Çfarë është lumturia? Si mund të jemi të lumtur? Lumturia është privilegj i të urtëve?!

Nga Albert Vataj

Çfarë është lumturia? Si mund të jemi të lumtur? Këto dhe një vargan i gjatë pyetjesh kanë tunduar mendimin njerëzor për mijëra vite. Është shkruar me një pasion të fuqishëm, janë nxjerrë definicione nga mendjet më të ndritura të njerëzimit. Libra pafund kanë pushtuar interesimin dhe kureshtinë gjithnjë në rritje. Janë thurur e skalitur, lartësuar piedestale dhe flijuar perëndi për të… dhe ne sërish kemi diçka për të thënë, na mundojnë të tjera dilema, ndihemi ende të kyçur në labirinthet e së panjohurës. Kemi dhe do të kemi, sikur gjithnjë ajo që dimë dhe ajo që kemi mëkuar, është gjithnjë e pamjaftueshme. Dhe është më se e vërtetë. Edhe sakrifikuesit më të mëdhenj të këtij besimi, kanë ikur nga kjo botë zemërthyer, sepse na lanë të kryqëzuar në pikëpyetjet e mëdha.

Pse?!
Ti mund të kesh një mendim të paqartë për lumturinë. Ndoshta optimizmi i tepruar, duke u përzier me disfatizmin, bëjnë që gjendja juaj shpirtërore të jetë gjithnjë nën trysni. Pozicionimi në të mesmen e artë, më shumë se i pamundur për t’u përshtatur filozofisë sonë të të jetuarit, është në shumësinë e herëve i pamundur si qasje. Për lumturinë, gjahtarë të të cilit jemi, ose qëllimsinë e themeltë që i kemi kushtuar gjithçka tonën në jetë, më mirë se Artur Shoponhaur, tjetërkush nuk ka mundur ta diagnostikojë me kaq saktësi gjendjen tonë të kllapitur nga apatia, plogështia, mungesa e motivimit, nervozizmi, humbja e besimit, ç’ekulibrimi emocional, etj..
Ne dimë se çfarë na mundon, por nuk kemi dijeni se nga se vuajmë.
Dhe… sapo kalojmë pragun për të kërkuar të vërtetën duhet të na udhëprijë mençuria njerëzore, ajo që na tregon përmes Aristotelit se: “I dituri nuk kërkon kënaqësi, por mungesën e dhimbjes”. Secili nga ne ka provuar se, një plagë e vetme sado e vogël, e rrëmben përdhunshëm qetësinë tonë shpirtërore dhe begatinë e jetës, duke gëlltitur gjithçka për t’i gremisur raportet tona me kënaqësitë e sfidave të jetës në honin e errët të pesimizmit.
Gjëja më e vogël dhe më e parëndësishme që rrjedh në kahun e kundër të synimeve tona, arrin të thith përqendrimin e interesimit tonë, aq sa për të shpërbërë në asgjë gjithçka kemi arritur me mund dhe sakrifica. Sepse ne gjithnjë priremi nga mbivlerësimi i gjërave që duhet të kishim interesimin tonë periferik. Për t’u çliruar nga ky makth torturues, vrastar i çasteve të përjetimeve të dritshme, duhet të kuptojmë thellësisht çfarë thotë Volteri, sipas të cilit “Lumturia s’është veçse një ëndërr, dhimbja është e vërtetë” .
Ngulmëtarët e lumturisë janë “Don Kishotë” tragjikomikë që luftojnë me mullinjtë e erës. Cili nga ne nuk e ka provuar dhe vijon kokëfortësisht duke mos u dorëzuar, dhe asnjërit zhgënjimi nuk i është bërë mësim. Ne të gjithë luftojmë çdo ditë dhe pareshtur për të rrëmbyer ç’të mundemi nga pema e ndaluar e lumturisë, dhe… gjithçka që do të na shpërblejë, janë ato pak çaste që shkreptijnë vetëtimshëm, pa mundur të jetë dritë që na ndihmon të shohim.
Ndoshta duhet ta mësojmë një herë e mirë, “se jeta nuk na është dhënë për të shijuar, por për të vuajtur, duke shlyer kështu disa borxhe të lëna pezull”, kumton Shopenhaur.
“Që ta shijosh jetën, shmange atë”, “kështu mbijetohet”, “kush është i zoti, i’a del mbanë”… dhe beh papritur pleqëria, gjithçka e jona cek në pragun e mbramë, dhe kuptojmë se jeta, kumton filozofi, shijohet duke duruar dhimbjen dhe jo ai që pjesëmerr gjallërisht gëzimet dhe kënaqësitë e mëdha.
Cilido që rreket të mat lumturinë e një jete duke e kërkuar ngulmueshëm te kënaqësitë e gëzimeve, stuhia e shpengimeve dëfryese, fatkeqësisht rrok një dimension të gënjeshtërt, është pré e kurtheve zhgënjyese.
Kënaqësitë janë dhe mbeten, përgjithësisht negative. Ideja që ato na bëjnë të lumtur, është thjeshtë një iluzion i nxitur nga zili që me shumë gjasë na çon në dënimin e vetvetes.
Fatkeqësia jonë, ndoshta e trashëguar nga origjina e species, është se dhimbja mbetet ajo që kërkon dhe përfiton interesimin tonë kryesor. Edhe pse mungesa e tyre e përcakton përmasën e vërtetë të lumturisë sonë. Vetëm atëherë kur të kemi hequr dorë nga sadizmi, me të cilin ndëshkojmë veten tonë, vetëm atëherë kur jemi çliruar shpirtërisht nga kapja e të keqes, dhimbjes, i kemi bërë shërbimin më të vyer jetës tonë.
Keni vënë re, edhe kur fati me bujarinë e tij na begaton jetën tonë, duke na shpërblyer me mungesën e dhimbjes dhe dhuruar çaste inkandeshente lumturie, ne, rrëmojmë rreth e qark, insistueshëm, për të gjetur e për t’i bërë tonën dhimbjet dhe hidhërimet e tjetërkujt, diku nga nevoja për tu përfshirë nga gjendja e mëshirës, diku nga ngucame e protagonizmit, diku nga një ndjesi bajate altruizmi. Ja ku pranojmë të biem edhe ne në kazanin që zien, jo aq për t’u bërë pjesë e së tërës, se sa i vetndëshkimit, nga mungesa e urtësisë.
Duhet të kërkojmë brenda nesh imunitetin ndaj dhimbjeve dhe çlirimin nga mërzia dhe stresi, për të kapur fillin e mbërritjes te lumturitë tokësore, ato realet që bëhen pjesë e përjetimeve tona, larg idilikes dhe përfytyrueses, me të cilën na torturojnë krijuesit.
Kurrsesi jo, nuk duhet blerë kënaqësia me çmimin e hidhërimit apo me shpirtin aventuresk të rrezikut.
Nëse dhimbjet na paraprijnë apo pasojnë kënaqësinë, është e papërfillshme, nuk ka lajthitje më të madhe se sa të duash të shndërrosh këtë luginë lotësh në një lëndinë hareje, duke kërkuar gëzime dhe kënaqësi në vende që duhet të na shërbejnë si mundësi për të stërvitur imunitetin ndaj dhimbjes. E megjithatë shumë njerëz janë të destinuar të jenë viktima vullnetlira të këtij gabimi.