Debate në Komisionin e Sigurisë, deputeti demokrat Flamur Noka: Drejtues policie të përfshirë në trafik droge

Komisioni i Sigurisë Kombëtare, është pëerfshirë dje në debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ku shkak ishte diskutimi për dhunën në familje dhe grupet kriminale, nisur nga rastet e fundit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato gjatë raportimit në komision, është akzuar nga deputeti i PD-së, Flamur Noka, njëherësh edhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, i cili madje ka lëshuar akuza të forta në drejtim të policisë së shtetit. “Një Shqipëri që është vend transit i drogave të forta, nuk mund të ketë polici të besueshme. Drejtues të lartë të policisë janë të përfshirë në trafikun e kanabisit. Ndërsa drejtues policie janë të larguar me kërkesë të ambasadës amerikane. Nëse do vazhdoni ta mbani policinë në lidhje me krimin, do ta degradoni dhe kalbeni. Në 4 vitet që shkuan nuk u fol gjë tjetër vetëm për drogën. Informacionin më të shpejtë dhe më të saktë e marrin strukturat e krimit të organizuar akoma pa e ditur as drejtori i policisë dhe as ministri. Një polici e tillë e ka të vështirë të ketë kuota të larta besueshmërie”,-deklaroi Noka. Me deputetin Falmur Noka, replikoi kryetarja e komisionit Ermonela Felaj, e cila tha se akuzat janë të pabaza ndërsa raportet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare vlerësojnë punën e policisë. “Ka një statistikë të Ministrisë së Drejtësisë, ka një statistikë të Policisë së Shtetit për krimin. Nëse do të bëjmë një ballafaqim serioz dhe real të të dhënave që na japin këto statistika do të arrinim në konkluzione më të drejta”- theksoi Felaj. Ndërsa deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari ka ngritur pyetjen se çfarë masash po merren nga policia për dhunën në familje. “Çfarë masash do merren për forcimin e rolit të policisë në raport me dhunën në familje? Sepse e shohim nga rastet e fundit se ka një rritje të saj”, deklaroi deputeti i LSI, Endrit Brahimllari. Sipas drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Altin Qato, unifromat blu nuk mund ta luftojnë të vetme këtë fenomen. “Nga analizat tona rezulton se veç policisë janë dhe shumë aktorë socialë që ndikojnë. Shpesh herë policia ndeshet me faktet, bën veprimet proceduriale, por duhet të ketë edhe ndihma sociale për të dhunuarit. Për shembull, nëse ne nxjerrim një urdhër mbrojtjeje duhet të jenë aktorë të tjerë që të kujdesen për sigurinë e banesave, apo përkrahjen sociale”, tha Qato. Por pavarësisht debateve, të gjithë deputetët votuan pro marrëveshjes me qeverinë suedeze, e cila ka ofruar 3.3 milionë euro donacion për programin e policimit në komunitet, ku parashikohet edhe forcimi i masave kundër dhunës në familje.