Cili ishte Ahmet Zogu sipas Bedri Spahiut (shënime nga një qeli burgu)

Bedri Spahiu ka qenë një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipërinë e jugut. Për militantizmin, oratorinë dhe trimëritë e tij janë ngritur këngë të këtij lloji: “Kush e njeh Bedri Spahinë? N’Kurvelesh mban fjalim./ I vogël sa një stërlinë/ I vogël por vetëtimë…”

Pas lufte Bedri Spahiu ishte një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të regjimit komunist. Ai ka qenë Prokurori i Gjyqeve speciale, për të cilin sërish këndohej: “Tradhtarët porsi miu,/ I dënon Bedri Spahiu…”

Në vitin 1955 ai dënohet për veprimtari armiqësore, përjashtohet nga udhëheqja dhe nga partia. Gjithë vitet e tjera i ka kaluar në burgje dhe internime deri në vitin 1991.

Më 1992 ai botoi artikullin e famshëm me një titull të pazakontë: Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun, në të cilin kërkonte ndjesë publike dhe me zemër në dorë për gabimet që kishte bërë si ish-udhëheqës i lartë komunist. Ai ishte i pari (dhe i vetmi deri tani nga ish-garda e vjetër) që ka kryer këtë akt purifikimi të ndërgjegjes të mirëpritur nga shqiptarët. Dhe ky akt është dëshmi e një karakteri të fortë dhe të rrallë.

Bedri Spahiu kreu nga viti 1955 deri më 1990, plot 35 vjet burg dhe internim.

Pasi fitoi lirinë, u tërhoq në jetën e tij private dhe nuk u përzie me asnjë krah të politikës.

Këto kujtime janë shkruar në Burgun e Burrelit në vitet 1970 –1971, kur autori vuante aty dënimin.

I biri i Bedriut, Spartak Spahiu, i ka mbledhur me kujdes shënimet dhe kujtimet e të atit, ndërsa ekskluzivisht për gazetën DITA dha këtë pjesë të kujtimeve të titulluar “Jeta në kazermë”, i cila bën fjalë për vitet ’30, pra për gjysmën e dytë të sundimit të Ahmet Zogut. Ka në këto kujtime fakte të panjohura, por edhe një analizë të pamëshirshme të regjimit zogist.

Përgatiti Xhevdet Shehu

 

Gjashtë vjet në kazermë

(1 gusht 1931 – 11 qershor 1937)

Ajo zonë, sot ku shtrihet Qyteti i Nxënsave, në kohën e Zogut, quhej zona e Kazermave të Ali Rizait. Ali Rizai ishte një oficer i Zogut. Ai ndërtoi në atë zonë, që ishte krejt e pabanuar, një kazermë për repartin e tij dhe prandaj gjithë zona mori emrin e tij. Emri nuk i ndryshoi, megjithëse më vonë u ndërtuan atje, aq shumë kazerma dhe aq të mëdha, sa që kazerma e Riza Aliut humbi ndërmjet tyre, si hauri ndërmjet pallateve.

Zogu, që të siguronte sundimin, iu desh ta shpallte Italinë “motër të madhe” dhe të ndihmohej prej saj. Musolini, për të patur Motër të Vogël, “Pattulia avanzata”,  në Ballkan, i duhej që Shqipëria të pajisej me një ushtri moderne. Komandës së Përgjithshme të ushtrisë shqiptare të asaj kohe, iu deshën kazerma për një ushtri moderne. Kështu lindi kompleksi i kazermave të zonës në fjalë.

Vetë Aliu u zhduk nga qarkullimi, megjithëse emri iu përjetua në kazermat, kurse në shkolla, brenda e jashtë shtetit, filluan të nxjerrin oficerë të rinj, të aftë për një ushtri moderne. Kategoria e Aliut nuk ishin të aftë si oficerë të një ushtrie moderne. Aliut do t’i dëgjohej edhe një herë emri, më 1935, si kryetar i Gjyqit të Fierit dhe pas këtij funksioni të ndyrë, emri i tij nuk do të ndihej më në botën politike të vendit.

Si çdo sundimtar, edhe Zogu e mbante veten si zot i vendit dhe  baroste banorët me detyrën e “mbrojtjen e Atdheut”, detyrë që kishte si rrjedhim kryerjen e shërbimit ushtarak pa shpërblim. Dhe mbasi Zoti i gjithësisë ka përballë Dreqin, zoti i vendit, nuk mund të mos ketë përballë kundërshtarë dhe kjo dialektikë e kishte orientuar Zogun, që të kishte edhe armën e xhandarmërisë. Detyra e ushtrisë ishte hipotetike, eventuale, futuriste. Ajo hyn në veprim, në qoftë se sulmohet vendi; detyra e xhandarmërisë është aktuale, imediate, efektive. Ajo është gjithnjë në roje të sundimit, prandaj nuk ka nevojë për kazerma, nuk mbahet e përqendruar dhe vepron e shpërndarë në viset e Shqipërisë.

Kazermat e Ali Rizait ishin më të mëdhatë në Shqipëri. Këtu ishte përqendrimi më i madh ushtarak. Veç Grupit të Parë të Fanterisë, këtu ishte Grupi i Artilerisë “Kosova”, Bateria Fushore 75/27, Bateria 65/17, Shkolla Mbretërore, Kursi i Oficerave të Plotësimit dhe… Burgu. Po! Edhe Burgu, se ku ka sundim ka edhe burg dhe ushtria para se të jetë çdo gjë tjetër është sundim dhe sundim nga më djallëzorët.

Çdo tetëmbëdhjetë muaj, nga të gjitha anët e Shqipërisë, niseshin rekrutët në kazermat dhe ktheheshin në vendet e tyre, ushtarët e liruar.

Kazerma ishte shtëpia e kultit të sundonjësit, e kultit të Atdheut dhe e kultit të nënshtrimit. Gjatë tetëmbëdhjetë muajve, këtu i riu do të dëgjonte dhe do të përsëriste se tirania është regjimi ideal për popullin dhe se  Tirani është prijësi i natyrshëm i popullit e se populli ka gjetur në personin e Tiranit, udhëheqësin drejt fatbardhësisë. Për tetëmbëdhjetë muaj qytetarit i shtrohej një përpunimi mendor, që kishte për qëllim të identifikonte Atdheun me regjimin politik, detyrën e mbrojtjes së Atdheut me detyrën e mbrojtjes së regjimit dhe miqësinë idividuale, me mirëqenien dhe fatin e këtij regjimi. Për tetëmbëdhjetë muaj rekruti do t’i shtrohej arbitrit të Rregullores Ushtarake të oficerit dhe të graduatit, me qëllim që të asgjësohej sedra, dinjiteti dhe personaliteti individual, të konstatohej vullneti i njeriut, të kultivohej automatizimi militarist, të formohej ushtari, ai personazh guak që ze vendin e një numri që vepron si makinë dhe që vret për profesion.

Ja, në një kazermë të tillë dhe për një ndërmarrje të tillë, më destinoi prapësia e jetës. Më 1 gusht 1931, unë me një grup shokësh të porsagraduar, u transferuam në Grupin e Artilerisë “Kosova”, në kazermat e Ali Rizait. Një gushti ishte triumfi i prapësisë së jetës mbi vullnetin tim, por një gushti ishte dhe fillimi  i revanshit tim. Në kazermat e Ali Rizait, unë do të kurdisja bombën me plasje të vonët, do të krijoja Grupin komunist.

Unë isha produkt i atij antimilitarizmi, që pushtoi Botën, pas Luftës së Parë Botërore. Kur isha në gjimnaz, me gjithë privacionet ekonomike, unë thoja se nuk do të pranoja të bëhesha oficer edhe po të më jepnin që në fillim, në çast gradën major. Por rregjimi i Zogut, më shkëputi nga gjimnazi për të kryer shërbimin ushtarak, tetëmbëdhjetë mujor dhe më vuri përpara dilemës: ose 18 muaj ushtar dhe pas kësaj periudhe i papunë ose 18 muaj në Shkollën e Artilerisë dhe pas kësaj në karrierën e oficerit aktiv. Natyrisht zgjodha shkollën dhe vesha kështu uniformën që urreja më shumë.

Dy ishin viset që e furnizonin rregjimin me nxënësa për oficera: Mati dhe Dibra. Unë isha nga Gjirokastra dhe për gjirokastritët ishin të mbyllura dyert e kurseve, që bëheshin atëherë për përgatitje të oficerëve të fanterisë. Veç kësaj ndër kandidatët matjanë e dibranë, pranoheshin në këto kurse, ata të rinj që ishin misa të familjeve të miqësuara dhe të solidarizuara me Zogun, që në ditët e para të kthimit të tij në Shqipëri ose që ishin të rekomanduara nga këto familje. Mbi bazë të kriterit të solidarizimit fillestar dhe të rekomandimit, mund të futeshin në kurset e fanterisë, edhe nxënësa nga krahina të tjera, por praktikisht ishte aq rrallë të gjeje në vise të tjera familje të solidarizimit fillestar, sa ishte rrallë të gjeje kristianë me origjinë muslimane. Për të rinj nga radha e të vobektëve të qytetit, siç isha unë, ishte aq e pamundur që të siguronin një rekomandim për në kurset e fanterisë, sa ishte e pamundur që të lidhej një krushqi ndërmjet një familjeje dhjakonare dhe një familjeje pasanike.

Por, që nga viti 1928 gjendja filloi të ndryshojë. Atëhere politika e kuadrit ushtarak të rregjimit u gjend në një kryqëzim rrugësh. Politika krahinore, personale dhe miqësore e kuadrit ideal për një ushtri këmbësore të vogël, sa i duhej vetë rregjimit, nuk ishte më i përshtatshme dhe e mundshme për një ushtri shumëarmësh (fanteri, artileri, xhenjo) aq të madhe dhe aq moderne sa i duhej “Aleates së madhe”. Nuk ishte e drejtë të pandehet, se Zogu nuk e kuptonte, se një politikë e zgjedhjes së kandidatëve për nxënësa oficerë pavarësisht nga krahina dhe shtresa shoqërore mbi bazë konkursi ashtu si i duhej një ushtrie moderne kishte rreziqet e saj. Në rradhët e oficerëve do të futeshin elementë të pakontrolluar, heterogjne e të influencuar nga korente ideologjike kundërshtare.

Por, Zogut iu desh të zgjidhte ndërmjet këtij rreziku, që paraqiste kuadri i një ushtrie moderne dhe rrezikut të dështimit të politikës së miqësisë me Italinë fashiste; miqësi që presupozonte ndër të tjera, edhe krijimin e ushtrisë moderne. Ndër dy këto rreziqe për Zogun, mungesa e ndihmës së Musolinit përbënte të keqen më të madhe.

Zogu veproi sipas së keqes më të vogël. Filluan të ngrihen kurse shkolle për oficerët e armëve speciale mbi bazë konkursi dhe kurse për oficera plotësimi mbi bazë të shërbimit ushtarak dhe të diplomës së shkollës së mesme. Kështu kuadri oficer u nacionalizua dhe u demokratizua. Në armët e reja si artileria, xhenjo e ndërlidhja, haseshin oficerë nga të gjitha klasat dhe shtresat e popullsisë. Është pikërisht për këtë arsye, që ideja komuniste u përhap më shumë në këto tre armë dhe që Zogu u tregua i matur në sjelljen e tij kundër Grupit komunist, hezitonte të bënte spastrimin e rradhëve të kuadrit  nga komunistët, që i propozonin vartësit e tij dhe që pas arrestimit të Grupit komunist, nuk i besoi as informatave të Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe as hetimit të Komandës së Përgjithshme, por bëri vetë një hetim me anë të inspektorit të Oborrit, Harrillës, duke i marë në pyetje drejtpëdrejt të pandehurit.

Unë nuk isha vetëm antimilitarist. Isha edhe i mbrujtur me atë frymë komuniste e revolucionare që lëshoi mbi Evropë dhe në botë Revolucioni i Tetorit. Për më tepër isha pjellë e mizerjes shoqërore, i munduar nga jeta dhe i revoltuar kundra saj dhe prej natyre isha një nga ato krijesa njerëzore, që nuk e braktisin idealin, që mund të thyhen, por që nuk përkulen, që mund t’i bien edhe murit me kokë në rrugën e së vërtetës që përfaqësojnë, por që nuk zbrapsen. Unë pata kënaqësinë të gjej të tillë njerëz, në rradhët e nxënësve të shkollës së artilerisë, në rradhët e oficerëve, të nënoficerëve të artilerisë, të xhenjos e nga pak në të gjitha armët e ushtrisë, në xhandarmëri dhe më vonë edhe në civilë.

Indiferentët

Seleksionimi subversiv mori fund natën e 13 – 14 gushtit 1935, në vigjiljen e Kryengritjes së Fierit. Zogu kish urdhëruar  gadishmërinë e reparteve. Oficerët e  kalonin natën në repart, në pritje të urdhërit të veprimit dhe ne bëmë mbledhjen e rrapit, duke tërhequr në këtë mbledhje, të gjithë ata oficerë të Grupit, që ishin të dispozuar të merrnin pjesë në kryengritje dhe të drejtonin armët kundër rregjimit.

Mbas kësaj, ndarja e oficerëve në antizogistë të udhëhequr nga komunistët, në zogista dhe në indiferentë, e realizuar gjatë një propagande katër vjeçare, paraqitej e ngurtësuar. Me dështimin e Kryengritjes së Fierit u kapërcye faza kulminante e shkëputjes së oficerëve nga influenca zogiste. Rregjimi kapërceu krizën e tij më të madhe. Përballë nesh tani janë zogistët pa të çara. Ndërmjet nesh dhe atyre janë indiferentët që u treguan amorfë edhe në kulmin e krizës së rregjimit. Vetëm një krizë e re e rregjimit në të ardhmen, mund të provokojë një diferencim  të ri na rradhën e zogistave dhe të indiferentëve, por ne komunistët ishim mjaft të komprometuar. Rregjimi filloi të marrë masa izolimi ndaj meje dhe disa shokëve, izolim brenda Grupit dhe transferim jashtë Grupit. Arrestimet janë në rendin e ditës.

Ç’do të thotë “oficerë indiferentë”? Mos do të hidhnin armët këta, sikur lëvizja antizogiste të kishte mundur të realizonte një drejtim unik të oficerëve antizogistë të Tiranës dhe të shpërthente kryengritjen në kryeqytet? Jo! Ata nuk do të hidhnin armët dhe nuk do të vepronin në krah të opozitës, por në krah të oficerëve zogistë dhe do të luftonin kundra nesh jo më pak se zogistët.

Kur është fjala për vijën e zjarrit, për oficerin ka vetëm dy drejtime: ose të drejtojë repartin kundra atij, që ka përballë ose kundra atij që ka nga pas. Një drejtim i tretë nuk ekziston.

Ne përdorim fjalën indiferentë për të treguar atë pjesë të oficerëve që kishin kaluar në përpunimin tonë, por nuk ishin shoqëruar me ne. Dikujt i ishte kritikuar politika e rregjimit, dikujt edhe vetë rregjimi, duke i kundërvenë rregjimin republikan, dikujt edhe sistemi ekonomik të shoqërisë i kundërvumë sistemin sovjetik, dikujt i ishte bërë thirrje për të marrë pjesë në kryengritjen që po përgatitej (1934 – 1935).

Asnjë nga këta oficerë nuk e vlerësoi sakrilegj mendimin e komunistit, asnjë prej tyre nuk e arsyetoi pasivitetin, refuzimin ose kundërshtimin e tij me lidhjen e betimit të besnikërisë ose argumentë besnikërie politike, asnjë nuk  i këputi lidhjet shoqërore me komunistin që tentoi ta lidhte me kampin e kundërt. Kjo karakteristikë e përbashkët i bënte ata sa të ndryshëm nga antizogistët, aq të ndryshëm edhe nga zogistët.

Revolucioni demokratik

Histori e shekullit XX, tregon se në vende të prapambetura (nënzhvillim), në kushte normale, ushtria është e vetmja forcë, që mund të përmbysë Tiraninë.

Dhe kjo shpjegohet:

Në vende të nënzhvilluara nuk ka vendbanime të mëdha, me masa të përqendruara. Popullsia është e shpërndarë në një territor të gjerë. Opozita nuk mundet të bëjë përqendrimin e forcave të saj dhe çdo përqendrim lokal i këtyre forcave, do të gjejë përballë forcat e armatosura të tiranisë, e cila jo vetëm disponon forcë të përqendruar, por edhe ka mundësi edhe të përqendrojë dhe të manovrojë në saj të mjeteve të komunikacionit që disponon për këtë manovrim. Edhe në ato raste kur vendi i nënzhvilluar ka një ose dy qendra relativisht të mëdha dhe të supozojmë se në këto qendra influenca e opozitës ishte absolute (gjë që në praktikë është absolutisht e pamundur), opozita prapë nuk do të ketë as kohë, as mjete transporti, që të formojë masë përballë forcave të Tiranit në pikën e nevojshme të mbrojtjes së tij.

Për shkak të natyrës policeske të tiranisë, opozita nuk mund të shndrojë në mundësi efektive mundësitë latente, nuk mund t’i aktivizojë këto forca latente pa pasur në dispozicion një periudhë kohe të nevojshme për këtë punë dhe tirania nuk ia jep këtë kohë asaj. Me shërbimin e spiunazhit tirania i dikton lëvizjet dhe qëllimet e opozitës dhe e çokanis atë si t’i vijë më mbarë dhe kur t’i teket më mirë.

Është për shkak të këtyre rrethanave që tirania në vende të nënzhvilluara vazhdon të jetojë pa shqetësime serioze, deri sa fryma opozitare pushton ushtrinë, oficerët, komandat. Në këtë pikë ushtria lëviz në drejtim të kundërt të destinacionit të saj. Ajo përmbys tiraninë ekzistuese.

Shqipëria ishte një nga këto vende të nënzhvillimit. Tirania e goditi opozitën më 1932 (Organizata e Labërisë), më 1937 (Grupi komunist i ushtrisë), më 1938 (Grupi komunist i Shkodrës). E theu tentativën e Kryengritjes së Fierit dhe atë të Delvinës. U vërtetua edhe në rastin e Shqipërisë, se rregjimi tiranik nuk i jep opozitës kohën e nevojshme për përgatitje ose ndërmarrjet kryengritëse mbi bazë të lëvizjeve civile janë të destinuara të dështojnë.

Por nga ana tjetër krijimi i Grupit Komunist në armën speciale të ushtrisë dhe në kushtet e favorshme me këtë armë për propagandën antizogiste dhe komuniste, konfirmojnë në terrenin e Shqipërisë, atë që është karaktristikë për ushtritë e vendeve të nënzhvilluara dhe pikërisht faktin, që ushtria e këtyre vendeve është e prirur të pushtohet nga forma opozicionare.

Fuqitë e armatosura të Zogut ishin prekur, por nuk ishin pushtuar nga fryma revolucionare. Këtë provoi Revolucioni i Fierit. Në fakt qendra e nacionalistëve revolucionarë, megjithëse vendbanimin e kishte në Tiranë, nuk e shpërtheu kryengritjen këtu. Musa Krajën e dërgoi të shpalli kryengritjen në Fier dhe të komandonte jo reparte ushtarake, por turma civilësh që u shpërndanë që në rezistencën e parë të Lushnjes. Ne komunistëve na çoi lajm që të linim repartet e të shkonim në Durrës, ku do të na “dërgonte” udhëzime veprimi.

Nga kjo vërtetohet se nacionalistët nuk kishin përkrahës në rradhët e ushtrisë; nuk kishin këtu një punë subversive si komunistët dhe prandaj nuk kishin me kë të bashkonin forcat e Grupit tonë, por të të kombinuara me një veprim kryengritës brenda kryeqytetit.

Sikur të mos kishte ndodhur pushtimi i prillit 1939, që i dha fund rregjimit të Zogut, unë jam i bindur se përmbysja e Tiranisë së Zogut, do të ndodhte jo nga një kryengritje me sukses e masave civile, por një veprim ngadhnjimtar i njësive ushtarake dhe Shqipëria do të konfirmonte edhe nga kjo anë, rregullin e përgjithshëm se në vendet nënzhvillim në kushte normale, vetëm ushtria është forcë e aftë për të përmbysur tiranitë.

Ne komunistët sapo kishim dalë nga veza. Ne ishim në fazën e rretheve propagandistike. Revolucioni ynë ishte një objekt strategjik, si të them, ishte çështje e një perspektive të largët. I kohës ishte revolucioni borgjez, demokratik. Ne e dinim mirë se nuk mund të ishim në krye dhe të udhëhiqnim këtë revolucion. Në se ne grumbullonim dhe inkuadronim rreth vetes elementë antizogistë si Toger Feim Çarçani. Haxhi Stasa, Kazazi etj, këtë nuk e bënim me perspektivën e revolucionit tonë dhe për revolucionin tonë, por për perspektivën e revolucionit borgjez dhe për revolucionin borgjez.

Përballë një ndërmarrjeje kryengritëse të udhëhequr nga ne, nacionalistët nëqoftëse nuk do të rreshtoheshin me Zogun, ata me siguri nuk do të vinin as mbrapa nesh. Përpara diktaturës komuniste ata preferonin, dhe kjo ishte e drejtë për ta, diktaturën feudo – bajraktare dhe personale të Zogut. Po të njëjtën qëndrim do të mbanin nacionalistët revolucionarë edhe karshi antitezës së diktaturës komuniste, diktaturës së ndritur të shpallur nga Ismet Toto – diktaturë fashistizante. Gjithashtu ne, komunistët dhe partizanët e diktaturës së ndritur nga ana e tyre preferonim rregjimin ekzistues ndaj diktaturave të njeri – tjetrit.

Bedri Spahiu me fëmijët në fillim të viteve 1950

Një atentat në tentativë kundër Zogut

Një ditë e takova Lutfiun në Rrugën e Kavajës, përpara shtëpisë së oficerave. Më shtrëngoi dorën me të dy duart me një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe fytyra i qeshte nga gëzimi.

“Vendosa, – më tha, – do ta vras !”

“Zogun !” – mu përgjigj, kur e pyeta se cilin.

E mora dhe e çova të bisedoja me të, në një qoshe të shtëpisë së Oficerave.

–  Ç’janë këto që thua ? – i them. – Terrori individual nuk është metoda jonë.

– Ç’është e vërteta, – mu përgjigj, – unë kam parë të shkruar se komunistët duhet të përdorin edhe terrorin individual.

– Ku e ke parë ?

– Në Larousse.

– Megjithëse unë nuk kisha eksperiencë mbi sëmundjet e nervave dhe Lutfiu nuk kishte shenja të asaj marrëzie që njihja unë, kjo përgjigje më bindi se trutë e tij nuk ishin normalë. Tani gjithë çështja ishte që të shihja sa e rëndë ishte gjendja e tij mendore.

– Po si mund të vritet Zogu ! Ai s’del jashtë pallatit.

– Kam kërkuar audiencë.

– Po Zogu do të informohet se ti je komunist dhe nuk do të të pranojë.

– Unë do të insistoj deri sa të më pranojë.

– Ta zemë se do të të pranojë, por tek Zogu nuk hyhet me armë.

– Do të dorëzoj koburen, por do të kem një thikë me vete.

– Por të kontrollojnë trupin dhe ta gjejnë.

– Aha ! S’ma gjejnë dot. Do ta fsheh mirë.

– Ke nevojë të pushosh e të qetësohesh, – i them. – Shko në shtëpi. Largoji këto mendime nga koka dhe qetësohu.

U ndava nga Lutfiu për të takuar Hamdi Frashërin, që banonte në një dhomë me të.

Të nesërmen Lutfiu kish shkuar tek Gjeneral Mirdashi, për të kërkuar ndërhyrjen e tij, të pranohej në audiencë nga Zogu. Në bisedë e sipër i kishin shkuar sytë në fotografinë e Zogut dhe kishte thirrur në drejtim të tij:

“Ah, mustaqe mut ! Do të të gri mushkritë !”

Aty ishte arrestuar.

DITA