ÇELET SEZONI TURISTIK/ Malësi e Madhe starton “Ditët e turizmit Malor” në Razëm

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi, mori pjesë sot në aktivitetin turistik ‘Ditën e Turizmit Malor’, organizuar nga Bashkia e Malësisë së Madhe, në pikën turistike të Razmës. Një event turistik për të promovuar vlerat e veçanta të turizmit natyror në këtë zonë  të bukur në veri të Shqipërisë. Në një atmosfere festive mori fjalën dhe Ministrja Ekonomi, e cila përshëndeti të pranishmit që kishin mbushur sheshin e kësaj pike turistike. “Eshtë kënaqësi kur sheh një fushë të mbushur plot me njerëz. Kjo është ngjarja turistike malore e dytë radhazi ku unë marr pjesë këtë vit”-, tha Ministrja Ekonomi duke falënderuar kreun e Bashkisë së Malësisë së Madhe, Zotin Tonin Marinaj, për vëmendjen dhe kujdesin që tregon për promovimin e zonës. Po kështu dhe deputetin e zonës z. Paulin Sterkaj për lobimin e fortë që ai i bën kësaj zone turistike, në çdo takim me donatorë si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më tej, Ministrja Ekonomi u ndal te reformat ekonomike në përgjithësi që ka kryer kjo qeverisje në 44 muaj të mandatit të parë, përfshi dhe sektorin e turizmit.  “Në 44 muaj qeveriseje, arritëm të kemi një ekonomi më të mirë, qeverisje me të mirë, më moderne dhe më transparente, më afër qytetarëve. Janë ndërmarrë shumë reforma për ta bërë ekonominë shqiptare të rritet. Përpjekjet kanë qenë të mëdha, reformat të dhimbshme, por ne jemi të bindur se pa reforma nuk mund të shkojmë përpara për një zhvillim të denjë ekonomik të Shqipërisë. Në qendër të zhvillimit ekonomik duhet të jetë qytetari shqiptar, i cili që duhet të trajtohet me të njëjtin dinjitet si qytetarët e tjerë në Europë”, tha Ekonomi. Më tej, ajo u ndal te shifrat e turizmit që për vitin e kaluar kanë qenë shumë pozitive, duke shpresuar të ruhet i njëjti trend dhe këtë vit. Ajo tha se vjet numri i turistëve u rrit me rreth 15% më shumë, ose thënë ndryshe 4.2 mln turistë vizituan vendin tonë nga veriu në jug në 2016. “ Por që burimet natyrore siç është dhe Razma, të kthehen në destinacione turistike, duhet patjetër që të kesh rend publik dhe siguri, të cilin ne e kemi arritur si dhe të kesh rrugë më të mira, dhe prandaj fondet shkojnë pikërisht në rindërtimin e këtyre rrugëve, ndërkohë që këto rrugë duhet të krijojnë lidhje me burimet turistike”, – tha Ministrja Ekonomi.