Çelet nesër në Romë Viti kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Çelet nesër, zyrtarisht, në Romë, nga ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, Viti Jubilar kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Siç është bërë tashmë traditë prej vitesh, të gjithë shqiptarët do të mblidhen nesër në orën 16.00, pranë monumentit të Heroit Kombëtar, që Papët e quajtën “Atleti i Krishtit”, për të filluar një vit me veprimtari, në 550-vjetorin e vdekjes së pinjollit më të shquar të Kastriotëve.

Prej kohësh, qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës kanë deklaruar së bashku se viti, që mbulon periudhën 28 nëntor 2017 – 28 nëntor 2018, do të jetë Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Tashmë është bërë e njohur edhe logoja, që do ta karakaterizojë atë.

Veprimtaria e nesërme e ambasadës do të ndiqet menjëherë me një konferencë, më 17 janar, në orën 16.30, organizuar në bashkëpunim me arbëreshët e Romës. Në selinë e Kolegjit Papnor Grek të Shën Athanasit, në një nga rrugët më qendrore të kryeqytetit italian, në via del Babuino 149, do të mbahet një kuvendim me temë “Skënderbeu: heroi, që bashkon”.

Do të mbajnë kumtesa e fjalime: rektori i Kolegjit Papnor Grek të Shën Athanasit, atë Giovanni Xanthakis; ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri; pedagogu i Universitetit “La Sapienza” të Romës, prof. Fulco Lanchester; pedagogu i Universitetit të Studimeve “L’Orientale” të Napolit, prof. Italo Fortino; ndërsa presidenti i “Confemili”-t (Komitetit Italian Federativ për Pakicat Gjuhësore), prof. Domenico Morelli do të moderojë takimin.

Do të ketë edhe një çast me muzikë nga violinisti Elvin Dhimitri. Së fundi, të pranishmit do të zhvendosen për një dolli në Pallatin Scanderbeg, ku qëndronte Gjergj Kastrioti kur vinte për vizitë në Romë. Të gjithë janë të ftuar.

 

Radio Vatikani