Busti i Gjergj Kastrioti -Skënderbeut do të mbërrijë edhe në kryeqytetin francez, Paris

Heroi Ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu “kalëron” dhe na krenon në shumë kryeqytete dhe qytete të rëndësishme të Evropës dhe botës. Kjo është një dëshmi e qartë dhe e pamohueshme e kontributit që “Kalorësi i Krishtërimit” dha në atë kohë kur hordhia otomane mësynte Perëndimin, synonte të nënshtronte dhe të përdhoste qytetërimin dhe kulturën kristiane. Ishte ai që me shpatë e me zemër i bëri ballë për afro 25 vite duke e kthyer Arbërinë në një kala të pakapërcyeshme për barbarët e orientit.

Bota e qytetëruar, organizatat dhe grupet lobuese kombëtare arritën të çojnë në bronx e në mermer, në kushtrim e në qëndresë këtë legjendë. Busti i Skënderbeut është në Gjenevë, në Londër është përmendorja e Skënderbeut, edhe në Spanjë ndodhet busti i heroit. Statuja e Skënderbeut ndodhet gjithashtu në Melburn të Australisë. Busti i Heroit Tonë Kombëtar ndodhet edhe në Buenos Aires. Një statujë e Skënderbeut me kalë është në Nju Jork.  Skënderbeu ndodhet gjithashtu në Kanada, në Madagaskar, në Berlin, në Pragë dhe tani do të jetë edhe në kryeqytetin francez, Paris.

Në një shesh të Parisit, i cili që nga viti 1977 mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, do të vendoset një shtatore.

Për realizimin e kësaj vepre në sheshin e quajtur Skanderbeg të zonës 19 të Parisit është përzgjedhur skulptori i talentuar shqiptar Agim Rada. Ndërsa sapo ka përfunduar punën me bocelin, s do të nis të modelojë edhe statujën në lartësinë prej 5 metrash. Skulptori e ka konceptuar Skënderbeun me të gjitha dimensionet e tij si një nga figurat më të njohura historike në Europë. Në shtatoren e Skënderbeut nuk do të mungojë edhe kryqi e shqiponja, simbol i stemës së Kastriotëve. Shtatorja e Skënderbeut pritet të vendoset në Paris rreth muajit nëntor të këtij viti në rrugën që mban emrin e tij.