Debati për votat e rrjedhura të Grupit Parlamentar të PD, Majlinda Bregu: Aman, mos na e nxirrni bojën!

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, i ka bërë apel drejtuesve të partisë së drejtuar nga Lulzim Basha se justifikimi për rrjedhje votash nga grupi për zgjedhjen e Ruçit si kryetar të Kuvendit, është diçka sa e paturp, aq edhe qesharake.

“Mirë nga humbja në humbje na udhëhoqet me aq sukses sa nuk ju mposht dot njeri, por tani ju lutem në emër të shumë grave e burrave që e kanë të pamundur ta braktisin PD-në dhe mendojnë se ju që mbani siglën, në mos mishin, kockën do ja ruanit PD-së, mos na beni edhe paturpësisht qesharakë! PD-së i humbi gjysma e grupit, në erresirën totale ku u përpiluan listat e deputetëve dhe ju nuk u mblodhët të gjeni fajtorin! Ose më mirë, se gati harrova; u mblodhët pas “fitores” së 25 Qershorit për t’i vënë kurorën e dafinës “FITIMTARIT”, që ai ta kishte më të lehtë të vidhte brenda shtëpisë së tij!”, shkruan Bregu.

Bregu thotë se PD i ka humbur shpirtia dhe ka mbetur “vetëm mish-tul në kokë i udhëheqjes së lavdishme të republikës së re”.

“Tani na qenkeni mbledhur për të thënë se “kush shet votën s’do ketë vend në Grupin Parlamentar”. Ou?! Po për atë që vjedh votat e njerëzve të shtëpisë dhe shet 240 mijë vota, ku është vendi?! Po pse nuk e paskan të drejtën as tre njerëz që të kenë një mendim të fshehtë, ndryshe nga udhëheqja e re politike?! Pse këta s’paskan të drejtë për mendim të fshehtë, siç pat Kryetari të drejtën e marrëveshjes së fshehtë?!”, pyet ish-deputetja e PD-së.

“Aman mos na e nxirrni bojën fare,fare,fare, se janë vërtet gjynah demokratët që s’ju ikët nga PD, edhe kur ju të udhëheqjes së Partisë së Republikës së Re, s’po lini gjë pa bërë për t’i treguar gjithë dynjasë së PD e vërtetë, është vetëm një kujtim i të shkuarës”, mbyll reagimin e saj, Majlinda Bregu.