Departamenti i Shtetit paralajmëron amerikanët në Evropë, mbi rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste

Kur të gjithë e presin me padurim fishkëllimën e bilbilit për fillimin e botërorit të futbollit “Francë 2016”, kur gjithçka tashmë në rrafshin përgatitor ka mbyllur siparin, është Departamenti Amerikan i Shtetit që paralajmëron shtetasit e tij në Evropë për mundësinë e rrezikut që mbartin evente të tilla.

Departamenti amerikan i Shtetit, njoftohet në media nxori një paralajmërim për amerikanët që udhëtojnë në Evropë mbi rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste që vënë në shënjestër ngjarje të mëdha, vende turistike, restorante, qendra tregtare dhe të transportit. Paralajmërimi, i cili skadon më 31 gusht, 2016 thekson se “numri i madh i turistëve që vizitojnë Evropën në muajt e verës paraqet objektivat më të mëdha për terroristët që planifikojnë sulme në vende publike, sidomos në ngjarje të mëdha.”

Në veçanti, paralajmërimi tërheq vëmendjen te Kampionati Evropian i futbollit nga 10 qershor deri më 10 korrik dhe gara e çiklizmit “Tour de France”, nga 2 deri në 24 korrik në Francë. Tjetër ngjarje është Dita Botërore e Rinisë Katolike në Krakov të Polonisë, nga 26 më 31 korrik, që pritet të tërheqë deri në 2.5 milionë vizitorë.

Edhe pse autoritetet evropiane vazhdojnë të ndërmarrin hapa për të garantuar sigurinë publike, Departamenti i Shtetit u bën thirrje amerikanëve të jenë vigjilentë.