Bunkeri bërthamor në Kaliningrad të Rusisë, vëzhguesit perëndimorë alarmohen

Rusia ka rinovuar bunkerin e magazinimit të armëve bërthamore në enklavën e Kaliningradit.

Fotografitë satelitore nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë janë kthyer në burim shqetësimi për vëzhguesit ushtarakë perëndimorë.

Ekspertët i kanë shqyrtuar imazhet me kujdes dhe kanë dalë në përfundimin se, me shumë gjasë puna për rikonstruktimin e bunkerit atomik, i cili ndodhet 50 km larg kufirit me Poloninë, mund të ketë nisur në vitin 2016.

Specialisti i armëve nukleare, Hans Kristensen, citohet nga “The Guardian” të ketë thënë:

“Mesa di unë, ai është vendi i vetëm i magazinimit të arsenalit bërthamor në zonën e Kaliningradit.”

Kristensen shton se “punimet e bëra atje ngrenë padyshim pyetje se, cili është statusi operacional i këtij bunkeri.”

Rinovimi i bunkerit në fjalë do të thotë që ai do të furnizohet me raketa dhe mbushje atomike brenda një kohë të shkurtër, si dhe dëshmon se Moska e ka marrë seriozisht ngërçin që ka me NATO-n.

Planifikuesit ushtarakë të NATO-s shfaqin shqetësim pikërisht për shkak të pozicionit të bunkerit në Kaliningrad, pasi nëse armë me rreze të shkurtër veprimi do të përdoreshin në rast konflikti, do të rrezikoheshin qytete të rëndësishme anëtare të aleancës, si Berlini dhe Varshava.

s.a/dita