Debati për islamin, Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer: Jo përçarje, por punë për shoqërinë multikulturore

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer mendon se islami dhe myslimanët gjermanë mund të ndahen. Kjo do të thotë të mos e kuptosh realitetin. Ky vend ka shkuar më larg se ky debat i vjetër, mendon Loay Mudhoon.

„Islami nuk i përket Gjermanisë, por myslimanët, që jetojnë në këtë vend vetëkuptueshëm i përkasin Gjermanisë.” Kjo deklaratë është shumë e tejpërdorur dhe nga ana e politikës reale pa kuptim, saqë nuk i duhej kushtuar shumë vëmendje. Por nga joshja e populizmit nuk shpëtojnë dot të gjithë politikanët dhe opinionbërësit, që e ndezin debatin për islamin në këtë vend me një çështje me simbolikë politike.

Në një kohë që në diskursin federal për islamin gjërat kanë shkuar shumë më përpara, se sa një deklaratë abstrakte populiste. Para 13 vitesh ishte ministri i Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble që thirri Konferencën e Islamit në Gjermani. Para 10 vitesh u ngritën edhe katedrat e para të teologjisë islame në Gjermani.

Myslimanët pa islamin nuk ekzistojnë

Nga përmbajtja, praktikisht dhe juridikisht nuk justifikohet dot dallimi që i bën Seehoferi myslimanëve dhe islamit. Ky dallim është jashtë realitetit. Arsyet janë të kuptueshme:

Së pari: Se ku besojnë qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi është një gjë private. Feja nuk përcakton përkatësinë në një vend. Kushtetuta jonë liberale demokratike është botëkuptimore, neutrale dhe mban detyrimin për ruajtjen e lirisë së fesë, si çdo e drejtë themelore.

Së dyti: Kur qytetarët bëjnë pjesë tek një komb kushtetues, atëherë automatikisht bën pjesë edhe feja e tyre aty. Në fund të fundit nuk mund të ndash qytetaret dhe qytetarët gjermanë të besimit mysliman nga feja e tyre.

Së treti: Me çështjen e shtruar gjithnjë nga e para, pra të përkatësisë apo mospërkatësisë së islamit në Gjermani myslimanët bëhen një masë pa profil, homogjene e iu merret individualiteti. Por myslimanët gjermanë nuk janë automatë të kuranit. Janë më të paktë ata myslimanë që e përcaktojnë veten vetëm përmes fesë së tyre, edhe pse shoqatat konservatore islame përpiqen të zgjojnë pikërisht këtë përshtypje. Kësaj i shtohet: Identiteti mund të perceptohet në kontekstin islam vetëm në shumës.

Politikë identitare përmes përjashtimit

Horst Seehofer bën një politikë identitare të klisheve, një politikë të rrezikshme me riaktivizimin e këtij debati, e këtë në kurriz të pakicës myslimane në vend. Ajo është e rrezikshme, sepse sjell irritime dhe probleme identiteti, sidomos tek të rinjtë, që nuk njohin vendlindje tjetër veç Gjermanisë. Me këtë ministri i Brendshëm gjerman e vështirëson identifikimin e këtyre të rinjve me Gjermaninë dhe nuk e ndihmon integrimin.

Politike faktesh jo simbolesh

Py dyshim: Që myslimanët janë pjesë e hapësirës publike ka efekt irritues ndaj popullsisë. Por kjo nuk ka të bëjë me „islamizimin e perëndimit”, por me lirinë, që ofron kushtetuta jonë. Që kërkon barazimin institucional të islamit me kishat e krishtere. Edhe për këtë është e rëndësishme që të debatohet, gjithnjë e parimisht, për marrëdhënien e shtetit me fenë.

Mudhoon Loay Kommentarbild App für ArabischLoay Mudhoon

Por këto debate nuk duhet të na çojnë aty që të harrojmë faktet, çështjet e rëndësishme që nevojiten aktualisht për t’u zgjidhur, sepse ngecim në nivelin e politikës simbolike. Politika e fakteve konkrete është më e komplikuar se ajo e gjoja-diskurseve. Ministri i ri i Brendshëm duhet ta vrasë më shumë mendjen, se si të përmirësojë bashkëjetesën e një shoqërie migracioni, multietnike e multikulturore.

Shumë punë për Horst Seehofer

Aktualisht ai duhej të kujdesej që xhamitë në këtë vend të mbrohen nga sulme terrori. Përveç kësaj, ai duhet të mbështesë përpjekjet e landeve që oferta për mësimin e islamit në shkollat gjermane të bëhet një gjë normale. Pra, ka shumë punë për të bërë ministri i ri i Brendshëm. Një ide e mirë do të ishte rigjallërimi i Konferencës për Islamin si platformë kombëtare e dialogut: Këtu mund të merrte impulse të reja integrimi i islamit në shtetin gjerman dhe të krijohen modele orientuese për një shoqëri moderne migracioni. Dhe kjo mbi bazën e shanseve të barabarta, të pjesëmarrjes të të gjithë qytetareve e qytetarëve të këtij vendi.

 

Ju mund të jepni në fund të këtij artikulli mendimin Tuaj! Ne ju mirëpresim!

DW