shërbim të agjenturave të huaja perendimore dhe a ka bashkëpunuar ai me to për të eleminuar fizikisht Enver Hoxhën? Apo ato dokumente janë thjesht kombinacione të agjenturave të huaja për të futur përçarjen në rradhët e udhëheqjes së lartë komuniste të Shtetit shqiptar, apo dhe lojra e fabrikime të Sigurimit të Shtetit, të inicuara nga vetë Enver Hoxha dhe pasuesit e tij, (Nexhmija e Ramizi) për të bërë sa më të besueshme akuzat që ata i bënë Mehmet Shehut, pas eleminimit të tij në 18 dhjetorin e vitit 1981? Konkluzionet mbi këto enigma, më mirë se kushdo tjetër, i bën vetë lexuesi.

Deponimet e Ziçishtit
Procesverbal (I pyetjes të pandehurit)
Tiranë, më 18.5.1982
Ne, D.P e S. F, hetuesa në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimorëm në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti…

Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime rreth akuzës që u bëhet?…
Përgjigje: Unë falenderoj Partinë për diferencimin që më bëri duke mos konsideruar mua armik një lloj si Mehmet Shehu e Fiqret Shehu. Për këtë unë jam i vendosur dhe i premtoi hetuesisë së Partisë se do t’ja them hollësisht gjithshka që di për veprimtarinë armiqësore që kanë kryer armiqtë Mehmet e Fiqret Shehu kundër Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shtetit tonë sado e rëndë që të jetë dhe futja ime në këtë veprimtari armiqësore. Unë jam futur në veprimtari armiqësore kundër Partisë e shtetit tonë fillimisht, direkt nga Fiqret Shehu. Fiqret Shehu, për një kohë të gjatë dhe në mënyrë graduale më ka përpunuar mua shpirtërisht e ideologjikisht për interesat e saj e të Mehmet Shehut për të goditur vijën e Partisë së Punës të Shqipërisë, siç po e shpjegoj më poshtë: Duke filluar nga viti 1965, kur unë isha mjek kirurg në spitalin klinik nr.2 dhe Fiqret Shehu sekretare e Komitetit të Partisë të qytetit të Tiranës, ka filluar prej saj përpunimi im gradual për të më futur në veprimtari armiqësore. Ky përpunim ka vazhduar të bëhet më i fortë, sidomos në vitet e mëvonshme, kur unë e kam shoqëruar si mjek në kontrollet mjekësore që ajo ka bërë disa herë në Paris. Kështu, Fiqret Shehu shpesh më bënte mua lëvdata dhe më thurte elozhe për aftësitë e mia si mjek kirurg i zoti, i aftë, me kulturë e dije të thella në fushën e mjekësisë, gjë të cilat mua më pëlqenin dhe ndjenja kënaqësi që këto vlerësime m’i bënte Fiqret Shehu, e cila në të njëjtën kohë ishte edhe bashkëshortja e kryeministrit. Për të më patur më afër, mbasi spostoi profesor Petro Canin, Fiqret Shehu më bëri mjekun personal të familjes, si njeri tepër i besuar dhe i gatshëm për të plotësuar dëshirat dhe urdhërat e tyre, duke parë në të njëjtën kohë edhe gatishmërinë time për të qenë i nënshtruar ndaj kësaj familjeje, gjë që, shpesh në biseda më të e konsideroja një nder të madh që më bëhej. Në bisedat që kam zhvilluar me Fiqret Shehun,si gjatë kohës që kemi qenë së bashku në Paris edhe kur jemi kthyer në Shqipëri, ajo hapur më ka folur me mua për jetën e mirë e të lirë që bëhej në botën perëndimore, duke i ilustruar shpesh këto biseda me dëfrimet që bënte borgjezia, parisiene, sidomos gjatë kohës së lirë. Këto biseda unë ja përkrahja asaj se lidheshin edhe me nostalgjinë që unë kisha për jetën studenteske që unë kisha kaluar në Paris. Fiqret Shehu duke parë edhe përuljen që unë kisha ndaj mjekësisë franceze, ku edhe kisha studiuar, në këto biseda më mburrte e më ngrinte lart profesorët e mjekësisë e kryesisht profesor Miliezin, të cilin unë e kisha pasur edhe profesorin tim. Në të njëjtën kohë ajo më thosh se ne duhet të hapemi më shumë me botën perëndimore, e sidomos me Francën, ku pavarësisht nga bindjet politike më shumë e më lirshëm të vinë personalite të shkencës e nga ana jonë të shkojnë në këto vende. Në këtë çështje ajo theksin e vinte në fushën e mjekësisë ku edhe mua më pëlqenin dhe ja përkrahja mendimet që shprehte. Një moment tjetër që Fiqret Shehu ka shfrytëzuar për të më vënë mua në shërbim armqiësor kundër Partisë e shtetit tonë është edhe një incident që unë kam pasur në moshën e rinisë kur kam qenë student në Paris, konkretisht në vitet 1946-1949. Në atë kohë unë, nga marrëdhëniet që pata me një vajzë pariziene, më lindi një fëmijë (djalë) ilegal, shqetësim ky që më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës. Megjithëse mua nuk më kujtohet ndonjë rast që Fiqret Shehu të ma ketë përmendur këtë incident, isha i bindur se këtë ajo e dinte sepse unë e kisha shkruar në autobiografinë time në dokumentet e Partisë, ku ajo e ka mësuar si sekretare e Komitetit të Partisë që ka qenë… Në vitet e mëvonshme, edhe Mehmet Shehu, që siç më ka thënë Fiqret Shehu, ishte vënë prej saj në dijeni për pozicionin tim armiqësor, herë pas here më ka shprehur pikëpamjet që ai kishte kundër vijës së Partisë së Punës të Shqipërisë. Kështu si Fiqret Shehu dhe më vonë Mehmet Shehu nuk mbetën vetëm në përpunimin tim në aspektin ideologjik e shpirtëror, por siç do të shpjegoj hollësisht më vonë, mbas vitit 1970, kur unë u bëra ministër i Shëndetësisë, duke patur si bazë këtë përpunim filluan të më ngarkonin edhe detyra konkrete për realizimin e qëllimeve armiqësore. Kështu, Fiqret Shehu më ngarkoi detyra në fushën e shëndetësisë ku unë punoja e drejtoja. Ajo kërkonte dhe unë e kam informuar regullisht për diagnozat (sëmundjet) mjekimin dhe gjendjen shëndetësore të Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror të Partisë, të sekretarit të Komitetit Qëndror sot i vdekur si dhe për gratë e tyre, për të cilat shpesh më fliste edhe më përbuzje e mospërfillje të hapët, duke ngritur lart aftësitë e saj si teoriciente, si ish komisare gjatë luftës… Detyrë tjetër ka qenë që në sektorin e shëndetësisë të mundohesha të sillja shqetësim në popull, sepse ky sektor- thosh Fiqreti- është sektor shumë i ndjeshëm e që lidhet me shëndetin e popullit, ku si pasojë ndikon drejtpërsëdrejti në prishjen e unitetit të popullit me Partinë. Në kundërshtim me orientimet e Partisë, e cila porosit që shërbimi shëndetësor të zbresë sa më afër popullit, Fiqret Shehu dhe Mehmet Shehu më porositnin që të përkrahja me masa konkrete specialitetet e ngushta dhe jo shërbim të përgjithshëm të kualifikuar masiv, mbylljen në këto profile të ngushta kurative dhe nënvleftësim e profilaksisë. Për të realizuar këto detyra që viheshin në rrugë armiqësore unë ndërtova edhe metodën e punës sime.