Cilat ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt dhe çfarë roli kishin ata

Nga Ndriçim Kulla

Imazhi i shqiptarëve në botë dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt, do të kishin qenë shumë më të ndryshme nga ç’kanë qenë, nëse shqiptarët, me vetitë e tyre të mira, nuk do të kishin arritur të bënin për vete dhe të entuziazmonin titanë me njohje botërore, si George Gordon Byron.

Nga mënyra se si shkruan Byroni le të kuptohet se ai shkeli në Shqipëri me paragjykime të këqija ndaj shqiptarëve për shkak të fjalëve që kishte dëgjuar për ta nga grekët. Por, mendimi i tij ndryshoi kur ai u njoh me shqiptarët dhe ndodhi e kundërta, ai u mbush me admirim dhe entuziazëm për shqiptarët. Është një fat i madh për shqiptarët që një njeri si Lordi Byrone erdhi në Shqipëri që në fillim të shekullit XIX, kohë kur Evropa kishte nisur të interesohej shumë për të njohur Lindjen, duke përfshirë dhe pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Byroni erdhi në Shqipëri në kohën e duhur për të shërbyer si referim për të gjithë ata të huaj që do të vinin pas tij në Shqipëri, ose do të studionin Shqipërinë.

Jacquez Bourcart erdhi në Shqipëri në kushte kur nuk duhet të priste mikpritje. Ai si francez i përkiste një ushtrie dhe një vendi që shihej si aleat i Serbisë, armikes së Shqipërisë, që donte ta copëtonte Shqipërinë. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë gjë dhe nuk priste të ndeshte në respektin e popullsisë. Por doli ndryshe nga ç’e priste. Shqiptarët treguan ndaj tij dhe francezëve të tjerë mikpritjen e zakonshme, të cilën Bourcart e lavdëron shumë . Megjithëse shqiptarët e dinin se ai dhe francezët e tjerë kishin ardhur në vendin e tyre si aleatë të serbëve, kjo nuk ndryshoi qëndrimin e tyre. Kjo sepse shqiptarët besonin se me qëndrimin ndaj këtyre francezëve që kishin ardhur në vendin e tyre, mund të ndikonin që Franca, për të cilën kishin dëgjuar se ishte një komb me ideale të mëdha, të ndryshonte qëndrimin ndaj Shqipërisë. Dhe, në fakt shqiptarët ia arritën që ta bëjnë këtë, së paku për francezët që erdhën në Shqipëri.

Bourcart i bën një kritikë indirekte atdheut të tij Francës, që ka pasur një predispozicion kundër Shqipërisë, për shkak të aleancës me Serbinë, duke i quajtur shqiptarët një popull të egër që nuk e meritonte të kishte shtetin e tij në Evropën e qytetëruar. Bourcart, i cili tanimë ishte bërë një mik i shqiptarëve, i thotë atdheut të tij se kjo përvojë që kishte patur Franca me Shqipërinë duhet të ndikonte që të ndryshonte qëndrim ndaj Shqipërisë, dhe të ngrihej në lartësinë e idealeve të saj për të cilat ishte bërë e njohur në botë, duke e mbrojtur dhe mbështetur këtë popull të vogël fisnik, që nuk kërkonte gjë tjetër veçse që me shtetin e tij të bëhej anëtar i familjes evropiane.

Është kuptimplotë fakti që shumica e të huajve nga vendet perëndimore, të cilët i kanë njohur shqiptarët duke jetuar për një kohë relativisht të gjatë në vendin tonë, kanë arritur në të njëjtin përfundim me Bourcart se shqiptarët, në qoftë se do të kenë një mbështetje dashamirëse nga Evropa, do t’ia arrijnë me sukses që ta bëjnë vendin e tyre anëtar të denjë të familjes evropiane.

Është interesante të studiohen marrëdhëniet që kanë krijuar me shqiptarët ata të huaj të cilët erdhën në Shqipëri me synimin për ta njohur thellë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke qëndruar një kohë të gjatë në Shqipëri, siç janë misionarët fetarë perëndimorë. Këta njerëz të jashtëzakonshëm kanë qenë njëherësh misionarë, studiues, udhëtarë. I tillë është rasti i misionarit protestant amerikan Charles Tellford Erickson, i cili erdhi në Shqipëri në 1908. Nga të huajt perëndimorë që kanë njohur Shqipërinë, amerikanët e bënë këtë më me vonesë se të tjerët, për shkak se siç dihet SHBA u angazhua me vonesë në çështjet evropiane. Por udhëtarët dhe studiuesit amerikanë kanë si veçori të përbashkët atë që nuk kanë patur paragjykime ndaj Shqipërisë.

Këtu kemi të bëjmë më tepër se me një synim, me një objektiv, kemi të bëjmë me një betim që mund të quhet deri edhe biblik. Kuptohet se sa e vështirë ishte për këtë një njeri i cili vinte nga një vend modern, si Amerika, që ishte mësuar me një mënyrë jetese moderne, që të përshtatej me jetën e një vendi shumë të prapambetur ku mungonin gjërat më elementare të jetës së qytetëruar, jo si udhëtar që është në kalim e sipër, por si një banor i këtij vendi.

Erikson thotë në kujtimet e tij se gruaja e tij do të kalonte disa herë kriza nervore për shkak të stresit që i shkaktonte ndryshimi i mënyrës së jetesës. Por, ai nuk u dorëzua. Këtë mënyrë njohjeje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që provoi Erikson tanimë e kishin ndërmarrë prej kohës misionarët katolikë veçanërisht jezuitët, që vazhdonin të vinin në Shqipëri një prej të cilëve ishte edhe albanologu i ardhëm jezuiti At Valentini. At Zef Valentinit për të kapërcyer vështirësitë e fillimit, për t’u integruar në shoqërinë dhe në jetën shqiptare, duke u shkrirë me vendasit si njëri prej tyre, që flet gjuhën e tyre, njeh dhe zbaton zakonet e tyre, ndan shqetësimet dhe problemet e tyre, kur erdhi së pari në Shkodër në fillim të viteve ‘20 u gjend para një muri që e ndante me vendasit dhe që nuk kishte të bënte vetëm me gjuhën të cilën ai kishte nisur ta mësonte që para se të vinte në Shqipëri por me natyrën e tyre.

Valentini u ndesh kështu me dy veti të shqiptarëve që i kanë përmendur Eqrem Çabeji dhe Faik Konica. Në sjelljen e njerëzve me të cilët u ndesh Valentini padyshim që vihet re ajo veti e karakterit të shqiptarëve që përmend Çabeji dhe që është rezervimi. Shumë të huaj të tjerë do të ishin dorëzuar në situatën në të cilën u ndodh Valentini dhe do të ishin larguar nga Shqipëria përgjithmonë e do të shprehnin për këtë vend dhe banorët e tij konsiderata të këqija, sa i përket karakterit të tyre. Por jo Valentini. Ai vendosi të bënte edhe një përpjekje të fundit atje ku të gjithë të tjerët do të ishin dorëzuar dhe këtë herë ia doli me sukses.

Çfarë mrekullie kishte ndodhur që e ndryshoi sjelljen e shqiptarëve ndaj këtij të huaji? Shqiptarët kishin parë shumë të tjerë si ai të cilët ishin larguar për të mos u kthyer më dhe me t’u larguar Valentini e harruan atë, ashtu si të tjerët që ishin larguar. Por ata u habitën kur panë që Valentini u kthye përsëri. Që nga ky çast ai fitoi admirimin e tyre dhe ata e panë si njërin prej tyre. Shqiptarët e kishin marrë si një shprehje të madhe nderimi për ta nga ky i huaj që ai u rikthye përsëri në Shqipëri. Kjo përvojë bëri që Valentini të kishte akoma më tepër kureshtje për të njohur natyrën e shqiptarëve dhe nuk pushoi së bëri këtë gjë për gjashtë dekada, gjë, pra sa kohë ishte gjallë. Shqiptarët kishin fituar kështu me mënyrën e tyre të veçantë të sjelljes një studiues të madh për çështjet shqiptare, një albanolog të madh. Edhe Valentini ashtu si Edit Durhan dhe të tjerë para saj, që nga Lordi Byron që u magjeps nga shqiptarët.

Por, në marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt ka patur edhe raste spektakolare të dështimit në komunikim dhe në vendosjen e një marrëdhënieje miqësie dhe bashkëpunimi mes një shqiptari dhe një të huaji në Shqipëri. Në qoftë se një nga rastet më të bujshme të vendosjes së një marrëdhënieje të tillë ka qenë ai i Ali Pashë Tepelenës dhe Lordit Byron, një nga dështimet më të bujshme ka qenë ai mes themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit dhe Princit von Wied. Fatkeqësisht, dy burra të mençur, një shqiptar dhe një i huaj, nuk u morën dot vesh në një çast shumë delikat për fatin e Shqipërisë, kur bashkëpunimi i tyre do të ishte shumë i nevojshëm. Ismail Qemali, i cili rrallë shprehet keq për ndonjë njeri në kujtimet e tij, shprehet ashpër për Princin gjerman të caktuar nga fuqitë e mëdha si kryetar i shtetit shqiptar, me të cilin pati vetëm një takim në korrik 1914, në kulmin e rebelimit islamik kundër Princit:

Sjellja e Ismail Qemalit me Princ Wiedin nuk mund të merret si tregues i ksenofobisë të Ismail Qemalit se ky kishte qenë një njeri me një karrierë të gjatë si zyrtar i lartë në Perandorinë Osmane që kishte patur marrëdhënie me evropianët, kishte kryer misione diplomatike, kishte udhëtuar në Evropë, ishte përpjekur ta orientonte Perandorinë Osmane drejt kursit të reformave sipas modelit perëndimor dhe këtë gjë e donte edhe për Shqipërinë. Ismail Qemali ishte njeriu i fundit në Shqipëri që mund të akuzohej për ksenofob, ndaj evropianëve. Në Perandorinë Osmane atë e kishin akuzuar si ksenoman, ndaj evropianëve.

Një episod i ksenomanisë së liderëve shqiptarë është ai kur Ali Pashë Tepelena, në kuvendin që mbajti me krerët e Pashallëkut të tij, që përfshinte edhe një pjesë të madhe të Greqisë së sotme, në prag të nisjes së luftës nga Perandoria Osmane kundër tij, iu tha krerëve grekë:

Po ta shikoni paanësisht të sjellurën time ndaj jush, o grekër të mirë, do të gjeni aty provat e qarta të besimit dhe nderimit që kam pasur për ju kurdoherë. E cili pasha ju trajtoi siç ju kam trajtuar unë? Kush i mbuloi si unë priftërinjtë tuaj me kaq respekt? Kush tjetër ju ka dhënë privilegje sikurse unë?

Kjo gjuhë shkonte përtej bashkëpunimit, ishte gjuha e ksenomanisë. Dihet se Ali Pasha iu bëri shërbime të mëdha grekëve aq sa Janinën e kohës së tij e kanë quajtur Athinën e re, për shkak të numrit të grekëve të shkolluar që ishin mbledhur atje në shërbim të tij.

Një tjetër tregues i ksenomanisë së shqiptarëve, që e kanë shfaqur edhe grekët, ka qenë ai fenomen që Konica e ka quajtur një aspekt të levantinizmit shqiptar, dhe që ka të bëjë me përzierjen në gjuhën shqipe të fjalëve dhe fjalive të huaja në mënyrë të panevojshme.

Ksenomania shprehet mbi të gjitha me imitimin e paarsyeshëm të modeleve të huaja. Branko Merxhani iu tërhiqte vërejtje shqiptarëve për këtë gjë që në 1934, një artikull me titull “Jo mballoma”:

Jemi të shtrënguar me dashje e pa dashje të ecim për në Oksident. Por kjo ecje jonë nuk mund të ketë kurrë një kuptim imitimi. Por kjo ecje jonë nuk mund të ketë kurrë një kuptim imitimi. Përkundra. Ecja jonë nëpër viset e Oksidentit lypset të jetë në një koh’ e sipër edhe një ecje triumfale drejt viseve t’ ona, drejt parimeve krijonjëse të jetës s’ onë kombëtare.

Kjo është një vërejtje me vlerë edhe sot, kur shqiptarët në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, janë të prirur të imitojnë modele në të gjitha fushat, pa vrarë mendjen si t’i përshtasin ato me realitetin shqiptar.

Nga të gjithë rastet e marrëdhënieve të shqiptarëve me të huajt, duhen veçuar veçanërisht marrëdhëniet miqësore dhe të bashkëpunimit të Skënderbeut me Papa Piun II, dhe me papët e tjerë që ishin në fronin pontifikal në kohën që Skënderbeu i priu luftës së shqiptarëve kundër turqve.

Kur flitet për marrëdhëniet e shqiptarëve me të huajt, duhet thënë se shumica e të huajve janë mrekulluar nga shqiptarët, madje edhe në çastet më të këqija për shqiptarët.

Pse shqiptarët iu ngjallnin një entuziazëm të tillë të huajve edhe në çastet më të vështira për ta? Me çfarë i bënin për vete shqiptarët të huajt si ky? Ndoshta me atë sjelljen çarmatosëse shqiptare, që sikur iu thotë të huajve se: Ne shqiptarët, me vetitë tona të këqija në fund të fundit nuk i bëjmë keq askujt përveç vetes sonë, ndërsa me vetitë tona të mira mirëpresim si mik me të gjitha nderimet e mundshme çdo njeri që na troket në derë. Dhe siç ka thënë Poeti (Bajroni), vetitë tona mund të ishin më të arrira, por për këtë ka akoma kohë. Dhe kjo është koha evropiane, sepse ne jemi evropianë të moçëm.

Por ne mendojmë shumë se çfarë thonë të huajt për ne, por nuk mendojmë më shumë për të kuptuar vetveten. Të gjithë popujt sigurisht janë të interesuar se çfarë thonë të huajt për ta, por ato që thonë të huajt i gjykojnë me sy kritik. Ashtu siç e gjykojnë edhe veten. Ne akoma nuk kemi mësuar ta bëjmë këtë gjë.