“Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”

Fondacioni Arsimor Kulturor Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) promovoi librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur Shaban Murati, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar npo prej këtij fondacioni. Marrin pjesë në këtë veprimtari diplomatë, historianë, profesorë, pedagogë, studiues të fushave të ndryshme dhe miq të autorit. Veprimtarinë e hapi presidenti i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra. Më pas rreth librit folën Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. As. Dr. Sokol Sadushi, ish-ambasador Çlirim Çepani, etj. Veprimtaria përfundoi me përshëndeti autori të librit, zotit Shaban Murati. Libri i ri, që vjen pas dhjetë librave të këtij autori në fushën e diplomacisë, studimeve ballkanike dhe të politikës së jashtme, trajton për herë të parë në mënyrën më të plotë dinamikën dhe prapaskenat e dosjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, nëpërmjet paraqitjes dhe analizës se dokumenteve të shumta arkivore, të cilat ndihmojnë për të kuptuar gjenezën dhe zhvillimin e çeshjtes së detit deri në ditët tona.
Autori e zbërthen çështjen e detit si një çështje të krijuar artificialisht nga paaftësia e diplomacisë shqiptare të kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit dhe nga aftësia e diplomacisë greke për ta bërë çështjen e detit një problem qendror të marrëdhënieve dypalëshe edhe pas anulimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në libër argumentohet karakteri artificial i kësaj çështje nëpërmjet argumentimit shkencor bindës se kjo çeshtje nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe se ajo është ngritur mbi supozimin e gabuar dhe të paligjshëm se kufijtë detarë nuk ekzistojnë. Në kapitullin e parë autori ndalet në prapaskenën e nxitimit të diplomacisë shqiptare për përfundimin e marrëveshjes së detit me Greqinë në 2009, e cila kaloi përmes shkeljesh të mëdha historike, diplomatike, juridike dhe dokumentare. Në kapitullin e dytë autori trajton problemin interesant dhe enigmatik të ndryshimit nga diplomacia shqiptare të objektit të bisedimeve, nga bisedime për shelfin kontinental në bisedime për përcaktimin e kufirit detar. Në kapitullin e tretë kemi një analizë të thellë dhe të dokumentuar historike në gjithë harkun kohor shekullor të marrëdhënieve shqiptaro-greke të së vërtetës që kufijtë detarë kanë ekzistuar dhe janë pranuar nga qeveria greke. Në kapitullin e katërt autori analizon për herë të parë tërë procesin diplomatik të çështjes së detit si një konflikt artificial, që ka dominuar marrëdhëniet dhe bisedimet diplomatike midis dy vendeve gjatë dhjetë viteve të fundit.
Për të kuptuar plotësisht dosjen e detit dhe perspektivën e saj autori përshin një kuadër të gjerë të problemeve të hapura dhe të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe që nga çështja çame e deri tek çështja e ujërave të Vjosës. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati, që botohet në kohën e duhur, sjell një kontribut të çmuar për mendimin diplomatik shqiptar, por edhe për veprimtarinë praktike diplomatike, për studimet akademike dhe për shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare. Duhet shtuar se autori, duke qenë edhe gazetar, krahas profesionalizmit në argumente, ka realizuar një libër me një stil të kuptueshëm, të këndshëm dhe të komunikueshëm për lexuesit e të gjitha kategorive, që nga akademikët e deri te lexuesit e thjeshtë.

PJESË NGA LIBRI
Prapaskenat dhe realitetet e dosjes së detit Diplomacia greke*), e cila marrëveshjen e detit e cilësoi si një fitore strategjike, sepse ajo i plotësonte një pjesë të rivendikimeve të vjetra greke ndaj territorit të Shqipërisë, ndodhet në sytë e opinionit të saj të brendshëm nacionalist grek në një pozicion jo të favorshëm nga anulimi i saj. Në këtë drejtim, alternativat, që ajo ka zgjedhur apo mund të zgjedhë për riarritjen e asaj që humbi nga anulimi i marrëveshjes, janë tepër të kufizuara. Situata e zhvleftësimit të marrëveshjes i jep asaj pak instrumente diplomatike dhe juridike për të rivendikuar hapësirën detare që i fali qeveria e kryeministrit Sali Berisha në vitin 2009.
Në këto kushte, gjatë gjitha viteve të kaluara nga data e anulimit dhe e shpalljes të pavlefshme dhe nul të marrëveshjes së detit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, diplomacia greke me intransigjencë ka këmbëngulur në përpjekjet për t’i imponuar qeverisë së Shqipërisë pranimin e asaj marrëveshjeje. Diplomacia greke nuk është pajtuar me realitetin se zhvleftësimi i marrëveshjes së detit ka rikthyer realitetin dhe normalitetin e kufijve shtetërore detarë dhe të gjendjes para vitit 2009, kur u nënshkrua marrëveshja e gabuar. Se sa të ngurtësuara janë qëndrimet e diplomacisë greke në këtë çështje duket edhe në qëndrimet, që ajo shfaqi në bisedimet e zhvilluara në Tiranë në korrik të vitit 2014 midis dy delegacioneve të MPJ të të dy vendeve për konsultime lidhur me ecurinë e mëtejshme të temës së detit. Sipas burimeve diplomatike greke, në këtë takim delegacioni grek paraqiti këto qëndrime:
Nuk është e qartë si është lejuar që kryetare e delegacionit të MPJ të Shqipërisë në konsultimet për çështjen e detit me palën greke në korrik të vitit 2014, të ishte një anëtare e ekipit negociator të MPJ të Shqipërisë në bisedimet me ekipin negociator grek, të cilat çuan në marrëveshjen e anuluar të detit të vitit 2009. Logjika më e thjeshtë profesionale dhe diplomatike nxit vlerësimin se ajo nuk mund të ishte e përshtatshme për të mbrojtur pozicionet e palës shqiptare të qeverisë e re për mohimin e një marrëveshjeje, ku ajo kishte marrë pjesë vetë. Paraqitja e saj në krye të delegacionit shqiptar ishte shenjë pozitash të dobta biseduese të palës shqiptare, sepse pala greke e dinte përbërjen e ekipit të mëparshëm të detit, aq më tepër që në ekipin grek ishte përfshirë përsëri, edhe pas pesë vitesh nga bisedimet e marrëveshjes së vitit 2009, Anastasia Strati, autorja e librit, që kemi cituar më sipër në studimin tonë. Këto parregullsi duket kanë ndikuar në paraqitjen e disa qendrimeve jo korrekte nga pala shqiptare, të cilat sipas burimeve greke, kanë qenë:
-Vullneti pozitiv i palës shqiptare për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për një çeshtje aq të rëndësishme, siç është delimitimi i kufirit detar.
-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese detyron autoritetet shqiptare të mos procedojnë me ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë.
-Vendimi i Gjykatës Kushtetuese na lë duarlidhur për të ecur më tej me ratifikimin e saj në parlament.
-Ne duhet të gjejmë bashkarisht një zgjidhje se si të procedojmë me këtë çeshtje.
-Pala shqiptare sheh si një opsion të mundshëm për zgjidhjen e çeshtjes rinegocimin e marrëveshjes.
-Nuk ka dyshime për negociatat (e vitit 2009). Jemi të dy anëtarë të UNCLOS dhe kemi respektuar dispozitat e tij.
-Nëse është e mundur, të rishikojmë secilin element, ku Gjykata Kushtetuese vlerëson se paraqiste problem.
Duket një platforme bisedimesh, që është pak të quhet e papranueshme. Në këtë platformë adoptohen pikëpamjet e palës greke dhe bashkë me të nxirret si shkak kryesor i problemit të krijuar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe jo marrëveshja e gabuar dhe e dëmshme. Në këtë platformë vazhdon të flitet për delimitim të kufirit detar, në një kohë që ky objekt i gabuar është zhvleftësuar si objekt bisedimesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Është krejtësisht e paqartë se mbi çfarë baze flitet nga pala shqiptare për rinegocim të marrëveshjes, në një kohë që ajo është juridikisht nul dhe e pavlefshme, është inekzistente. Nuk kuptohet se si pala shqiptare vazhdon dhe flet për proces ratifikimi të marrëveshjes dhe në një mënyrë të tillë sikur është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i gabuar, dhe jo marrëveshja e gabuar. Pala shqiptare merr një përgjegjësi të madhe mbi vete, kur deklaron në takim se nuk ka dyshime për negociatat që janë zhvilluar në vitet 2008-2009, kur pikërisht jo vetëm ka dyshime, por ka akuza të argumentuara nga Gjykata Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë nga ekipi negociator i vitit 2009.
Papërgjegjshmëria kulmon deri në pikën, kur në këtë takim ftohet pala greke “për të diskutuar elementet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, kur vendimi i saj është bazuar në Kushtetutë dhe është i paapelueshëm dhe i padiskutueshëm. Vetiu lind pyetja se si mund të pranohet që pala greke të na sjellë disa argumente për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Kjo platformë e gabuar duhet të ketë shkaktuar një ndjenjë kënaqësie dhe inkurajimi në diplomacine greke për rivendikimet e saj, sepse edhe diplomatë grekë në Tiranë në takime me homologë shqiptare shprehen për vazhdimësinë e frymës së konsultimeve të korrikut 2014 në Tiranë.
Anulimi dhe zhvleftësimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i marrëveshjes së 27 prillit 2009 midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Greqisë e ka kthyer gjendjen në situatën normale, që ajo ndodhej përpara se pala greke të kërkonte hapjen e bisedimeve për caktimin e shelfit kontinental dhe përpara se pala shqiptare të transformonte objektin dhe ta shtrinte në mënyrë të paligjshme atë edhe në diskutimin dhe në cënimin e kufijve shtetërorë detarë midis dy vendeve. Me anulimin dhe zhvleftësimin e marrëveshjes së 27 prillit 2009, kemi një kthim në kohën kur si njëra dhe tjetra palë nuk kishin kërkuar hapje bisedimesh për çështjen e detit dhe kur nuk e konsideronin atë një problem për të cilin duheshin hapur bisedime dypalëshe.

* Marrë me shkurtime nga libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, me autor Shaban Muratin