Covid 19, Fisichella-Vatikan: mjekime për të gjithë, edhe për më të varfërit!

Sot paradite, konferenca e shtypit për paraqitjen e Mesazhit të Papës kushtuar Ditës IV Botërore të të Varfërve. Në qendër të reflektimit të imzot Fisichell-ës, thirrja, që u drejtohet të krishterëve për të qenë në vijë të parë në ndihmë të nevojtarëve, të cilët ka mjaft mundësi të jenë edhe më të shumtë, për shkak të pandemisë

R. SH. – Vatikan

“Lutja drejtuar Zotit e solidariteti ndaj të varfërve e të vuajturve, janë të pandashëm” e duhet pranuar se çdo njeri e ka mbi vete vulën e shëmbëllimit të Zotit”. Këto fjalë të mesazhit të Papës për Ditën Botërore të të varfërve ishin filli i kuq i fjalës së imzot Rino Fisichellës, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, transemtuar drejtpërdrejt në streaming, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, bosh për arsye të masave parandaluese të pandemisë:

“Tema e ‘figurës së Zotit, shtypur mbi fyyrën e të varfërit’ është jashtëzakonisht domethënëse, sepse të detyron  të mos ia kthesh shpinën,  kur dëshiron të jetosh një jetë plotësisht të krishterë. Në këtë kuptim, metafora   ‘shtrija dorën’, fiton një vlerë më të thellë, sepse të detyron të  rikthehesh tek fjalët e Zotit, që deshi të njëjtësohej me ata, të cilëve u mungojnë gjërat më të nevojshme e jetojnë në kushte të rënda shoqërore dhe ekzistenciale”.

Papa: britma e heshtur e të varfërve ta gjejë Kishën me dorë të shtrirë,  në vijë të parë  

Dita Botërore kushtuar të varfërve me temë “Shtrija dorën të varfërve”, do të kremtohet më 15 nëntor 2020,  E mesazhi i Papës – kujtoi imzot Fisichella – përkon plotësisht me këto kohë krize, që po jeton njerëzimi  për shkak të pandemisë, në vijim të së cilës, ka shumë mundësi të shtohet gjithnjë më shumë numri i britmave për ndihmë. E do të jetë detyra jonë – nënvizoi – që të mos u mungojnë të varfërve edhe më të shumtë, që do t’i takojmë, shenjat e përditshme, që shoqërojnë veprimtarinë tonë baritore, si dhe ato të jashtëzakonshmet, që parashikon e realizon tashmë prej vitesh, Dita Botërore e të Varfërve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me impenjimin e Kishës, imzot Fisichella u ndalua posaçërisht tek Fondi i solidaritetit për dioqezën e Romës, Fondi i “Jezusit Punëtor Hyjnor”, shenjë, e njëkohësisht edhe thirrje, për bashkësinë e krishterë, por edhe për veprimtarinë e vullnetarëve, të Karitasit e të gjithë njerëzve vullnetmirë.

Vaksina, për të gjithë!

Kërkimi shkencor i vaksinës, pastaj, të kujton thirrjen e Kishës që shkenca  të mos japë përgjigje të pjesëshme, ose që kanë të bëjnë vetëm me zona të veçanta gjeografike. Shkenca duhet të mendojë për të gjithë – u theksua – duhet t’ua shtrijë të gjithëve dorën, edhe në këtë drejtim, me rëndësi të madhe për t’i dhënë fund epidemisë.

Dora e shtrirë është ftesë për t’i lehtësuar  njerëzit që vuajnë nga mjerimi, me gjeste të përditshme, sepse të përditshme janë edhe nevojat e njeriut. Këtu spikat roli i “Shenjtorëve të portës kundruall”:

“Papa Françesku nuk ka frikë t’i identifikojë këta njerëz me shenjtorët e vërtetë, ‘Shenjtorë të portës kundruall’, që me thjeshtësi, pa bujë e publicitet, japin dëshmi të mirëfilltë të dashurisë së krishterë. Sepse nuk duhet të ndjehemi ‘në rregull’, kur një anëtar i familjes njerëzore flaket  në mes të rrugës  e bëhet hije”.